E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalon ligji për privatizimin e HEC-eve

10/06/2011  Ligji synon heqjen e pronësisë nga KESH, dhe i kalon në shoqëri anonime

Spaho “Investimi në këtë sektor do rrisë efeciencënnë sektorin energjetik ”

Në seancën e djeshme plenare, deputetët shqyrtuan e më pas miratuan projektligjin “Për krijimin e shoqërive “HEC, Ulëz-Shkopet” sh.a. “HEC Tiranë-Lanabregas” sh.a. dhe “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sh.a. dhe përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC Ulëz-Shkopet” sh.a. dhe “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sh.a.”. Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, gjatë diskutimit në Kuvend për projektligjin e privatizimit të pesë HEC-eve, u shpreh se “investimi në këtë sektorë do të rrisë efeciencën e shfrytëzimit të burimeve energjetike”. Sipas tij, privatizimi masiv i ekonomisë së vendit është një nga arritjet më të mëdha në këto vite tranzicioni dhe një nga faktorët kryesorë të mosprekjes së ekonomisë së vendit nga kriza ekonomike botërore. “Privatizimi i këtij grupi HEC-esh, të cilët japin rreth 3% të prodhimit kombëtar në tregun e energjisë elektrike, do të mundësojë eksperiencën e duhur dhe bazën e nevojshme për procesin e privatizimit të objekteve më të mëdha të prodhimit të energjisë elektrike”, tha Spaho, duke ftuar opozitën të bëhet pjesë e debateve parlamentare, duke ofruar alternativa për miratimin e këtij pr/ligji, i cili i shërben zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë. Me anë të këtij projektligji, të hartuar nga Ministria e Ekonomisë, synohet heqja e pronësisë së këtyre hidrocentraleve nga Korporata Elektroenergjetike (KESH), duke i organizuar ato përkohësisht si shoqëri më vete. Por kjo vetëm për një periudhë shumë të shkurtër kohore, pasi menjëherë pas shkëputjes së tyre nga KESH, do nisë privatizimi. Për këtë, nga ana tjetër, Qeveria ka lënë të hapur të dy variantet e privatizimit në draft, qoftë atë të shitjes direkte, edhe atë të koncesionit. Sipas draftit, blerësit do i ofrohen jo më pak se 51 për qind e aksioneve të çdo vepre. Këto hidrocentrale kanë një fuqi të instaluar prej rreth 82 megavat, e barabartë kjo me 6 për qind të fuqisë totale të KESH-it. Privatizimi i HEC-eve do të liberalizojë dhe më tej sektorin e prodhimit të energjisë elektrike në vend, duke rritur konkurrencën dhe duke krijuar hapësira të mëtejshme për pjesëmarrjen e investimeve të huaja në këtë sektor të rëndësishëm.

Privatizimi

“Privatizimi masiv i ekonomisë së vendit është një nga arritjet më të mëdha në këto vite tranzicioni dhe një nga faktorët kryesorë të mosprekjes së ekonomisë së vendit nga kriza ekonomike botërore. Pavarësisht nga qëndrimi i opozitës, mazhoranca do të vazhdojë me vendosmëri për të privatizuar ato pjesë të sektorëve strategjikë, të cilat ende drejtohen nga shteti”, tha Spaho.

Debati për HEC-et

Në komisionin e Ekonomisë, deputetët demokratë Sherefedin Shehu dhe Bedri Hoxha, shprehën një serë dyshimesh mbi privatizimin apo dhënien me koncesion të këtyre HEC-eve, duke votuar kundër draftit. Edhe deputeti socialist Andis Harasani e ka kundërshtuar shitjen e HEC-eve, duke theksuar se liberalizimi i tregut nuk bëhet duke shitur asetet, por duke rregulluar mbarëvajtjen e institucioneve përgjegjëse për energjinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›