PS-ja propozon komision parlamentar kundër spiunëve
Shaban Sulçe
Partia Socialiste propozon ngritjen e një komisioni parlamentar ad-hoc, për hartimin e një ligji që do të spastronte politikën dhe administratën shqiptare nga spiunët dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit. Selia rozë ka sqaruar se pjesëmarrja e të gjitha grupeve parlamentare si dhe asistenca ligjore e Këshillit të Europës dhe e OSBE-së në këtë komision do të ndikojnë për hartimin e një ligji të standardeve europiane për pastërtinë e figurës së zyrtarëve. Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, duke bërë publik dje propozimin e selisë rozë, tha se Partia Socialiste është e gatshme që të kontribuojë me vendosmëri për ta ndarë njëherë e mirë politikën shqiptare nga e shkuara e hershme dhe e vonë. “Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste deklaroj se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha palët në Kuvend për të hartuar pa humbur kohë projektligjin ‘Për pastërtinë e figurës të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve’. Kemi qenë, jemi e do të mbetemi të interesuar për ta ndarë politikën shqiptare nga e shkuara e hershme dhe e vonë edhe në këtë aspekt, jo me llafe e demagogji, po me një nisëm ligjore të mbështetur në parimet kushtetuese të Republikës sonë dhe në parimet e shpallura të Këshillit të Europës në këtë fushë të sintetizuara këto qartësisht në Rezolutën Nr. 1481, datë 25 janar 2006 si dhe në vetë Rezolutën e 30 tetorit 2006 të Kuvendit të Shqipërisë”, - u shpreh Xhafaj
Projektligji
Sekretari për Çështjet Ligjore në selinë rozë, tha se për Partinë Socialiste projektligji për pastërtinë e figurave duhet të ruajë frymën e rezolutës së Kuvendit dhe parimet e rezolutës së KE-së në lidhje me këtë çështje. “Ne vlerësojmë se ky projektligj duhet të ruajë frymën e rezolutës së Kuvendit dhe të respektojë parimet e rezolutës së KE”-së, - tha Xhafaj. Ai tha se Partia Socialiste vlerëson angazhimin e institucioneve ndërkombëtare si Këshilli e Europës dhe OSBE-ja, për të kontribuar në hartimin e projektligjit në fjalë. “Ne mirëpresim dhe e vlerësojmë pozitivisht shprehjen e angazhimit të këtyre institucioneve ndërkombëtare shumë të respektuara për të ofruar ekspertizën e tyre ligjore në këtë proces”, - vijoi deputeti socialist. Ai theksoi se miratimi i ligjit nëpërmjet këtij procesi konsensual, transparent e ligjor do të kontribuojë gjithashtu të mbyllë përfundimisht këtë debat që vazhdon për vite të tëra të konsiderohet instrument politik në duart e disa politikanëve të frymës së vjetër, të mbajtur peng ndaj së kaluarës, të paaftë për t’u zgjidhur shqiptarëve çështjet e së tashmes dhe të ardhmes së tyre.
Apeli
Xhafaj deklaroi gjithashtu se Partia Socialiste shpresonte që gatishmëria e ofruar prej saj në lidhje me ligjin kundër spiunëve të gjente mbështetjen edhe të forcave të tjera politike. Ai deklaroi se lidershipi politik i maxhorancës duhet të lërë mënjanë demagogjinë, por të kontribuojë seriozisht në një çështje me shumë rëndësi për të ardhmen e shqiptarëve.
“Shpresojmë që kjo gatishmëri e shprehur publikisht prej tyre të gjejë vlerësimin dhe mbështetjen e sinqertë edhe të grupeve të tjera parlamentare dhe veçanërisht të përfaqësuesve parlamentarë të Partisë Demokratike. Demagogjia fjalës dhe e veprimit të lidershipit politik të maxhorancës, pengje të së shkuarës, nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të vazhdojë të mbajë peng të ardhmen e shqiptarëve, të zhvendosë nga axhenda politike debatin e shëndoshë të shoqërisë sonë për sfidat e mëdha të integrimit euroatlantik, për sfidat e mëdha në rrugën për një mirëqenie më të mirë ekonomike e sociale të shqiptarëve që përditë e më shumë përballen me varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë e jetës”, - tha Xhafaj.
G99-a letër Avokatit të Popullit: “Na u shkel e drejta për t’u shprehur”
Lëvizja “G99” i ka dërguar dje një letër institucionit të Avokatit të Popullit, për t’i bërë prezent shqetësimin për shkeljen e së drejtës për t’u shprehur, pas censurimit të spotit televiziv ku kritikohej kryeministri Berisha dhe spoti i kopjuar i tij për antikorrupsionin. Në letrën e firmosur nga kreu i G99-s, Erion Veliaj, kërkohet gjithashtu që institucioni i Avokatit të Popullit të shprehet edhe për rishikimin e penaliteteve dhe gjobave që KKRT-ja vendosi ndaj Televizioneve Vizion Plus dhe News 24, të cilat transmetuan spotin kritikues ndaj kryeministrit Berisha. “Veprimi i KKRT-së përbën një precedent të rrezikshëm për standardet e fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, e për rrjedhojë përbën një shkelje të parimeve themelore kushtetuese. Lëvizja “G99” është e bindur se ka vepruar në përputhje dhe brenda suazës kushtetuese për të zbatuar të drejtën tonë për t’u shprehur lirisht dhe jemi të përgatitur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe instancat kushtetuese, brenda e jashtë vendit, për të garantuar e mbrojtur këtë të drejtë themelore. Nëpërmjet kësaj letre, lëvizja “G99” i kërkon Avokatit të Popullit, në zbatim të të gjitha prerogativave të parashikuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, që të shqyrtojë të gjitha faktet si dhe vendimin e kryetares së KKRT-së dhe të pozicionohet duke iu referuar parimeve dhe dispozitave kushtetuese si dhe të gjitha ligjeve në fuqi, për të riparuar në këtë mënyrë një shkelje abuzive të së drejtës sonë për t’u shprehur”, - thuhet në letrën e lëvizjes “G99” drejtuar Avokatit të Popullit.
6 Shtator 2008