Kalatë dhe muzetë, “karemi” i sezonit për turistët
Petrika GROSI
Sa i takon sezonit veror, mund të thuhet se veç plazheve dhe mjediseve të tjera të vizitueshme natyrore të vendit tonë një ndër karemat për turistët e shumtë vendas e të huaj kanë qenë qendrat historike, muzetë dhe kalatë e qyteteve shqiptare. Ndër muzetë padyshim që shifrat më të lartë vazhdon t’i rruajë Muzeu Historik i Krujës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili numëron mesatarisht 100 mijë turistë në vit, nga 30 vende të ndryshme të botës. Ky muze është përuruar më 1 nëntor 1982 në të hyrë të kështjellës së Krujës. Vendet prej nga “zbarkojnë” turistët janë ndër më të ndryshmet duke nisur që nga Kosova e Maqedonia, deri në Poloni, Çeki e Sllovaki, Rusi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusi, etj. Turistët kërkojnë të dinë më shumë mbi historinë e princit të famshëm shqiptar, por edhe “Princit të Krishtërimit”, siç është quajtur Skënderbeu nga Papa Piu II. Një target-grup tepër i interesuar për historinë e kalasë, Krujës dhe Skënderbeut është ai i shqiptarëve të Kosovës, të cilët nuk rreshtin së fotografuari dhe së pyeturi ciceronet.
Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë
Edhe Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka pasur një ngritje të theksuar të vizitorëve gjatë këtij sezoni. Madje punonjësit shprehen se ai ka qenë i hapur edhe ditën e hënë, kur duhet të qe pushim, pasi ka pasur kërkesa të shumta nga grupe të ndryshme turistësh. Deri tani ky muze, që padyshim është ndër më të rëndësishmit për nga vlerat që përmban në arkivat dhe fondet e tij është vizituar nga rreth 35 mijë turistë. Mesa duket, turistët që kanë ardhur për të pushuar në bregdet janë ndalur edhe në Muzeun Kombëtar të Tiranës. Pas hapjes dhe konfigurimit të disa pavioneve të reja si Lufta II Botërore, etj, apo shtimi i Etnografisë, MHK tërheq vëmendjen më shumë se më parë duke ndikuar edhe në një rritje të numrit të vizitorëve. Turistët europianë janë ata që shfaqin më shumë interes për këtë muze. Ata shoqërohen nga lektorët e MHK-së, të cilët flasin në gjuhët kryesore të huaja siç janë anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe italishtja.
Muzetë e Vlorës
Edhe në qytetin bregdetar të Vlorës numri i vizitorëve nëpër muze është rritur gjatë sezonit veror. Kjo rritje mendohet të jetë 15 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu i Relikteve Historike dhe Muzeu i Etnografisë shënojnë një numër vizitorësh të barabartë me rreth 40 të tillë çdo ditë. Këto muaj numrin dërrmues të këtyre vizitorëve e kanë zënë shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, si dhe maqedonasit, të cilët për shkak të konfliktit për emrin e shtetit me Greqinë kanë ardhur në numër tepër të madh për të pushuar këtë sezon në bregdetin shqiptar.
Ndërsa, vetëm gjatë muajve korrik-gusht Muzeun e Pavarësisë e vizituar 600 vizitorë, ndërsa Muzeu Etnografik dhe ai Historik kanë pasur rreth 30 të tillë në ditë.
Kalaja dhe muzeu në Gjirokastër
Teksa ka arritur një shifër vizitorësh tri herë më të lartë se vitin e kaluar, edhe Kalaja e Gjirokastrës nuk mund të anashkalohet si vend tepër i vizituar. Numri i turistëve deri tani ka shkuar rreth 18 mijë, gjë për të cilën kryebashkiaku Flamur Bime ka thënë se do të kërkojë të investigohet në inventaret e Kalasë për mashtrime me biletat në të kaluarën, pasi një ngritje e tillë, kaq galopante, duket e pazakontë për të.
Megjithatë, kalaja e Gjirokastrës meriton shumë më tepër turistë për vet vlerat historike dhe kulturore që ajo mbart bashkë me muzetë brenda saj. Problemet më të prekshme për turistët deri tani mbeten mungesat e tabelave disagjuhëshe si dhe orari i pasaktë, ose në më të mirën e rasteve i cunguar, i qarkullimit të mikrobuzëve nga qendra e qytetit drejt zonës historike. Kalaja kohët e fundit administrohet nga Bashkia e qytetit dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare. Bileta e hyrjes në të kushton 200 lekë por një tjetër biletë duhet paguar sërish për të parë muzeun e armëve
8 Shtator 2008