Korça sot ‘zien’ nga futbolli, në mes është titulli
Meriton të cilësohet ndeshja e vitit sepse e tillë do të jetë. Edhe pse dy skuadrat do të ndeshen të paktën dhe një herë deri në përfundim të kampionatit, caku ku kanë arritur, e bën këtë ndeshje vërtet interesante. Pikët në mes janë 7. Flamurtari e sheh Skënderbeun nga lart-poshtë, ndërsa këta të fundit duan të afrohen sa më shumë për të mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion. Ndërkohë, në Korçë gjithçka po bëhet gati…
Skënderbeu ka bërë të pamenduarën vetëm pak orë para sfidës. Ikën Shkëlqim Muça dhe vjen Shpëtim Duro. Presidenti Zeqo ka vendosur të rrezikojë gjithçka duke parë mungesën e vazhdimësisë së skuadrës, çka është reflektuar dhe në hendekun mes dy ekipeve. Por si do të vijnë korçarët në këtë përballje. Shpëtim Duro nuk do të jetë në dispozicion Sokol Cikalleshin dhe kroatin Joliç, çka e vë trajnerin kryeqytetas në hall përsa i përket sulmit, diçka që e konfirmon edhe ai vetë. “Një ekip duhet të ketë dy sulmues të mirë. Skënderbeu nuk i ka. Flamurtari ka Xhafajn, ndërsa ne duhet të modifikojmë skemën. Soza mund të spostohet në krah, por gjithsesi do t’i marrim me qetësi të gjitha alternativat.” Duro e di mjaft mirë se në rast humbjeje askush nuk do t’i kërkojë llogari, por ajo që do ai, është të fitojë për besimin që i është dhënë. “E gjithë Korça kërkon që ne të fitojmë thellë për t’u hakmarrë për humbjen 4-0 në Vlorë, por sinqerisht më mjafton dhe një gol i vetëm, boll që të rihapim kampionatin,” ka deklaruar trajneri Duro, që sot do të zhvillojë ndeshjen e tij të parë në krye të Skënderbeut. Nga ana tjetër, Magani është më i qetë. “Eshtë pa dyshim një ndeshje shumë e rëndësishme, por ashtu si edhe kundërshtari shpall objektivat e veta, po ashtu edhe ne kemi synimet tona për këtë ndeshje të radhës në transfertë. Nëse na duhet të tregojmë ndonjë ojektiv, synojmë dhe shkojmë drejt Korçës me dy rezultate, për fitore dhe për barazim, ndërkohë që për kundërshtarin është krejt e kundërta. Jemi shtatë pikë larg korçarëve dhe natyrisht fitorja, ose në rastin më të keq barazimi, do të bënte që të ishim më të qetë për pjesën e mbetur të sezonit futbollistik,” thotë trajneri peqinas i kuqezinjve, që sidoqoftë do të kërkojë fitoren.