E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi per anetar te BE brenda pak javesh

25/02/2009  

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha garanton zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme

“S’ka zvarritje në procesin e aplikimit në BE”

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka rikonfirmuar dje vendosmërinë e qeverisë që zgjedhjet e qershorit të jenë konform standardeve ndërkombëtare. Në një intervistë dhënë për BBC-në para takimit me trojkën e BE-së, ministri Basha është shprehur se nuk ka asnjë zvarritje në procesin e aplikimit të Shqipërisë për vendin kandidat në BE. “Çdo interpretim i tillë është jo objektiv. Shqipëria ka ecur me ritmin e saj, e ndërgjegjshme për nevojën e zbatimit të reformave. Veçanërisht tre apo katër vjet më parë, me të vërtetë progresraportet për Shqipërinë nuk ishin me nota pozitive”, - tha Basha. Ai u shpreh se është shënuar një zhvillim i reformave të guximshme dhe është bërë një përparim i qartë, i shpejtë dhe i qëndrueshëm. “Bazuar mbi këto arritje dhe mbi njohjen e këtyre arritjeve nga Bashkimi Evropian, ne jemi sot në prag të hedhjes së hapit tjetër. Pra, çdo pretendim se ne po e zvarritim apo kemi ndër mend ta vonojmë këtë hap, është i pavërtetë”, - theksoi Basha.

- Ka pasur spekulime të ndryshme, ndaj po ju pyes, zoti Basha, a është këshilluar pala shqiptare që kërkesën ta bëjë përpara ose pas zgjedhjeve të qershorit?

- Pa dyshim që zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë një rëndësi të veçantë edhe në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. Hapat që ka ndërmarrë maxhoranca, qeveria shqiptare, por dhe hapat e ndërmarrë nga gjithë klasa politike shqiptare, siç ishte reforma elektorale, janë shenja shumë të mira se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mund të zhvillohen nën kushtet e normalitetit të plotë, të garantojnë kështu lirinë dhe drejtësinë e tyre.

- - Zoti Basha, me gjithë zotimet e qeverisë suaj se zgjedhjet ardhshme do të jenë të lira e të ndershme, konform standardeve ndërkombëtare, opozita e majtë në Tiranë ka shprehur shqetësimin e saj për pamjaftueshmërinë e përpjekjeve të qeverisë për mbarëvajtjen e tyre. Çfarë mund të thoni?

- Retorika paraelektorale, konkrete apo abstrakte, është pjesë e zgjedhjeve jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në Ballkan, por kudo në botë. Megjithatë, duket qartë se përpjekjet e maxhorancës, të qeverisë shqiptare për të bërë të mundur që aspektet kryesore që kanë çaluar në zgjedhjet e kaluara, siç është regjistri i votuesve apo pajisja e tyre me dokumente përkatëse të identifikimit, qofshin këto pasaporta apo letërnjoftimet elektronike të sapoprodhuara me një cilësi superiore evropiane, kanë ecur dhe do të vazhdojnë të ecin përpara. Dhe të paktën nga ky aspekt mendoj se zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në kushtet e një infrastrukture dhe të standardeve evropiane.

- Prisni që në takimin me treshen evropiane të hapet edhe çështja e ligjit të debatueshëm për pastërtinë e figurave?

- Kjo është një çështje që është diskutuar mjaft. Siç dihet, tashmë ka pasur zhvillime. Ne e dimë qëndrimin e Komisionit Evropian, e dimë edhe qëndrimin e një numri të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ashtu siç dihet edhe qëndrimi ynë, i cili u vërtetua katërçipërisht edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria shqiptare mbetet e vendosur të respektojë plotësisht shtetin ligjor dhe rendin kushtetues. Në fakt, është një mbrojtëse e vendosur e kësaj, por në të njëjtën kohë ne kemi bërë të ditur se ky ligj është i domosdoshëm dhe procesi për ecjen përpara në këtë drejtim nuk mund të ndalet.

Socialdemokratët

Dosjet, KE-ja i dha shuplakë qeverisë

“Komisioni Europian, duke përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zbatimin e ligjit për pastërtinë e figurës i dha dje qeverisë shqiptare një shuplakë të fortë”, - u shpreh dje në një konferencë për shtyp sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare në PSD Teodor Osoja. Ai tha se edhe një herë tjetër BE-ja paralajmëron për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke shprehur qëndrimin se zhvillimi i tyre sipas standardeve demokratike perëndimore përbën një kusht kryesor për ecurinë e mëtejshme të anëtarësimit tonë në BE. “Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA-ve, duke shprehur besimin për anëtarësimin e afërt në NATO, tërheq vëmendjen për domosdoshmërinë e vijimit të reformave. Këto mesazhe e bëjnë më se të qartë shqetësimin e ndërkombëtarëve lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe përgatitjen e tyre nga qeveria”, - tha Osoja. Ai theksoi se PSD-ja shpreh edhe një herë shqetësimin e saj se Sali Berisha, i ndërgjegjshëm për pamundësinë e fitores së zgjedhjeve parlamentare në prag, po përgatit skenarët e radhës të manipulimit të rezultateve.

Përfaqësuesit e vendeve të Kartës së Adriatikut nënshkruajnë deklaratën e përbashkët

Ligje të përbashkëta kundër krimit

“Do të realizojmë sa më shpejt reformat e nevojshme për integrim në NATO”

Përfaqësuesit e 5 vendeve të Kartës së Adriatikut, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, nënshkruan dje një deklaratë përfundimtare, në të cilën shprehet vullneti për të zhvilluar dhe konsoliduar vlerat euroatlantike. Në përfundim të punimeve të konferencës "Integrimi euroatlantik dhe sfidat e sigurisë për vendet e Ballkanit Perëndimor", 5 vendet e Kartës së Adriatikut angazhohen gjithashtu të zbatojnë reformat ushtarake, të përmirësojnë bashkëpunimin ndërkufitar, koordinojnë përpjekjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, trafikut të armëve, të lëndëve narkotike, qenieve njerëzore, tregtisë së paligjshme dhe formave të tjera të krimit ndërshtetëror, duke miratuar ligjet e nevojshme. Palët angazhohen të realizojnë reformat e kërkuara nga NATO-ja edhe pas anëtarësimit në këtë aleancë, kërkesë e cila iu përcoll përfaqësuesve të parlamenteve të 5 vendeve nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Xhon L. Uidhers, i cili garantoi anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë në samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në prill. Përmes deklaratës palët angazhohen që të mbështesin fort politikën euroatlantike të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut dhe të ndikojnë në parlamentet dhe qeveritë përkatëse që të realizojmë sa më shpejt reformat e nevojshme për integrim në NATO. Gjithashtu në deklaratë shprehet vlerësimi dhe kënaqësia që Kartës së Adriatikut krahas Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë i janë shtuar edhe dy vende të tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat aspirojnë anëtarësimin në NATO. Në ditën e parë të punimeve të konferencës ambasadori i SHBA-ve, Xhon L. Uidhers, e ka cilësuar Kartën e Adriatikut si një model të shkëlqyer të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit. “Shtetet e Bashkuara ndihen krenare që kanë qenë partnere e kësaj karte. Ne dëshirojmë të përgëzojmë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë për arritjet e kryera. Anëtarësimi në NATO do të hapë një faqe të re për Ballkanin", - tha Uidhers. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha, pasi ka vlerësuar aderimin në Kartën e Adriatikut të Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, ka theksuar se “Adriatiku-3” është bërë një faktor shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit të gjithanshëm midis vendeve dhe kombeve të rajonit.

Takim mes ministrit Lulzim Basha dhe trojkës së BE-së për ecurinë e zhvillimeve në Shqipëri

Liberalizimi i vizave kalon përmes pasaportave biometrike

Ergys GJENÇAJ

Trojka e Bashkimit Europian nënvizon rëndësinë e reformave në Shqipëri, të cilat do të mundësojnë afrimin e vendit drejt anëtarësimit. Pas takimit të ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha me trojkën, është theksuar vëmendja që BE-ja u kushton zhvillimeve më të fundit dhe reformave që duhen kryer në vijim nga Tirana zyrtare. Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë Karel Schwarzenberg, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, ka deklaruar se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, që dëshirojnë të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, varet në mënyrë të veçantë nga pajisja e qytetarëve shqiptarë me pasaportat e reja biometrike. Për të i rëndësishëm është zbatimi konkret i kësaj procedure. “Ne kemi theksuar nevojën e prezantimit të pasaportave biometrike. Për këtë çështje duhet vëmendje në vazhdim si nga ana politike, ashtu dhe nga ajo administrative”, - ka deklaruar ai. Sipas tij, në këtë takim janë diskutuar një sërë çështjesh të ndjeshme, si: ndryshimet në Kushtetutë, ligji i lustracionit, përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, duke përfshirë edhe reformën e Kodit Elektoral dhe krijimin e regjistrit civil. Trojka ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimit mes spektrit politik në Shqipëri, veçanërisht për hartimin e legjislacionit dhe ndërtimin e kapaciteteve administrative. “Ne përsëritëm domosdoshmërinë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e pavarësisë dhe burimeve të mjaftueshme për sistemim gjyqësor dhe nevojën për të garantuar hetime të shpejta dhe gjyqësor efektiv”, - ka deklaruar Schwarzenberg. Ministri çek ka konfirmuar perspektivën evropiane të vendit tonë. Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Lulzim Basha është ndalur në hapat drejt paraqitjes së kërkesës së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai është shprehur i kënaqur për mbështetjen e plotë si nga presidenca aktuale e BE-së, nga ajo e ardhshme dhe nga Komisioni Europian. Ministri Basha është deklaruar se Shqipëria i qëndron vullnetit dhe pozicionit të saj të qartë për prezantimin e kësaj kërkese, por aktualisht po merren në konsideratë situatat në BE. “Sigurisht, ne nuk jemi indiferentë për rrethanat ekzistuese në BE, si për situatën e brendshme në të, për situatën ekonomike dhe disa rrethana të tjera, që kanë sjellë hezitime në BE. Megjithatë, detyra ime sot këtu është të informojë homologët për hapat që Shqipëria ka bërë përpara”, - ka deklaruar ministri Basha në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij çek. Ai ka vlerësuar si shumë domethënëse finalizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga 27 vendet anëtare të Bashkimit, zbatimin solid të Marrëveshjes së Ndërmjetme, stabilitetin ekonomik dhe reformat konsensuale që janë kryer në Shqipëri. “Bazuar në këto të dhëna, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me Pragën, me presidencën çeke për të ndërmarrë hapin tjetër”, - deklaroi ministri Basha. Në njoftimit e zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se gjatë takimit të djeshëm trojka ka përshëndetur progresin e dukshëm me reformat në Shqipëri, si dhe shprehu mbështetjen për integrimin e mëtejshëm të vendit dhe për liberalizmin e vizave për shtetasit shqiptarë. Ky është takimi i fundit në këtë kuadër, pasi me hyrjen së shpejti në fuqi të MSA-së mes vendit tonë me BE-në dialogu Shqipëri-BE do të strukturohet në forma më të ngushta bashkëpunimi.

Monitoruesit e ODIHR-it do të vizitojnë Shqipërinë në mes të marsit

Bosch: Qeveria gati për zgjedhjet

“Pronat, zgjidhja nga institucionet ndërkombëtare”

Monitoruesit e parë ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të mbërrijnë në Shqipëri në mes të muajit mars. Monitoruesit e ODIHR-it në vizitën e parë në vendin tonë tre muaj para zgjedhjeve do të bëjnë një vlerësim të nevojave në kuadër të përgatitjes së procesit zgjedhor. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Bosch në një prononcim për mediet tha se qeveria shqiptare është gati për zgjedhjet parlamentare. “Qeveria shqiptare është gati për zgjedhjet e qershorit. Ju e dini që OSBE-ja dhe ODIHR-i do të vëzhgojnë zgjedhjet. Në datën 15 ose 16 mars do të vijnë vëzhguesit e parë për të vlerësuar nevojat e qeverisë për monitorimin e zgjedhjeve”, - tha ambasadori Bosch. Sipas tij, monitoruesit e ODIHR-it në këtë vizitë do të kenë si synim vëzhgimin nga afër të përgatitjeve për zgjedhjet, ecurinë e reformës, zbatimin e Kodit Zgjedhor, si dhe situatës politike në vend. Në deklaratën e tij për mediet kreu i misionit të OSBE-së në Shqipëri vlerësoi gatishmërinë e qeverisë për të pritur monitoruesit ndërkombëtarë. Ambasadori Bosch e vlerësoi pozitiv faktin që qeveria shqiptare ka përsëritur vazhdimisht se duhet të ketë sa më shumë vëzhgues që të jetë e mundur në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, i pyetur për çështjen e pronave, e cila është në proces gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, ambasadori Bosch tha se problemi i pronave duhet të zgjidhet nga institucionet ndërkombëtare. Deklaratat e kreut të misionit të OSBE-së në Shqipëri vijnë në një kohë kur Partia Socialiste prej disa ditësh ka paralajmëruar mundësinë e dështimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por Ministria e Brendshme ka dhënë garanci se listat zgjedhore do të jenë më të mirat që ka pasur Shqipëria gjatë të gjitha proceseve të mëparshme zgjedhore.

arel Schwarzenberg

“Diskutuam për zhvillimet në Shqipëri, ndryshimet në Kushtetutë, ligin e lustracionit, përgatitjet për zgjedhjet. Theksuam rëndësinë e bashkëpunimit mes spektrit politik, veçanërisht për hartimin e legjislacionit dhe ndërtimin e kapaciteteve administrative. Ne përsëritëm domosdoshmërinë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e pavarësisë dhe burimeve të mjaftueshme për sistemim gjyqësor.”

Lulzim Basha

“Sigurisht, ne nuk jemi indiferentë për rrethanat ekzistuese në BE, si për situatën e brendshme në BE, për situatën ekonomike dhe disa rrethana të tjera, që kanë sjellë hezitime në BE. Megjithatë, detyra ime është të informojë homologët për hapat që Shqipëria ka bërë përpara. Më domethënëse është finalizimi i MSA-së nga 27 vendet, zbatimi solid i Marrëveshjes së Ndërmjetme, stabiliteti ekonomik dhe reformat konsensuale.”

Zgjerimi i BE-së

Komisioneri i BE-së Oli Rehn ka thënë pak ditë më parë se kriza ekonomike do të frenojë zgjerimin e Bashkimit Europian. “Duke parë drejt së ardhmes, rënia ekonomike duhet të imponojë mundësi për forcimin dhe thellimin reformave thelbësore për të promovuar vijimësinë e integrimit, t’i garantojë Bashkimit Evropian një rol lidershipi mbi rritjen ekonomike botërore dhe të presë vende të tjera në të ardhmen”, - ka thënë ai pak ditë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›