E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalaja - monument kulture nga “konflikti”

25/02/2009  Kalaja e Tiranës “konflikton” Bashkinë dhe MTKRS-në

Rehabilitimi i kalasë së Tiranës duket se ka nxitur debatin e radhës. Në mes është “pronësia” mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës.

Ndërsa MTKRS-ja ka bërë publike se kalaja e Tiranës do të jetë pjesë e projektit për rehabilitimin e zonave historike të Shqipërisë, Bashkia ka reaguar se pronësia u takon atyre dhe jo MTKRS-së. Nga ana e tij ministri Pango ka dalë në një konferencë, ku është shprehur se kalaja e Tiranës e kishte të nevojshme këtë “mbrojtje”. “Kalaja nuk e kishte këtë fond dhe se gjurmët e saj janë lënë ende në mëshirë të fatit, madje u rrezikuan të mbuloheshin me qëllim kthimin në rrugë nga Bashkia e Tiranës”, - tha ai. Sipas kësaj logjike, Pango shton se sapo mësoi për këtë mblodhi në mënyrë urgjente Këshillin Kombëtar të Restaurimit dhe zona e kalasë tanimë është shpallur monument kulture.

Shuma e vendosur sipas projektit “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe i integruar i trashëgimisë kulturore dhe historike të qyteteve të Shqipërisë” është një financim i Bashkimit Evropian dhe parashikon një investim me vlerë 10 milionë euro për disa ndërhyrje në rehabilitimin e zonave historike të qyteteve të Shqipërisë, si kalaja mesjetare e Tiranës, Krujës dhe Himarës.

Pango vërejti se u propozua që 1 milion euro të këtij fondi për kalatë e tjera t’i kalojë kalasë së Tiranës, “duke menduar se qyteti më i madh i Shqipërisë nuk ka gjurmë të lashtësisë ose prejardhjes së tij”. Ai shton se Komiteti Evropian vlerësoi dhe vendosi ta rrisë vlerën për këtë projekt në 2.8 milionë euro, duke menduar se vlera e mëparshme ishte e pamjaftueshme. “Në qoftë se në ditët në vazhdim do të mundësohen fonde më të fuqishme për kalanë mesjetare, pa dyshim nuk do hedhim poshtë projektin, por do të kërkojmë më tepër zgjerimin e tij. Kjo ishte një gjetje për kalanë e Tiranës, pasi gjurmët e saj janë gjurmët e një monumenti që përfaqëson qytetërimin e këtij kryeqyteti”, - përfundoi Pango.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›