Kalaja e Grezhdanit, nis plani i shpëtimit
Kalaja e Grezhdanit, në Dibër, një nga më të mëdhatë në vendin tonë, madje dhe në Ballkan, prej dy muajsh është bërë objekt i gërmimit për zbulimin e saj arkitekturor dhe kulturor, falë një granti prej 40 mijë dollarësh të Ambasadës Amerikane, në Tiranë. Kjo kala që përfaqëson një ndërtim të shekullit të katërt, shtrihet në një sipërfaqe prej 34 mijë metrash katrorë, rrethohet nga një mur 3500 m dhe ka tri porta e 44 kulla të tipeve të ndryshme. Në fazën e parë po gërmohet për zbulimin e hyrjes lindore të kalasë me një sipërfaqe prej 1200 metrash katrorë. Ky projekt, i nisur së fundmi nga Ministria e Kulturës, është një shpresë e mirë për Kalanë e Grezhdanit, aq më shumë kur me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, ajo do të jetë lehtësisht e arritshme për turistët.