E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëtimi i tmerrit mes viktimave të Darfurit

Javën e kaluar vizitova një kamp refugjatësh në Çad, një kamp i mbipopulluar me rreth 12 mijë refugjatë. Kisha qenë aty rreth tre vjet më parë. Dhuna në këtë zonë as që mund të krahasohet me atë që zhvillohet pak metra më tutje, përtej kufirit, në Sudan. Ajo që më tronditi më shumë në atë kamp ishte fakti se sa pak kishte ndryshuar. Normalitet mund të quhen 800 kalori në ditë, sëmundjet dhe kërcënimet për dhunë nga ana e rebelëve. Duke parë refugjatët, kupton shpejt se shpresa që tre vjet më parë ishte pikturuar në fytyrat e tyre, tani është zhdukur. Kalova më këmbë në një fshat dhe fëmijët që më ndiqnin përmendnin vazhdimisht emrin e Obamës. Premtimi i tij për shpresë këtu ka një tjetër domethënie. Ka shumë pak për të shpresuar. Shumë herë kanë parë me sytë e tyre njerëz të bardhë që me makina të mëdha e luksoze kalojnë nga këto anë vetëm për t‘u treguar se sa të zotë janë në punën e tyre. I filmojnë ndërsa japin përgjigje të sinqerta për pyetje që askush nga ne nuk do të donte të përgjigjej: "Si e ke sakatuar krahun?", "Jeni përdhunuar?", "Nga sa burra?". Pastaj, ne të bardhët hipim në makinat tona dhe vazhdojmë rrugën. "Nuk është tragjike aq sa duhet. Duhet të jetë dikush që është sulmuar rëndë këto kohët e fundit", thotë dikush tjetër me zë të lartë. Kanë parë gjithçka dhe s‘ka ngelur më asgjë e fshehtë. Në rrugën e kthimit për në vendin ku qëndroja, dëshiroja të flisja me një vajzë të vogël jetime, viktimë e një përdhunimi. "Jo" është përgjigjja e saj. Ishte e sëmurë, e vetme, e frikësuar. Asgjë e veçantë, nuk meriton ndonjë titull në faqen e parë. Gjithçka është bërë me qëllimin më të mirë: të gjesh diçka që të të prekë është e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen e botës. Për pasojë, e kalon kohën duke kërkuar diçka vërtet tragjike për t‘u treguar, një histori që është aq tronditëse, sa të tërheqë vëmendjen nga ajo që në këto kohë dëgjojmë natë e ditë: ekonomia, Iraku, "Oskar"-i. Nuk ka asgjë të re së cilës t‘i referohesh, përveç turpit për atë që një njeri mund t‘i bëjë njeriut. Sekreti duket se është një i vetëm: sa më shumë të zgjasin gjërat, aq më shumë të nënshtruar bëhemi. Megjithatë, në mes të gjithë kësaj duket një shpresë e vogël mërgimtare. Gjykata Penale Ndërkombëtare ka ndërtuar akuzat dhe ka lëshuar një mandat arresti për Omar al Bashirin, Presidentin e Sudanit, i cili akuzohet për krime kundër njerëzimit. Është absolutisht hera e parë që një President në detyrë akuzohet në këtë mënyrë nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Kur gjykata arriti të kapte Sllobodan Milosheviçin dhe Çarls Tejlorin, të dy nuk ishin më në pushtet dhe nuk qeverisnin më duke ushtruar terror. Por, për Omar al Bashirin gjërat nuk janë kështu. Se sa efikase do të jenë këto mandate arresti, kjo varet nga pjesa tjetër e botës. Qeveria e tij do ta dorëzojë? Ka shumë pak gjasa të ndodhë. Kombet e Bashkuara do ta dëbojnë? E pamundur. Edhe sikur ta kapnin, ndërsa qëndron i fshehur jashtë sigurisë së vendit të tij, a do të ishte më mirë qeveria e tij me lider të tjerë të rrezikshëm, mes të cilëve pesë sudanezët: Harun, Taha, Kushyab, Hilal, Minauai? Nëse do të isha një refugjat, nuk do të vija bast për këtë. Përse po jetojmë një moment kaq domethënës dhe të rëndësishëm? Sepse kjo ngjarje u tregon 2 milionë e gjysmë refugjatëve, viktimave të përdhunimeve dhe vrasjeve, se ku duhet të triumfojë gjithmonë drejtësia. Sepse pjesa tjetër e botës ka parë padrejtësitë e bëra ndaj tyre dhe ka vendosur të kërkojë drejtësi për ta. Ai moment ka ardhur. Por nëse OKB-ja nuk do të arrijë ta shfrytëzojë për të kërkuar dhe marrë aprovimin për sanksione shumë të ashpra dhe nëse SHBA-të nuk do të arrijnë ta shfrytëzojnë këtë për të ushtruar presionin mbi Kinën, dhe nëse Kina nuk do të ndiejë sipër sytë e gjithë botës, ndërsa renditet e para ndër vendet që nxjerrin kaq shumë përfitime, atëherë Gjykata Ndërkombëtare dhe drejtësia ndërkombëtare duhet ta cilësojnë veten të humbur. Tani titullin që kërkonim e gjetëm: "Arrestohet Presidenti i Darfurit". Nuk duhen më anekdota të dhimbshme të fëmijëve të uritur, të gjymtuar apo të sëmurë. Tani miliona zëra po thërrasin për të kërkuar drejtësi. Në Goz Beida kam vizituar shkollën e një kampi refugjatësh. Tabela në hyrje ka ndryshuar. Tani lexon "Obama". Duket vërtet se mesazhi i shpresës ka nisur rrugën për të mbërritur te të gjithë ata që prej vitesh kanë parë me sy dhunën, dhimbjen dhe aktet çnjerëzore.

Aktori 46-vjeçar është një ndër më të preferuarit dhe më të paguarit në Hollivud, përveçse një nga meshkujt më seksi, sipas një klasifikimi të përvitshëm të bërë nga "People". Është i angazhuar edhe me çështjen e Darfurit, gjë që e ka bërë të jetë shpesh pjesë e konferencave dhe apeleve për ndërhyrje humanitare. Që nga viti 2008 është emëruar edhe ambasador i OKB-së për paqen. Në vitin 2007, Kluni, së bashku me Brad Pitin, Met Demon, Don Sheadëll dhe Xherri Ueintraub, ka themeluar "Not on Our Watch". Mes çmimeve nderuese për angazhimin tij mbi çështjen e Darfurit ka qenë edhe "2007 Peace Summit Award".

Si pjesë e fushatave të shumta publicitare, Kluni renditet edhe mes pesë meshkujve më të paguar. Në fakt, aktori bukurosh njihet si Don Zhuan, madje e ka pranuar se një nga pasionet e tij në jetë janë femrat. Në vitet 1989 dhe 1993 ka qenë i martuar me Talia Balsam, vajzën e aktorit Martin Balsam. Për 18 vjet me radhë ka jetuar me një derr me emrin Max, që ngordhi në 2006-ën dhe për shumë vite edhe nën shoqërinë e dy qenve. Kluni është një mbështetës i Partisë Demokratike amerikane dhe një nga përkrahësit e flaktë të fushatës ku fitoi Barak Obama.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›