Zgjedhjet, të dërguarit e parë të ODIHR-it do të caktojnë numrin e vëzhguesve
Përfaqësuesit e parë të ODIHR-it që mbërrijnë në Shqipëri brenda marsit do të hartojnë një raport paraprak për infrastrukturën zgjedhore. Burimet diplomatike sqarojnë se do të jenë këta të dërguar specialë që do të përcaktojnë numrin në total të vëzhguesve të huaj për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Po sipas burimeve, ata do të zhvillojnë takime me faktorë të ndryshëm politikë, të mazhorancës dhe opozitës. Pasi të dëgjojë të gjitha pretendimet, grupi paraprak i ODIHR-it do të raportojë në organizatën qendrore për të saktësuar nevojat e monitorimit. Sipas Kodit Zgjedhor, çdo parti politike e regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor, ka të drejtë të caktojë nga një vëzhgues në KZAZ, KQV dhe në Vendin e Numërimit të Votave pas regjistrimit të kandidatit/ëve për njësinë zgjedhore përkatëse ose pasi ka paraqitur listë shumemërore. Në rast se partitë politike paraqiten në zgjedhje si koalicion, të drejtën për të caktuar vëzhgues e ka vetëm koalicioni. Kandidatët e partive politike dhe koalicioneve nuk kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues. Organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medias kanë të drejtë të dërgojnë vëzhgues në zgjedhje. Kandidatët e paraqitur nga një grup zgjedhësish në zonat e tyre përkatëse kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues në KZAZ, KQV dhe në Vendin e Numërimit të Votave. Akreditimi i vëzhguesve pranë komisioneve zgjedhore bëhet mbi bazën e të dhënave vetjake të çdo vëzhguesi. Akreditimi mund të përfshijë një ose më shumë qendra votimi, ose një apo më shumë njësi zgjedhore. Një organizatë joqeveritare shqiptare, parti politike, koalicion ose kandidat i pavarur nuk mund të ketë në të njëjtën kohë më shumë se një vëzhgues të pranishëm në një qendër votimi. Organizatat joqeveritare të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare nuk mund të kenë në të njëjtën kohë më shumë se dy vëzhgues të huaj në një qendër votimi. Vëzhguesit kanë të drejtë të vëzhgojnë pa pengesë të gjitha aspektet e përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve; të paraqesin vërejtje me shkrim para komisioneve të zgjedhjeve për çdo lloj parregullsie që vërejnë; të shohin ose të këqyrin dokumentacionin ose materialet e procesit zgjedhor.