Eurodeputetët: Pas 3 vitesh bllokimi, Shqipëria po i afrohet shumë statusit të vendit kandidat

Presidenca lituaneze kërkon vazhdimin e kursit të reformave nga qeveria e re e cila në opozitë vendosi interesin partiak mbi atë kombëtar, duke bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat. Apeli i radhës i Brukselit është që, mosbesim i krijuar tek Brukseli duhet të sfidohet dhe Shqipëria të vendoset në një stad pozitiv drejt kursit të integrimit
Energjitë e reja të presidencës gjashtëmujore lituaneze shkojnë më shumë për partneritetin me vendet e Lindjes sesa për zgjerimin me Bashkimin Europian. Por kur bëhet fjala për zgjerimin, qasja e kësaj presidence është shumë pragmatike. Edhe pse statusi i kandidatit për Shqipërinë është një opsion për këtë presidencë, zhvillimi i zgjedhjeve më të mira në Shqipëri deri tani nuk mjafton për të bindur 27 shtetet anëtare.
Por eurodeputetët Eduard Kukan dhe Libor Rouçek e mendojnë ndryshe, veçanërisht ata që asistuan si vëzhgues me status ad hoc në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Për ta, Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më shumë statusit të vendit kandidat. Por pavarësisht entuziazmit të eurodeputetëve, presidenca lituaneze pret të shohë tranzicionin e pushtetit në Shqipëri para se të ndërmarrë çdo lloj iniciative për integrimin europian të vendit. Thënë ndryshe, për një status kandidat në dhjetor duhen më shumë prova.
Antanas Linkeviçius, ministër i Jashtëm i Lituanisë, vendi i të cilit kryeson presidencën e BE
"Vendosja e interesit partiak mbi atë kombëtar dëmtoi progresin e Shqipërisë"
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, vendi i të cilit kryeson presidencën e BE, Antanas Linkeviçius shprehet pa rezerva kur thotë se një pjesë e klasës politike në Shqipëri vendosi interesin partiak mbi atë kombëtar. Kryediplomati lituanez thotë se Shqipëria e kaloi provimin me zgjedhjet, por mbetet edhe shumë rrugë deri në marrjen e statusit të vendit kandidat. Sipas tij, ky mosbesim i krijuar tek Brukseli duhet të sfidohet dhe Shqipëria të vendoset në një stad pozitiv drejt kursit të integrimit. “Ne do përpiqemi që të nxisim avancimin e Shqipërisë. Unë thashë që statusi i kandidatit nuk është i thjeshtë. Shqipëria e kaloi provimin me zgjedhjet. Por, le t’i lemë forcat politike që të kryejnë këtë tranzicion të butë që është i rëndësishëm për t’u bërë. Shpresoj që partitë politike do t’ia dalin. Shpresoj që ato do të tregojnë përgjegjësinë e tyre. Dialogu midis tyre është i rëndësishëm. Nuk jam skeptik, madje jam pozitiv, por kjo është ajo që presim nga Shqipëria. Bashkimi Europian është ndoshta shumë kërkues kundrejt Shqipërisë, por vendosja e herëpashershme e interes partiak mbi atë kombëtar në vend kanë krijuar mosbesim te europianët. Një mosbesim që duhet sfiduar”- u shpreh kryediplomati lituanez, Antanas Linkeviçius.
Eduard Kukan, eurodeputet
“Ju treguat në fjalimin tuaj një qasje shumë pragmatike dhe me këmbë në tokë lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së. Unë s’mund të bëj tjetër veçse ta përgëzoj këtë. Marrëveshja historike midis Serbisë dhe Kosovës po shërben si shtysë për të ecur përpara. Edhe pas zgjedhjeve në Shqipëri duket se deri tani ndërrimi i pushteteve po shkon mirë. Liderët politikë po sillen siç duhet dhe shpresojmë që kjo do t’i hapë rrugë pritshmërisë realiste për marrjen e statusit të vendit kandidat shpejt”.
Libor Roucek, eurodeputet
“Unë nuk jam kaq skeptik për Shqipërinë. Ne ishim në një vizitë me zotin Kukan për vëzhgimin e zgjedhjeve. Shqiptarët bënë një progres të madh në këto zgjedhje. Ka qenë procesi më i mirë zgjedhor që është zhvilluar deri tani. Dy partitë e mëdha politike po bashkëpunojnë. Le të shohim se si do bëhet tranzicioni i pushtetit dhe pastaj ne duhet të nxisim marrjen e statusit të kandidatit, që të mos krijojmë një ndarje midis sllavëve dhe jo sllavëve në Ballkan.