Kalaja e Gjirokastrës, vizitorë dhe jashtë sezonit – Historia dhe arkitektura janë “magneti” që po tërheq turistët

Jemi në mesin e nëntorit dhe vizitueshmëria në kalanë e Argjiros vazhdon të jetë e lartë edhe në këtë periudhë. Mes vizitorëve dominojnë turistët gjermanë, grek dhe spanjoll.
“Është një vend fantastik me një histori të kësaj kalaje shumë interesante”, u shpreh një turiste.
“Vijmë nga Gjermania dhe është hera e parë që vizitojmë Gjirokastrën dhe kjo kështjellë është unikë në llojin e saj që nga historia dhe nga arkitektura”, tha një tjetër turist.
Sipas kreut të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Ardis Duka interesimi për kalanë ka qenë i qëndrueshëm përgjatë gjithë sezonit, ndërsa edhe tani, fluksi mbetet i kënaqshëm.
“Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të ketë një numër të lartë vizitorësh për periudhën që ne jemi”, theksoi Duka.
Kalaja e Argjiros vazhdon të jetë një nga pikat më të vizituara të jugut, duke tërhequr turistë të huaj edhe në periudhën e vjeshtës së vonë.
/rtsh.al/