E Shtunë, 31 Tetor 2026

RRethet shkurte

25/02/2009  Përfundoi misioni i marinës ushtarake

Italianët largohen prej ishullit të Sazanit

VLORE- Mëngjesin e djeshëm në ishullin e Sazanit është zhvilluar ceremonia e largimit të marinës ushtarake italiane si përfundim i këtij misioni. Rreth orës 9:30 është ulur flamuri italian nga shtiza, e cila në mënyrë simbolike tregon përfundimin e misionit nga ana e batalionit 28 “San Marko”. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë drejtues të marinës italiane në Shqipëri, drejtues të marinës shqiptare, konsulli Sergio Strozzi, “Guardia di Finanza” si dhe shefi i distriktit detar Kristaq Gerveni. Në fjalën e rastit gjenerali italian Aldo Piçotti, i cili është shef i Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri, është shprehur me nota pozitive ndaj ecjes së Shqipërisë përpara, duke nisur që nga trafiku i qenieve njerëzore dhe pastaj me radhë. Sipas tij, tashmë Shqipëria ka një tjetër imazh: atë të një vendi që u bashkohet forcave të NATO-s. Konsulli Sergio Strozzi është ndalur në bashkëpunimin mes dy popujve, atij shqiptar dhe atij italian, në shumë fusha të ndryshme, ku një nga më të rëndësishmet është dhe ajo e sigurisë.

Dh. Spiro

Prokuroria, 88 përgjime telefoni

Analiza, mungesa të

mëdha të gjyqtarëve

VLORE- Ndryshe nga viti i kaluar Vlora mund të quhet dhe nga qytetet më të qeta për sa i përket gjyqësorit. Kjo është lënë të nënkuptohet prej nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në analizën 1-vjeçare të zhvilluar ditën e martë në qytetin e Vlorës, ku janë bërë bilancet e vitit që shkoi. Ndryshe nga viti i kaluar ku tonet e ashpra kanë mbizotëruar në mbledhjen e këtij viti, Spahiu ka folur me tone pozitive në drejtim të gjykatës së Vlorës. Shqetësimi kryesor që është përmendur prej numrit 2 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka qenë mungesa e gjyqtarëve, e cila ka shkaktuar vonesa në gjykimet e çështjeve. Për sa u përket shqetësimeve të ngritura nga gjyqtarët, ato kanë qenë kryesisht në lidhje me proceset gjyqësore si dhe kushte që duhet shtuar për të përmirësuar procesin e gjykimit ndaj të pandehurve. Prokurori i rrethit, Sokol Malaj, është shprehur se numri i përgjimeve telefonike të kryera kanë qenë 88, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në çështjet për të cilat janë kryer.

Dh. Spiro

Familjarët: Vuante nga depresioni

Gjendet e mbytur 72-vjeçarja

SHKODER- Një shtetase e moshuar është gjetur dje e mbytur në ujërat e ftohta të lumit Drin, në hyrje të qytetit të Shkodrës. Kanë qenë disa peshkatarë amatorë, të cilët rreth orës 09:30 të mëngjesit të djeshëm, teksa po peshkonin tek Ura e Bahçallëkut. Sipas konstatimeve të këtij grupi, në trupin e së moshuarës nuk kishte shenja dhune ndaj nuk dyshohej se dikush i kishte marrë jetën më parë dhe pastaj e kishte hedhur në ujë. Pas këtij konstatimi trupi i pajetë i së moshuarës u dërgua në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës. Informacionet e marra nga ana e policisë kanë nxjerrë se shtetasja e moshuar ishte 72-vjeçarja Servete Jegeni, banuese në lagjen “Naim Gjylbegu”, të qytetit të Shkodrës. Më pas trupi i së moshuarës u identifikua dhe nga familjarët e saj,të cilët dhe u morën në pyetje. Sipas policisë, familjarët e marrë në pyetje kanë deklaruar se e moshuara vuante nga depresioni. Policia kreu veprimet e duhura procedurale dhe materialet e mbledhura për këtë mbytje iu kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›