E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Kuvajt, bashkëpunim në drejtësi e biznes

24/03/2010 Nishani: Kemi bërë amendime për ligjin për investimet e huaja, lehtësi biznesit

Kolegu kuvajtian nxit investimet për shkak të përmirësimit të legjislacionit

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, u takua dje me ministrin e Drejtësisë të Kuvajtit. Shqipëria do të ketë një bashkëpunim me Kuvajtin, si në çështjet e drejtësisë, por edhe në ato të biznesit. Zëvendëskryeministri, ministër i Drejtësisë së Kuvajtit, Rashid Abdulmohsen Al-Hammad, në këtë vizitë shoqërohej nga kryetari i Gjykatës së Apelit, deputetë të Parlamentit, gjyqtar dhe juristë. Gjatë fjalës së tij Nishani është ndalur në ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, i cili është miratuar pak muaj më parë nga Parlamenti shqiptar. “Me anë të këtij ligji rregullohet dhe nxitet më tej bashkëpunimi juridiksional me vendet e ndryshme të botës, lehtësohet bashkëpunimi mes gjykatave të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera, lehtësohet shkëmbimi i dokumenteve gjyqësore, si dhe realizohet më shpejtë përcjellja e letër-porosive”, tha në fjalën e tij Nishani. Ai i ka paraqitur zëvendëskryeministrit kuvajtian të gjithë gatishmërinë e tij për të thelluar më tej bashkëpunimin në këtë fushë mes ekspertëve në nivelit teknik. Më tej Nishani e ka vënë në dijeni Al-Hammadin mbi hapat që kanë ndërmarrë Ministria e Drejtësisë në fushën e përmirësimit të legjislacionit për investimet e huaja në vend. “Kemi bërë disa amendime për ligjin për investimet e huaja për t’i dhënë lehtësi biznesit që ai të ketë më shumë garanci kur të investojë në vendin tonë. Qëllimi i vetëm është t’i nxisim bizneset të investojnë kapitalet e tyre në Shqipëri sepse këtu do të gjejë një ambient miqësor, një legjislacion dhe rend të qartë dhe të konsoliduar”, tha më tej Nishani. Zv/kryeministri, njëkohësisht edhe ministër i Drejtësisë së shtetit të Kuvajtit ,Rashid Abdulmohsen Al-Hammad, i deklaroi ministrit gatishmërinë e tij për rritjen e bashkëpunimit në fushën e gjyqësorit nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta, si dhe shprehu dëshirën për të nxitur më tej investimet kuvajtiane në një vend me legjislacion të konsoliduar dhe rend të sigurt si Shqipëria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›