Kalaja e Ali Pashës, projekti që e shpëton nga rrënimi
Kalaja e gurtë e Tepelenës, e njohur si një ndër ndërtimet më tipike të periudhës së Ali Pashë Tepelenës, është rikthyer në vëmendjen e projekteve restauruese të Ministrisë së Kulturës. Pas një mungese disavjeçare të restauratorëve në këtë objekt “Monument Kulture” me vlera të rralla historike dhe arkitektonike, specialistët e monumenteve të kulturës kanë publikuar nisjen së shpejti të një projekti të veçantë në këtë drejtim. Sipas drejtorit Rajonal të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Spartak Drasa, kalaja e Tepelenës së bashku me Kishën e Labovës së Kryqit, janë ndër dy objektet e trashëgimisë kulturore të cilat do të përfitojnë shumat financiare më të mëdha për zbatimin e punimeve restauruese gjatë këtij viti. “Në total është parashikuar që për 15 objekte “Monument kulture” në rajonin e Gjirokastrës, Instituti i Monumenteve të Kulturës së bashku me pushtetin lokal të investojnë në total një vlerë që kap shifrën e 85 milionë lekëve.”, thotë drejtori i Monumenteve në Gjirokastër. Prioritet në këtë drejtim do të ketë kthimi në identitet i kështjellës së ndërtuar nga Ali Pasha në Tepelenë dhe restaurimi i kishës së Labovës së Kryqit. Me kalimin e viteve kullat dhe muret e gurta të kalasë së Tepelenës janë rrënuar, ndërkohë që pjesa e brendshme e saj kërcënohet nga ndërtimet e ndryshme prej betoni.
Historia e ndërtimit të Kalasë së Tepelenës lidhet me periudhën e shkëlqimit të Pashallëkut të Janinës. Tepelena, vendlindja e Ali Pashës, ishte një nga selitë më të preferuara të tij. Madje, kjo kështjellë përmendet edhe nga poeti anglez Bajron në poemën e tij të famshme “Çajld Harold”, ku mes të tjerash përshkruan edhe takimin e tij me Ali Pashën. Në librin e tij “5 000 vjet fortifikime” studiuesi Gjerark Karaiskaj pohon se “ndërtimin e kalasë Aliu e filloi kur po hynte në konflikt të hapur me Portën e Lartë”. Një mbishkrim në gjuhën greke, që është murosur mbi hyrjen lindore, e daton këtë ndërtim më 1819. Muret e kalasë ndjekin formën natyrore të terrenit. Ajo nuk ka formë të rregullt gjeometrike. Përveç tri kullave poligonale, që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve për të kontrolluar më mirë këto të fundit, janë përdorur shpesh herë edhe dalje me kënd të drejtë të kurtinave që shohin në drejtime kryesore të lëvizjes së mundshme të sulmuesve, të cilat zëvendësojnë në këto raste kullat e ndërmjetme. Terreni mbi të cilin është ndërtuar kalaja paraqet pengesa të fuqishme natyrore, në rast të tentativave të pushtimit të kështjellës. Kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave (lindorja) mban mbishkrimin “Porta e vezirit”. Kalaja e Tepelenës është një nga ndërtimet e fundit mbrojtëse të Ali Pashës, sepse shumë shpejt filloi lufta midis ushtrive turke dhe Aliut, kështu që shumë pjesë që u përkisnin ndërtimeve të brendshme të kalasë, mbetën të papërfunduara.