E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kalimi, një udhëtim në horror”

25/03/2010 Kryeministri Berisha kërkon ndërhyrje të menjëhershme në sheshin “Skënderbej”

Rikonstruksioni i sheshit kryesor në Tiranë rikthen konfliktin mes Qeverisë dhe Bashkisë

Qeveria do të nisë punën për asfaltimin e sheshit kryesor në Tiranë, atij “Skënderbej”. Prej shtrimit të tij me pllaka dekorative, gjatë viteve ’80, sheshi nuk ka pësuar asnjë rikonstruksion, gjë e cila ka shkaktuar degradimin e tij të plotë. Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë ka vlerësuar si të papranueshme gjendjen aktuale të kësaj hapësire, ndër më të kalueshmet në kryeqytet. Ai i ka dhënë urdhër ministrit të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit që në bashkëpunim me autoritetet vendore të marrin masa të menjëhershme për rikonstruksionin e sheshit, duke bërë fillimisht planin e asfaltimit të sheshit. Kjo masë do të jetë e përkohshme dhe ndërmerret për të përmirësuar gjendjen, deri në zbatimin e planit përfundimtar. Shefi i ekzekutivit ka përdorur fjalë të ashpra kur iu referua gjendjes së sheshit. “Sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofale. Nuk ka kryeqytet në botë, me një shesh si ky i yni. Një shesh, udhëtimi në të cilin është një udhëtim në horror. Kërkojmë me urgjencë planin e asfaltimit të sheshit. Qeveria do të marrë të gjitha përgjegjësitë”, deklaroi ai. Në fjalën e tij, Berisha la të kuptohej se rindërtimi i sheshit nuk kryhet edhe nga ndërhyrja e lobeve të caktuara, nga interesat e hoteleve.

Konflikti i lindur ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal vijon të mbajë peng fillimin e punimeve për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Nga njëra anë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, thotë se shkaku kryesor për rikonstruksionin e plotë të sheshit është mungesa e shpronësimit nga ana e Qeverisë qendrore të trojeve ku do të jetë aksi i ri, nga i cili do të kalojnë automjetet. Madje, ai pretendon se projekti është gati dhe puna mund të nisë brenda pak ditëve. Ndërkohë që Qeveria qendrore thotë se deklaratat e Ramës janë krejt të pavërteta dhe se nuk ekziston asnjë plan. Duke folur mbi situatën aktuale në shesh, kreu i Qeverisë ka dashur të tregohet i kujdesshëm, duke theksuar se ndërhyrja nuk synon marrjen e kompetencave të pushtetit lokal në Tiranë. “Kur të bëhet përzgjedhja e planit, pasi po kalohet nga një plan francez në planin belg, në plan zviceran etj., le të bëhet investimi”, ka thënë Berisha.

Modeli i ri urban i qytetit të Tiranës, ndërtuar mbi bazën e Strategjisë së Transportit, përfshin kthimin e sheshit “Skënderbej” në një shesh për këmbësorë, biçikleta dhe pa mjete private. Pika kryesore në këtë projekt është përcaktimi dhe zhvillimi i një identiteti të ri për sheshin, duke rezervuar të gjithë hapësirën për nevojat e këmbësorëve. Por nuk është ky i vetmi shesh, i cili ka nevojë për rikonstruksion të plotë në Tiranë.

Fondi

Qeveria e Kuvajtit dy vjet më parë ka vënë në dispozicion një fond prej 10 milionë dollarësh për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”. Dhënia e kësaj shume parash u konfirmua gjatë vizitës së kryeministrit kuvajtian në atë kohë në kryeqytetin shqiptar.

Rama

Kryebashkiaku Edi Rama, dy ditë më parë, ka thënë se shkaku kryesor për vonesat në realizimin e projektit mbetet shpronësimi që hap arterien e unazës së vogël, që mundëson devijimin e të gjitha makinave që sot kalojnë detyrimisht në sheshin “Skënderbej”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›