E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi mbi Bazen, Shoqata Botërore e Gazetave: Liria e medies është përkeqësuar ndjeshëmNga TemaShoqata Botërore e Gazetave (World Association of Newspapers, WAN), një organizatë shumë e rëndësishme që lufton për lirinë e medieve, në përmbledhjen e sa

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sulmi mbi Bazen, Shoqata Botërore e Gazetave: Liria e medies është përkeqësuar ndjeshëmNga Tema

Shoqata Botërore e Gazetave (World Association of Newspapers, WAN), një organizatë shumë e rëndësishme që lufton për lirinë e medieve, në përmbledhjen e saj vjetore për gjendjen e medieve në çdo rajon të botës ka cituar Shqipërinë si një rast në përkeqësim në Evropë.

Duke analizuar rastet problematike në kontinentin e vjetër, WAN thekson në raportin e saj se probleme janë shfaqur në Shqipëri, Kosovë dhe në Itali. Të paktën për këtë vit, këtu janë shfaqur njollat për Evropën.

“Në Shqipëri, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë gjashtë muajve të fundit. Më 2 nëntor 2009, Mero Baze, drejtues i gazetës së pavarur shqiptare, “TemA” dhe i programit televiziv në prime-time, “Faktori Plus”, u dhunua nga katër truproja të biznesmenit Rezart Taçi. Baze ka publikuar së fundmi raporte duke akuzuar Taçin për evazion fiskal dhe ka kritikuar autoritetet se nuk kanë reaguar”, - thuhet në përmbledhjen e raportit për gjendjen e medies në Evropë.

Shqetësuese duket situata dhe në Kosovë. Raporti përmend rastin e kërcënimeve ndaj gazetares Jeta Xharra.

“Një valë kërcënimesh kundër Jeta Xharrës, drejtuese për Kosovën e Rrjetit të Raportimit Investigativ në Ballkan (BIRN), erdhën, pasi gazeta vendase “Infopress” e akuzoi atë si spiune serbe dhe e krahasoi punën e saj me propagandën fashiste. Kërcënimet erdhën pas transmetimit të një edicioni të programit javor “Jeta në Kosovë”, të Jeta Xharrës, në të cilin trajtohen çështje të ndjeshme si krimet e luftës, të drejtat e njeriut dhe liria e medies”, - shkruan WAN për sa i përket Kosovës.

Raporti i WAN përmend dhe Italinë si një rast shqetësues për lirinë e medies.

“Në Itali, e përditshmja “La Repubblica” u hodh në gjyq për shpifje nga kryeministri, Silvio Berlusconi, për shkak të botimit në mënyrë të vazhdueshme të dhjetë pyetjeve ndaj tij, ku kërkohej shpjegim për sjelljen dhe marrëdhëniet e tij jashtëmartesore, subjekt i disa skandaleve të njëpasnjëshme këtë vit. Dhjetëra gazeta e gazetarë tjerë u vunë nën sulmin e zotit Berlusconi dhe mbështetësve të tij. Në tetor rreth 150 mijë deri në 300 mijë qytetarë u mblodhën në rrugët e Romës për të protestuar ndaj akuzave që kishte ngritur kryeministri për gazetën “La Repubblica” dhe për të shprehur mbështetjen e tyre për lirinë e medieve”.

Shoqata Botërore e Gazetave mbledh informacione për gazetarët e vrarë, të sulmuar e të paditur padrejtësisht. Sipas saj, sivjet janë më së paku 88 gazetarë të vrarë gjer më tani. Qindra punonjës të medieve janë arrestuar këtë vit dhe të paktën 170 janë në burg edhe sot, shumica e të cilëve në gjyqe false ose pa akuza ndaj tyre.

E themeluar në vitin 1948, Shoqata Botërore e Gazetave grupon 78 shoqata kombëtare gazetash, drejtues gazetash në 122 vende, 10 agjenci lajmesh dhe 10 organizata rajonale të shtypit.

Ajo është një organizatë jofitimprurëse, joqeveritare. Në total, Shoqata prezanton më shumë se 18 mijë publikime në të pesë kontinentet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›