E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kam qenë dëshmitare e dhunës ndaj studentëve” – Marjana Koçeku: Institucionet po heshtin! Kërcënimet e Ramës? Kuvendi duhet t’i kërkojë llogari për një zgjidhje politike

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, në një prononcim për News24, foli për letrën që i ka dërguar ambasadave të huaja, përmes së cilës ngre shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve, ndalimet dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja identifikimi policor.

koceku

Ajo deklaroi se edhe për faktin që vendi ndodhet në një moment pranë BE-së, duhet që ndërkombëtarët të flasin për të drejtat e njeriut. Ajo deklaroi se ka qenë vetë dëshmitare e dhunës kundër të rinjve, ndërsa shton se institucionet po heshtin përballë dhunës së policisë ndaj tyre.

“Shqipëria është shtet demokratik që po synon t’i bashkohet BE-së dhe si e tillë ka për detyrë të respektojë të drejtat themelore të këtij Unioni. Aq më tepër në momentin politik ku ndodhemi, përfaqësitë diplomatike duhet të angazhohen dhe sigurohen që këto parime dhe të drejta themelore të respektohen.

Në letër, kam theksuar dhunën nga ana e policisë dhe civilëve të paidentifikuar pa uniforma dhe pa numra dhe që kanë përdorur mjete makabre kundër adoleshentëve, studentëve dhe të miturve. Jam dëshmitare dhe e kam parë me sytë e mi dhunën në shesh, duke i vizituar në komisariat dhe spitale.

Kam parë edhe heshtjen institucionale përballë këtyre shkeljeve dhe ndjekjes së procedurave të nevojshme ligjore për të kuptuar se kush po i ndjek këto lloje operacionesh policore.”, deklaroi ajo.

Më tej, ajo komentoi edhe kërcënimet e bëra nga kryeministri ndaj të rinjve, duke thënë se këto komente i ka dëgjuar prej muajsh që kur nisi protesta në muajin maj. Ajo shton se është e rëndësishme që t’i kërkohet Kuvendit që të ushtrojë presion ndaj qeverisë për të ofruar një zgjidhje politike.

“Janë fjalë të dëgjuara që kur dhe nuk ka asgjë të re nga ky drejtim. I kemi dëgjuar prej muajsh që kur protestonin në mënyrë paqësore dhe nëpërmjet termave dhe etiketimeve të ndryshme është munduar që kauza e tyre të tjetërsohet. Ajo që është më e nevojshme është oferta politike për një zgjidhje të mundshme prandaj i kam bërë thirrje kuvendit që të mblidhet, të ushtrojë detyrën kushtetuese dhe të kërkojë llogari për zgjidhje politike. “, shtoi ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›