E Martë, 3 Nëntor 2026

Kallas: Shqipëria progres shumë të mirë drejt anëtarësimit në BE

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Pas takimeve me krerët më të lartë të shtetit dhe shoqërisë civile gjatë ndalesës në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, vlerësoi objektivin ambicioz të Shqipërisë për t’u anëtarësuar brenda vitit 2030 në BE. Proces që sipas saj kërkon vijimin e reformave, ndërsa shtoi se Shqipëria po tregon progres shumë të mirë.

“Shqipëria ka objektiva shumë ambicioze dhe realisht po e trajton procesin e zgjerimit të BE-së me energji të plotë. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vazhdoni me reformat e ndryshme që duhen ndërmarrë dhe reformat jo vetëm të miratohen, por edhe të zbatohen. Këta janë hapat e ardhshëm, të cilët janë të nevojshëm për të vazhduar realisht në rrugën e zgjerimit drejt BE-së. Por mendoj se Shqipëria po bën progres shumë të mirë dhe e ka vërtet këtë objektiv në mendje”, u shpreh Kallas në një intervistë për Tv Klan.

Kallas nënvizoi se Shqipëria është një partnere strategjike e Bashkimit Evropian dhe kemi qenë partnerë shumë të mirë në fusha të ndryshme.

“Sot diskutuam edhe për bashkëpunimin, çfarë mund të bëjmë më shumë në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, trajtimin e kërcënimeve hibride, sigurinë kibernetike, të gjitha këto çështje, por jemi edhe partnerë të mirë tregtarë. Kështu që mendoj se mund të bëjmë shumë më tepër për të përfituar nga kjo marrëdhënie. Pra, është në dobi të të dyja palëve”, u shpreh Kallas.

E pyetur se si e sheh situatën parazgjedhore, Kallas tha “çdo demokraci ka zgjedhje, kështu që ky është një aspekt themelor i demokracisë. Dëgjojmë se ka një mbështetje të gjerë politike për anëtarësimin në BE. Sigurisht, që reformat të miratohen ju nevojitet mbështetja politike nga parti të ndryshme dhe e kuptoj se është një synim që e kanë të gjithë për t’u anëtarësuar realisht në Bashkimin Evropian”.

Kallas foli për situatën në rajon që e cilëson të brishtë.

“Siç e thoni edhe ju, paqja dhe stabiliteti janë shumë të brishta në Ballkanin Perëndimor. Është interesi ynë që të jetë një rajon i qëndrueshëm. Pra, sigurisht që po punojmë me vende të ndryshme”, u shpreh Kallas.

E pyetur se cili është roli i Shqipërisë në këtë kontekst, Kallas tha “Shqipëria ka qenë një partnere e qëndrueshme dhe një partnere paqësore, si dhe një bashkëbiseduese shumë, shumë e mirë, kur bëhet fjalë për ndërmjetësimin real midis vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Kështu që unë mendoj se ne i vlerësojmë këshillat që marrim nga Shqipëria në lidhje me çështjet në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht vlerësojmë edhe bashkëpunimin që kemi me Shqipërinë, sepse mendoj se një nga rolet që mund të ketë Shqipëria është që nëse bëni përparim të mirë në rrugën tuaj drejt BE-së, ky është gjithashtu një shembull i mirë për të gjithë të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë”.

Kalla deklaroi se për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi se do të ketë një investim personal për afrimin e palëve.

“Është në interesin tonë që të ketë një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe pa normalizim këto vende nuk mund të ecin përpara kur është fjala për anëtarësimin në BE. Pra, është në interes të të dy vendeve. Unë gjithashtu synoj të investoj kohën dhe energjinë time për t’u përpjekur që t’i afroj vërtet palët”, tha Kallas.

Po ashtu zv/presidentja e Komisionit Europian foli për arsyet e vëmendjes së vendeve anëtare tek siguria e mbrojtja.

“Ne po u përgjigjemi kërcënimeve dhe asaj çka po ndodh në botë. Nëse shohim paqëndrueshmëri, atëherë duhet të përgatitemi për t’u mbrojtur. Po shohim Rusinë që sulmon brutalisht Ukrainën, një tjetër vend sovran i pavarur. Po shohim gjithashtu që Rusia po shpenzon më shumë se 9% të PBB-së së saj për ushtrinë. Pra, duhet të përgatitemi për të mbrojtur veten”, tha Kallas.

E pyetur se si e vlerëson bashkëpunimin mes BE-së dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtje, Kallas tha se “sot hapëm dialogun e parë BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen. Ka shumë gjëra që ne tashmë i bëjmë së bashku. I jemi shumë mirënjohës Shqipërisë që merr pjesë në misionet evropiane, në operacionet që kemi në Bosnje-Hercegovinë apo edhe në Detin e Kuq. Pra, kjo është ajo çka tashmë po bëjmë. Fusha ku mund të përmirësojmë bashkëpunimin tonë është siguria kibernetike, sulmi kundër kërcënimeve hibride. Është edhe përballja me kundër-terrorizmin dhe lufta kundër informacionit të rremë dhe manipulimit”.

Duke folur për industrinë e armëve, Kallas u shpreh se, “ajo që kemi dëgjuar në NATO, në aleancën transatlantike që ne evropianët kemi me partnerët tanë të Shteteve të Bashkuara është se evropianët duhet të investojnë më shumë për mbrojtjen tonë. Dhe kjo përfshin edhe Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse po bëjmë hapat tanë në nivel evropian për të zhvilluar edhe industrinë tonë të mbrojtjes dhe kjo është ajo çka po marrin në konsideratë edhe partnerët tanë si Shqipëria, për të bërë më shumë për mbrojtjen tone”, tha Kallas.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›