Kakomeja, “pengu” i korrupsionit pa emra… Nga Laureta Roshi Në Kakome shteti i heq “Rivierës” statusin e “privilegjit” Ka përfunduar identiteti i rremë i ndërtuesit të fshatit turistik në Kakome, i bërë publik si presion mbi ish-pronarët, s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kakomeja, “pengu” i korrupsionit pa emra… Nga Laureta RoshiNë Kakome shteti i heq “Rivierës” statusin e “privilegjit”
Ka përfunduar identiteti i rremë i ndërtuesit të fshatit turistik në Kakome, i bërë publik si presion mbi ish-pronarët, se në Kakome, pas përgjigjes zyrtare të drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Dritan Çela, drejtues i “Rivierës”, nuk e gëzon më statusin e personit të stimuluar për ndërtimin në zonën turistike. Kohë më parë edhe “Club Med” bëri publike se nuk ka asnjë lidhje bashkëpunimi me “Rivierën” për ndërtimin e fshatit turistik.
Ndërsa proceset gjyqësore vazhdojnë në gjykata penale mbi banorët që kundërshtuan futjen me forcë të firmës në gji, dhe civile mbi firmën për marrjen e titullit të pronësisë, komunarët e Lukovës kanë firmosur letrën e hapur për drejtuesit e institucioneve shtetërore, që ata të ndërhyjnë me veprime konkrete.
“Nisur nga konflikti me pasoja të rënda, i bërë publik kohë më parë midis komunitetit të banorëve të komunës Lukovë dhe shoqërisë së ndërtimit “Riviera”, për ndërtimin e një fshati turistik në Kakome, ju informojmë se përgjigja zyrtare e “Club Med”, e bërë edhe publike, e përjashton atë nga bashkëpunimi me firmën “Riviera”. Bashkangjitur përgjigjja e “Club Med”. Si dhe nga ana e Agjencisë Kombëtare të Turizmit njoftimi zyrtar i datës 13 nëntor 2009, provon se kompania “Riviera” është njoftuar për ndërprerjen e marrëdhënieve të zhvillimit në lidhje me ndërtimin e objektit fshat turistik duke mos e gëzuar më titullin person i stimuluar. Bashkangjitur shkresa zyrtare”.
Në letrën e hapur drejtuar autoriteteve zyrtare më të larta të vendit rikujtohet se “duke qenë se në hyrjen e saj me forcë në Gjirin e Kakomesë, më 9 janar 2009, firma “Riviera” përdori imazhin dhe forcën e Policisë së Shtetit dhe atë të Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar, kërkojmë veçanërisht nga këto dy institucione ndërhyrje të shpejtë në zbatim të ligjit. Duke qenë se faktikisht është duke u zhvilluar një veprimtari antiligjore, që ka dëmtuar interesat e komunitetit vendor, shkatërrimin e dhjetëra hektarëve pyje dhe qindra rrënjë ullinjve, bllokimin e plazhit publik të Kakomesë, ju lutemi Juve për të ndërhyrë me veprime konkrete nga institucionet që ju drejtoni për të normalizuar gjendjen dhe mundësuar lëvizjen e lirë të banorëve në zonën Gjiri i Kakomesë”.
Aktualisht, në Gjirin e Kakomesë, aty buzë rrugës nacionale, në dalje të fshatit Nivicë, 6 kilometra në thellësi të pyllit të Brodanit, natyra është shkatërruar. Faqet e zhveshura nga dhjetëra hektarë pyje e ullishta pasqyrohen mbi ujërat e Jonit duke ia humbur bukurinë shekullore. Mes ullinjve, faqeve të malit të Heremecit, buzë detit, deri mbi pistën e dikurshme të betontë ngrihen klonet - kabina rojesh që kontrollojnë atë sipërfaqe që nuk arrihet të mbahet nën kontroll nga postblloku i vendosur në hyrje të gjirit.
Me postbllokun e vendosur kompania private ka bllokuar kalimin për në plazhin publik, si dhe vendet e shenjta, midis tyre manastiri i famshëm i Shën Mërisë, aktualisht nën ristrukturim nga Mitropolia si monument kulture dhe besimi.
Në bregun me guralecë të bardhë vërtitet një heshtje që prishet nga zhurmat e makinave të betonit që punojnë ngadalë, si për të ruajtur faktin që aty punohet.
Sinjalet që vijnë nga pjesa e rrethuar me tela e kabina rojesh janë ato që duan investitorët e lodhur. Kohët e fundit sinjale alarmi mbërrijnë në shërbimin e policisë nga punëtorët e firmës, sipas të cilëve mbi ta qëllohet me armë zjarri natën apo ka shpërthime eksplozivi në ndërtimet e saponisura. Policia hap hetimet, ndërsa firma nuk publikon dëmin financiar apo përfitimin nga kompanitë e sigurimit në rastet që ajo, firma kreditore, deklaron dëmtime të objekteve të siguruara. Duket një lojë përfitimesh kohe dhe parash, ndërsa banorët e Nivicës, pretendues si pronarë, enden gjyqeve. Dritan Çelaj, presidenti i “Riviera”-s, ka deklaruar për mediet një vit më parë, se Kakomeja është tokë shtetërore. Kompania e tij ka marrë të drejtën e përdorimit për 99 vjet, në vitin 2004, për të zhvilluar bregdetin, por projekti prej 40 milionë eurosh u pezullua pas protestave nga banorët vendas dhe ndryshimit të qeverisë në 2005.
Por disa nga titujt e pronësisë që kanë banorët datojnë nga viti 1870, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane, tjetra kur është lëshuar nga regjistri i tokës së përgatitur nga Mbreti Zog në vitin 1930 dhe garancia e tretë, kthimi i tokës së kolektivizuar gjatë regjimit në vitin 1994.
Konfliktet për pronësinë e tokës janë të përhapura gjerësisht përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë, kryesisht për shkak të potencialeve të tij për zhvillimin, në një nga zgjatimet e paprekura të Mesdheut.
Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit, Sali Berisha, e kundërshtoi projektin, në kohën kur ishte në opozitë. Por, pas marrjes së pushtetit heshti, ndërsa firma private përdori imazhin e Policisë së Shtetit në ngjarjet e dimrit të 2008-2009.
Ngjarjet tetor 2008-janar 2009
Shoqëria “Riviera”, pasi tentoi të hynte në Kakome, u ndalua nga komuna Lukovë dhe u lajmërua se dokumentacioni i saj ishte i paplotë dhe në kundërshtim me ligjin. Me gjithë insistimin e komunës Lukovë si administruese e territorit, shoqëria “Riviera” u drejtua me tre kamionë në datën 06.11.2008 për të hyrë në Kakome, ku u ndalua nga punonjësit e komunës dhe banorët e fshatit Nivicë. Sipas procedurave administrative, kamionët u zhvendosen nga komuna në sheshin e Lukovës dhe u morën nga firma, ndërsa tri ditë më pas sërish firma tentoi futjen në gji të kamionëve, këtë herë nën mbrojtjen e personave me probleme me drejtësinë dhe me policë privatë.
Edhe këtë herë ajo u bllokua nga punonjës të komunës dhe banorët e fshatit Nivicë. Për të mbrojtur pronën e tyre dhe për të mos lejuar fillimin e këtij fshati turistik banoret qëndruan ditën dhe natën, në shi e në të ftohtë, ku nuk pati asnjë lloj dëmi material apo njerëzor.
Në datën 22.11.2008, komuna Lukovë së bashku me kryesitë e fshatrave Nivicë, Shën Vasil, Lukovë, Piqeras, Borsh etj. (fshatra të komunës Lukovë) organizon në këtë vend një miting me temë: “Vetëm komuniteti i Bregdetit është zot në administrimin e territorit”. Mbas këtij mitingu forca speciale të Policisë së Shtetit sulmuan banorët, tërhoqën me forcë nga turma kryetarin e fshatit Nivicë z. Klement Baxheri, u konfrontuan ashpër me banorët deri në përdorimin e armëve të zjarrit në kundërshtim të plotë edhe me legjislacionin shqiptar. Për të vendosur situatën në qetësi, pas konsultimeve me kryetarin e komunës, Policia e Shtetit, për të përligjur ndërhyrjen brutale, u justifikua se kishte mandate arresti për katër persona, që ndodheshin në turmë. Qytetarët e tjerë shkuan vetë në Komisariatin e Policisë, ata janë z. Sokol Munguli, Thanas Vito (K/Inspektor i Policisë Ndërtimore të komunës), z. Nevil Papagjika, të cilët akoma janë në burg me akuza banale si bllokim rruge, pengim i mjeteve të transportit.
Me gjithë këtë përpjekje shoqëria “Riviera” nuk hyri dot në Kakome. Banorët vazhduan të qëndronin aty ditën dhe natën, në të ftohtë, në shi, duke kaluar edhe dy festat e fundvitit, festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri së bashku dhe jo në shtëpitë e tyre. Kjo zgjati deri në datën 09.01.2009, kur rreth 400 forca speciale të Policisë së Shtetit të armatosur me armatim të çdo lloji, nga snajperët deri tek autoblindat, në fshehtësinë e natës rreth orës 04.00 të mëngjesit sulmuan pabesisht banorët, pa pasur asnjë lloj komunikimi me kryetarin e komunës, në prezencë të tij dhe pa i dhënë asnjë lloj shpjegimi, arrestuan 15 banorë, së bashku edhe me punonjës të komunës dhe shoqëruan makineritë e shoqërisë “Riviera” për të hyrë në Kakome, duke shkelur në mënyrën më flagrante autonominë vendore, të drejtën e komunitetit, të drejtën e pronës dhe duke u bërë palë me shoqërinë “Riviera”, sikur të ishin aksionarë.
Kakomeja është e jona
Banorët e Nivicës vazhdojnë proceset në gjykatat e vendit. Pas gjykatës së Lartë procesi në rast humbjeje do të vazhdojë në Strasburg, por banorët thonë se Kakomeja ka qenë aty, kur ata nuk kishin lindur dhe aty do të jetë, siç u lindën dhe rritën gjyshërit dhe prindërit, do të rriten dhe nipërit e tyre.
Banorët gjatë dimrit janë punëtorë emigrantë në vendin fqinj, por në festat tradicionale dhe në verë nga 400 banorë fshati bëhet mbi 2 mijë banorë që kthehen me ëndrrën që të marrë fund odiseja e korrupsionit dhe të mund të kthehen të investojnë në tokën e tyre.
Pyjorja: “Rivierës”, 6 milionë lekë gjobë
Pas inspektimit të zonës pyjore, që vesh gjirin e Kakomesë, inspektorët i kanë vendosur gjobën 6 milionë lekë firmës “Riviera” për shkatërrimin e pyllit në faqet anësore të gjirit, ku janë hapur rrugë lidhëse mes shesheve të ndërtimit dhe livadheve malorë.
Gjobitja e Pyjores është kryer nga inspektorët e zonës pa pranuar inspektorin e komunës, që e ka në administrim Gjirin.
Gjoba nuk është paguar ende nga kompania “Riviera”.
Flet kryetari i komunës, Vladimir Kumi: “Regjistrimi i pronave, në një paketë me ndihmën e OSBE”
Vladimir Kumi është kryetari i komunës Lukovë, i njohur për publikun, që kur ishte kryeplak i fshatit Nivicë, për korrektesën publike dhe qëndrimin e pakorruptueshëm nga aferat për t’u tërhequr nga rezistenca e banorëve të Nivicës
Pas dështimit të projektit për fshat turistik dhe personit të stimuluar, të cilët, sipas jush, e përdornin këtë status për të marrë tokë me qira me çmim qesharak nga shtetit për t’i përdorur si sipërfaqe ndërtimi... si e shikoni në përgjithësi problemin e zgjidhjes së pronave?
E shoh me optimizëm zgjidhjen në favor të pronarëve të vërtetë, sepse gjatë këtyre viteve janë krijuar edhe pronarë të rremë. “Fitorja e betejës” në Kakome është pjesë e këtij procesi, ku edhe pse është përdorur politika me të gjitha derivatet e saj, është
presionuar në vite me korrupsion dhe me ndërhyrje të dhunshme, ata kanë dështuar, dhe tani pushteti vendor duhet të marrë atributet e zgjidhjes së pronarëve të gjithëve njëherësh, si një paketë. Proces, për të cilin ne jemi në një rrugë shumë të mbarë dhe së afërmi në bashkëpunim me OSCE do të nisim procesin e regjistrimit të të gjitha pronave private apo publike qofshin ato në të gjithë bregdetin e Jugut.
Kjo përpjekje ligjore e banorëve dhe juaja, si një prej banorëve pretendues pronarë, ku ka mbetur?
Vazhdojnë proceset gjyqësore, si çështje penale, ku ne jemi të akuzuar, dhe çështja civile, ku ne kemi paditur padronin e firmës “Riviera” për heqjen e posedimit të pronës. Nga ana tjetër, në rrugë institucionale përgjigjja e dhënë nga “Club Med” tregon se mbetet anonim, kush e mbron firmën “Riviera”. Për mua janë ish-ministrat e deputetët e përfshirë në aferat korruptive, pasi që në 2005 politika ishte e interesuar për farsën e kësaj kompanie në Kakome. Por, sot, kush e mbron këtë firmë në Kakome, ndërsa rrugët institucionale tregojnë një pozicion të paligjshëm të firmës në Kakome?
Dhe unë vë gishtin edhe te Policia e Shtetit, një prezencë e madhe e policëve të sjellë nga Vlora çoi në shkeljen e ligjit, ku rol protagonisti luajti ish-drejtori i policisë së Vlorës, Vehbi Bushati. Dhe, nga ana tjetër, një pjesë dërrmuese e medieve, që grabitjen e plazhit publik dhe konfliktin shumëmujor e mbajtën në heshtje, e fshehën. Pra bosët e medieve dhe të politikës kanë bërë që në mënyrë të paligjshme të grabitet prona e të shkatërrohen dhjetëra hektarë pyje e ullishta.
Si ecën procesi gjyqësor për kthimin e Kakomesë banorëve?
Është një proces që ndiqet nga bashkësia e pronarëve, ku unë jam një prej përfaqësuesve në këtë proces. Por edhe në këto procese gjyqësore korrupsioni ka bërë të vetën. Në procesin në shkallë të parë ne kemi pasur gjyqtare Elona Stavrin, ndërkohë që bashkëshorti i saj ishte drejtor juridik i agjencisë së sigurimeve që ka padroni i “Rivierës”. Ne jemi edhe drejt KLD për ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave tona, ndërsa presim vendimin e gjykatës së lartë.
Berisha: Kakomeja është biznes i Fatos Nanos
“Tani, mesazhi im për Fatos Nanon është që ai ka bërë zgjedhjen e tij, pensionin në Sarandë. Pyeteni veten ju, pse ka zgjedhur Sarandën. Duhet të shkoni në Sarandë ta kuptoni. Absolutisht po, për ato motive që po investon në Kakome. Se Kakomeja është vetëm e tij. Mos mendoni ju se do ishte një shqiptar që do t’i vërsulej pronës tjetër veç kryeministrit, askush s’mund ta bënte. Ai e bëri, siç po ndodh me fshatarët e Kakomesë me gjithë dokumentet që provojnë pronësinë e tyre. Mirëpo ky tani nga Kakomeja mendon dhe i është hapur mendja për Ksamilin, ka bërë dhe disa projekte me disa grupe, që në fakt do merren vesh.”
* Marrë nga emisioni “Fahrenheit” i gazetarit Sokol Balla. Transmetuar në “Vizion Plus” në datën 19 qershor 2005. Gazeta “TemA” disponon të plotë DVD e emisionit për ata që kanë keqkuptime