E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kam ndër mend të blej Nju Jorkun

Një dollar më pak a një më shumë, në tetë muajt e ardhshëm ka ndër mend të shpenzojë 100 milionë dollarë për të mbajtur edhe katër vite të tjera postin e kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, mandati i tretë ky i një karriere të filluar në vitin 2001. Në këmbim, në rast se do mund të fitojë përsëri zgjedhjet, do të marrë 4 dollarë, pagesa që i ka caktuar vetes në këtë detyrë. Maikëll Blumberg, miliarderi i informacionit financiar dhe kampion i aktiviteteve bamirëse, nisi zyrtarisht fushatën gjatë gjysmës së shkurtit, duke hapur një sit të ri në internet, përmes së cilit kërkon grumbullimin e vullnetarëve nga pesë distriktet që përbëjnë qytetin: Manhatan, Bruklin, Steitën Aizlënd, Bronks dhe Kuins.

Në 15 gjuhë të ndryshme, Blumbergu i fton mbështetësit e tij me këto fjalë: "Suksesi i para katër viteve u bë i mundur falë jush, vullnetarëve, që trokitët dyerve të njujorkezëve dhe i bindët t‘u drejtoheshin kutive të votimit". Objektivi është grumbullimi i më shumë se 30 mijë vullnetarëve që e ndihmuan gjatë fushatës së shkuar elektorale.

Blumberg, që mund të krenohet me suksese të dukshme në fushën e shkollimit dhe të kriminalitetit, lë në hije faktin që dy mandatet e mëparshme i kanë kushtuar 250 milionë dollarë, të nxjerra thuajse tërësisht nga llogaria personale bankare. Është një shifër tepër e madhe, por gjithsesi veç një thërrime po të shohësh të ardhurat nga perandoria e tij mediatike, "Bloomberg LP".

Loja e kryebashkiakut të Mollës së Madhe (siç njihet ndryshe Nju Jorku), duhet t‘i ketë pëlqyer shumë, duke parë se ka vendosur të kandidojë përsëri, duke zemëruar edhe njujorkezët me faktin se hodhi vetëm me një votë më shumë poshtë në këshillin bashkiak ligjin që e kufizonte këtë post vetëm me dy mandate. Një rregull që e kishte mbështetur edhe vetë kur nuk ishte kryetar bashkie. Ka shumë të ngjarë të jetë bërë për vete nga politika. Ai, që kur deklaroi për herë të parë se kishte ndër mend të kandidonte për postin e kryebashkiakut, për të pasuar Rudolf Xhulianin, këndonte papushim të njëjtën këngë: "Nuk jam politikan".

Diçka krejt e pavërtetë në rast se ky term shqyrtohet në kuptimin e plotë të tij. Por, e vërtetë "24 karat" në rast se me termin kemi parasysh një njeri që i përket një partie. Në fakt, Blumberg, edhe pse është zgjedhur dy herë nën flamujt republikanë, nuk i përket asnjë partie. Partitë në fakt i përdor ashtu si i duket më mirë, sipas stinëve. Ishte demokrat liberal, i deklaruar dhe i regjistruar në listat zgjedhore, por pastaj zgjodhi Partinë Republikane për të marrë në dorë Bashkinë e Nju Jorkut. Pasi u bë mbreti i qytetit, i përdori republikanët si të qenë mazhordomët e tij. Prisnin të viheshin në postet drejtuese të qytetit. Në të kundërt, qenë të detyruar të shihnin një sfilatë të gjatë të miqve të tij, shumë prej të cilëve demokratë, në masë të madhe të ardhur nga bota e financës dhe e filantropisë.

Në vitin 2007 erdhi edhe goditja më e rëndë: Blumberg deklaroi se e braktiste tërësisht Partinë Republikane, për t‘u regjistruar si kandidat i pavarur. Nisi të kultivonte edhe përfaqësuesit e së ashtuquajturës Partia e Tretë, por pa mundur për asnjë çast të trondiste sistemin tradicional mbipartiak. Megjithatë, kjo lëvizje e Blumbergut mbetet 100 për qind politike. Projekti edhe më madhor për Shtëpinë e Bardhë dështoi, duke qenë se amerikanët, pas tetë vitesh në administratën "Bush", kishin nevojë të dëgjonin fjalë shëruese nga goja e një politikani 24-karatësh.

Kështu, Blumberg, 67-vjeçar, i ardhur nga një familje e shtresës së mesme, me dy fëmijë në moshë madhore (Ema dhe Xhorxhina) dhe një divorc të qetë pas krahëve, iu kthye Mollës së Madhe, duke vënë në jetë projektin për mandatin e tretë. Por gjërat nuk janë më si në fund të mandatit të parë dhe të dytë, periudhë në të cilën arriti të bënte për vete deri në 65 për qind të zgjedhësve. Sot luhatet diku te 52 përqindëshi, por në rast se vërehen me më shumë vëmendje votuesit e regjistruar, shifra e saktë nuk shkon përtej 37 përqindëshit.

Ja tek vjen edhe rikthimi i detyruar nën flamurin republikan. Ka qenë gjithnjë tepër e çuditshme përqasja e zgjedhësve njujorkezë me kandidatët për kryetarë bashkie. Shumë shpesh kanë votuar kundër diçkaje, ose pro një emri. Në fund të viteve tetëdhjetë, fushatat liberale që denonconin racizmin çuan në zyrën më të rëndësishme të qytetit afro-amerikanin Deivid Dinkins, i cili shkaktoi një katastrofë të vërtetë në menaxhimin e raporteve inter-raciale. Në vitin 1994, qyteti që numëron pesë zgjedhës të regjistruar demokratë, kundër një republikani, zgjodhi republikanin ish-prokuror distrikti, Rudi Xhulianin, në emër të tolerancës zero kundër krimit. Dhe në vitin 2001 zgjodhi miliarderin Blumberg, pikërisht në fytyrën e rrënimit të bursës pas shpërthimit të flluskës së internetit.

Blumbergu arriti shumë shpejt të krijonte raporte të mira me Nju Jorkun në zi, për shkak të sulmeve mbi Kullat Binjake. Nisi plane të mëdha zhvillimi, por jo të gjitha u çuan në fund. Arriti ta çonte fluksin e turistëve deri në 40 milionë në vit, por humbi garën për Lojërat Olimpike të vitit 2012. Ndërkaq, kryebashkiaku miliarder, i cili nuk ka pranuar asnjëherë të vendoset në vilën "Greisi", rezidenca zyrtare e destinuar për qytetarin e parë të Nju Jorkut, gjendet gjithnjë në vendet e para të klasifikimeve për sa u përket aktiviteteve bamirëse. Nëse deri në vitin 2000 ishte 6 qind numri i organizatave - nga universitetet, te qendrat mjekësore të kërkimeve, e te shoqata nga më të ndryshmet - të cilave u dhuronte para, në vitin 2004 u bënë 843 me një shpenzim total prej 140 milionë dollarësh. Piku arriti në vitin 2007, me 165 milionë dollarë të dhuruara për 1 mijë ente bamirëse.

Blumberg ka një seri tiparesh pozitive, të cilat jetojnë përkrah një defekti të njohur më së miri nga të tërë: jo aq shumë faktit që flet shpesh në kufijtë e së pranueshme dhe dashuria e famshme për batutat, të cilat lëshohen me çdo kusht, pavarësisht situatës ku gjendet, por faktit që nuk honeps dot askënd që i tregon se si duhet të veprojë. Por, gjithsesi, bëhet fjalë pikërisht për atë defekt që e ka bërë atë që është sot. Në vitin 1986, kur u shkëput nga shoqëria "Salomon Brothers", si rezultat i një mosmarrëveshjeje mes partnerëve për pushtet, gjatë së cilës nuk pranoi të bënte atë që pretendonin ortakët e tjerë, u largua duke marrë likuidimin prej 10 milionë dollarësh. Investoi 4 milionë në "Bloomberg LP", që sot mendohet se vlen 15-20 miliardë dollarë. A mund t‘i thuhet këtij njeriu çfarë duhet apo s‘duhet të bëjë? Harrojeni!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›