E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cërvenkovski: “Demarkacioni dhe emri, kusht për njohjen e Kosovës”



Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, ka vlerësuar se njohja e pavarësisë së Kosovës varet nga njohja e emrit kushtetues të Maqedonisë dhe shënimi i kufirit midis dy vendeve.
“Përdorimi i emrit kushtetues të Maqedonisë nga Qeveria e Prishtinës dhe shënimi i kufirit janë dy çështje të rëndësishme që do të ndikojnë gjatë formimit të qëndrimit për njohjen e Kosovës”,- ka thënë Cërvenkovski. Pyetjes konkrete nëse procesi i nisur i përcaktimit të kufirit do ta përshpejtojë njohjen e Kosovës, ai nuk ka dhënë përgjigje konkrete. “Ne duhet të shohim edhe nga aspekti i momentit kohor dhe nga aspekti i interesave tona se kur duhet të përcaktohet ky qëndrim”,- ka deklaruar Cërvenkovski. Njohja e Kosovës nga vendet fqinje, përkatësisht Maqedonia e Mali i Zi, mbetet një prej çështjeve që konsiderohet se është në interes të Kosovës, por aktualisht në Prishtinë nuk ka sinjale të reja nga këto dy vende. Zëdhënësja e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës po i vazhdon kontaktet me qeveritë maqedonase dhe atë të Malit të Zi, që vendimi për njohjen e Kosovës të merret sa më shpejt. “Ne vazhdojmë të qëndrojmë në të njëjtat pozita sa i përket kësaj çështjeje, vazhdojmë të kemi të njëjtat sinjale se fqinjët, veçmas Maqedonia dhe Mali i Zi, do ta njohin Kosovën dhe nuk kanë dilema sa i përket këtij procesi. Por, ende definitivisht, ne nuk mund të flasim apo spekulojmë për një datë të saktë”,- tha Beqiri. Ndërkaq, zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Xhavit Beqiri ka thënë se vendet fqinje edhe zyrtarisht kanë dërguar sinjale për njohjen e Kosovës, pavarësisht se ato ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Ai tha se njohjet reciproke dhe raportet e mira ndërfqinjësore janë jo vetëm në interesin e Kosovës, por edhe të vendeve tjera të rajonit. “Sinjalet kanë ekzistuar edhe më parë, madje ato kanë ardhur edhe nga qarqe zyrtare të këtyre dy vendeve fqinje, dhe ne besojmë që njohja do të ndodhë së shpejti, sepse ajo do të kontribuonte drejtpërdrejt në stabilitetin e rajonit dhe do të lehtësonte thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë në të gjitha fushat mes Kosovës dhe këtyre dy vendeve”,- tha Beqiri.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›