E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kalorësit dezertorë” të administratës

09-07-2013 / Nga Feti Zeneli

Në një anekdotë për Pompeun tregohet, se njëherë udhëheqësi romak kapi një dezertor të ushtrisë së tij dhe e pyeti: -Ku e ke kalin? -E lashë në fushimin e Çezarit, -iu përgjigj dezertori. -Shumë mirë, -i tha jo pa ironi Pompeu, -në qoftë se ke çnderuar veten, së paku arrite të shpëtosh nderin e kalit tënd…
Kjo anekdotë m’u kujtua teksa dëgjojë të flitet gjithandej deri në faqet e shtypit të shkruar apo në studiot e mediave vizive, se “blerja e administratës” ka qenë një ndër shkaqet e fitores të së majtës në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013. Bëhet fjalë kryesisht për një pjesë nëpunësish të thjeshtë të saj, të cilët kanë “çnderuar veten” dhe kanë “shpëtuar nderin e kalit…” të qëndrimit në punë edhe në qeverinë e social-lsistëve, që do të konstituohet në fillim të shtatorit; pra, pas afro dy muajsh. Megjithatë, askush nuk është kapur me “presh në dorë”, sikundër  nuk dihet saktë se sa shkon numri i këtyre punonjësve “dezertorë”, për të cilin, apriori jepen shifra të larta. Në këto kushte pritet tre-mujori i katërt i vitit në vazhdim, pse jo edhe fillimi i vitit të ardhshëm, që ky “dezertim” të provohet indirekt si fenomen, duke parë grupin e atyre punonjësve të qeverisë “Berisha”, të cilët do të vazhdojnë të jenë edhe në administratën e qeverisë “Rama”, dhe kryesisht në “barkushen” ministrore të LSI-së.
Eksperienca e qeverisjeve të shkuara majtiste tregon se ato kanë mentalitetin e “fshesës” për administratën, duke filluar nga drejtori e duke përfunduar tek pastruesja. Shembulli më domethënës është ’97-a, ku u larguan për motive politike rreth 150 mijë punonjës nga administrata e mëparshme, me përjashtim të “dezertorëve”, që lanë atëhere “penën” e administrimit dhe morën “armët e rebelimit” për t’i shërbyer “revolucionit demokratik të vonuar”, duke krijuar kështu mundësinë që rikthyen aty të gjithë militantët e së majtës deri dhe pjesëtarë të komiteteve të shpëtimit kombëtar apo ish-sigurimsa e ish funksionarë të Partisë së Punës. Një pjesë e mirë e tyre nuk u prekën as nga qeveria “Berisha” në 2005-ën, ndërsa me rikthimin e LSI-së në qeverisje, pas 2009-ës, administrata u tejngop sërish me shumë militantë të majtë. Nga ana tjetër Rama gjatë periudhës që ka qenë në krye të bashkisë Tiranë ka dëshmuar tendencën për ta mbushur administratën më militantë, madje aq shumë sa të cenojë fondet e investimeve për t’i bërë rroga buxhetorësh. Po kështu jo vetëm Rama, që është piktor, por edhe Meta, megjithëse ekonomist, nuk kanë asgjë të përbashkët me konceptin e ekonomistit të famshëm francez E. Kesnai për qeverisjen, të cilin kur e pyetën: “Si do të qeverisje vendin po të ishe kryetar shteti?”, u përgjigj: “Unë nuk do të qeverisja: këtë punë do ta bënin ligjet”. Ata të dy njohin vetëm “ligjin” makiavelist të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me çdo mjet, gjë që e dëshmuan edhe gjatë fushatës elektorale për blerje masive votuesish, sikundër përflitet në media. Kështu që, nëse për marrjen e pushtetit u bëzuan kryesisht tek paratë e biznesmenëve të përfshirë në grupet e tyre parlamentare, për mbajtjen e tij do të bazohen tek (sh)përdorimi i parasë publike, prej të cilës do të përfitojë jo pak edhe administrata e militantizuar. Këtij qëllimi do t’i shërbejë, besojë, edhe shtimi i numrit të ministrive, drejtorive, agjencive e kështu me radhë. Rama, kryeministri në pritje të padurueshme për mosrespektim të ligjit kushtetues, ka deklaruar se do ta çojë në 18 numrin e ministrive, po aq sa ç’e ka Gjermania, fjala vjen; sikundër ka paralajmëruar gjithashtu, edhe për një sërë drejtorish e agjencish të reja. Nëse kreu socialist do ta kishte seriozisht “Rilindjen e dytë”, ishte momenti që ai të kujtonte Sami Frashërin, një ndër përfaqësuesit më të spikatur të “Rilindjes së parë”, i cili thotë se “Shqipërisë i mjaftojnë 7 ministri”. Mbase 7 dikastere janë pak, por të paktën 14 sa paraardhësi i tij, i cili me këtë qeveri bëri aq shumë punë për këtë Shqipëri sa që s’ka për të ndodhur më kurrë në histori. Pa dashur ta paragjykojmë, por nisur nga “të rejat” që po dëgjojmë nga goja e Ramës këto ditë, “Rilindja” e tij mund të funksionojë vetëm përsa i përket pjesës së ringritjes në poste e përgjegjësi të militantëve të majtë, sikundër bëri me administratën e bashkisë Tiranë, ndërkohë që  premtimet populiste për marrje votash, si legalizime falas, biznes pa taksa, shëndetësi e arsim “komunist”; pra falas etj., do të kenë fatin e premtimit të Nanos për kthimin 100% të parave të humbura nga kreditorët shqiptarë në firmat piramidale. Shpresojmë të mos e kenë këtë fat punonjësit “dezertorë” të administratës aktuale, që “kalin” e lanë në “fushimin” e Berishës dhe vetë erdhën tek Rama apo Meta, si “dy Kamber në një derë” të kësaj qeverie - mavi, të cilët e stimulojnë me lekë militantizmin dhe karrierën e pamerituar, qoftë nga fondet publike ashtu dhe nga biznesi privat, gjë e cila shihet edhe tek deputetët biznesmenë që kanë në grupet e tyre parlamentare, të cilët më sjellin ndërmend një bashkëbisedim të hershëm midis dy figurave të njohura të historisë sonë kombëtare; Eqerem bej Vlorës dhe dajës së tij të brezit të dytë, Esat pashë Toptani. “Një ditë (në vitin 1914, kur isha sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme) u ndodha në shtëpinë e tij në Durrës, -kujton Eqerem bej Vlora. -Ai ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht ministër i Luftës në kabinetin e Turhan pashës. Disa minuta pas meje erdhën me radhë për të marrë pjesë në një bisedë delegati grek, të dërguarit e Francës, Austro-Hungarisë dhe Italisë si dhe përfaqësuesi i Anglisë në Komisionin e Kontrollit. Unë shërbeva si përkthyes për të gjithë këto gjuhë dhe hartova së fundi edhe protokollin në gjuhën turke, të cilin Esat Pasha arriti ta lexonte me shumë vështirësi. Së fundi, pasi mbetëm vetëm, ne u mblodhëm në tryezë dhe Esat pasha ndjeu nevojën të zbraste zemrën: “Ah, more nipçe! - më tha ai, - sikur të dija vetëm gjysmën e atyre që di ti, do të isha bërë mbret!” Unë qesha. “Jo, -e kundërshtova. -Kam frikë se nuk do të ishe bërë as ky që je sot. Sepse dijet prodhojnë frenime dhe vetëpërmbajtje, këshillojnë kujdes, të detyrojnë të jesh i matur dhe i arsyeshëm - të gjitha këto pengesa, për një karierë aventureske”. E tillë “aventureske” është karriera politiko-administrative në të majtën shqiptare, ku shembullin me domethënës e kanë dhënë si Fatos Nano në postin e kryeministrit të vendit ashtu dhe vetë Edvin Rama në krye të bashkisë së Tiranës për 11 vite rresht.
Administrata majtiste funksionon sipas konceptit marksist të fitimit kapitalist (P-P’). Bashkëpunimi qeverisës me LSI-në përgjatë katër viteve të fundit na e faktoi edhe më shumë një gjë të tillë, ku ministritë e drejtuara prej saj u shndërruan në ndërmarrje fitimprurëse për drejtuesit dhe punonjësit e administratave përkatëse, derisa u bën “gazi i botës” me filmime e regjistrime pazaresh, të ish ministrit Prifti me ish z/kryeministrin Meta, apo dhe “tmerri i botës” me demonstratën e dhunshme të 21 janarit 2011 që ndodhi për këtë shkak. Por kjo sjellje institucionale infektoi deri-diku edhe ministrat demokratë, të cilët filluan të ofrojnë dhe favorizojnë në karierë drejtuesit dhe punonjësit marifteçinjë, që “kalin” e profesionalizimit e kishin lënë në të shkuarën dhe për momentin i qenë dorëzuar rrethit të ngushtë të abuzivizmit me detyrën. Profesionistët dhe specialistët e ndershëm u shndërruan në rolin e “gomarit”, që vazhdonin të punonin me përkushtim, duke kompensuar edhe pjesën që u takonte “kalorësve” të administratës, që ishin ngarkuar me “detyra speciale” nga “eprorët e përjetshme” në postet drejtuese. Kjo mund të ketë qënë një ndër arsyet, që cilësia e qeverisë “Berisha 2” ishte më e dobët se sa ajo e qeverisë “Berisha 1”, sikundër mund të ketë qenë edhe shkaku i “dezertimit masiv” të shumë punonjësve në administratë, duke mos votuar vazhdimin më tej të qeverisjes së demokratëve. Është hera e parë në historinë e pluralizmit shqiptar, që besnikëria administrative ndaj qeverisë të shndërrohet në tradhti elektorale ndaj saj, gjë e cila kërkon një analizë të thelluar dhe reflektim, gjithashtu, sidomos tani në prag të zgjedhjes së liderit të ri të PS-së. Mjafton të kujtojmë se edhe në 2005-ën, sipas një studimi të kryer nga Qendra Kombëtare për Zhvillim, “80% e nëpunësve të administratës mendonin që qeveria ‘Nano’ në ikje mund t’i sillte më shumë zhvillim vendit se sa qeveria ‘Berisha’ në formim e sipër”, ndërkohë që kryeministri socialist ishte bërë leckë në sy të botës për keqqeverisjen dhe korrupsionin skandaloz që kishin përfshirë të gjithë nivelet e qeverisjes në Shqipëri.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›