Kam simpati për Zj. Topalli
Fjala simpati përdoret në shqip kryesisht për të kumtuar një ndjenjë admirimi apo vlerësimi për dikë. Për shembull, në shqip ne themi: “kam simpati të veçantë për iks këngëtar apo aktor”. Ndërsa në anglisht, fjala simpati përdoret kryesisht për të kumtuar ndjenjën e keqardhjes për dikë. Për shembull, anglezët thonë: “pranoni simpatinë time për humbjen e babait tuaj”. Këto dy kuptime të fjalës simpati më erdhën në mendje tek po ulesha të shkruaja këto rreshta për zj. Jozefina Topalli, e cila është vënë në qendër të lajmeve javët e fundit.
Kam simpati për zj. Topalli sepse është e para grua në historinë e Shqipërisë që ka arritur të zgjidhet në krye të Parlamentit, si dhe gruaja që është ngjitur në postin më të lartë shtetëror krahasuar me çdo grua shqiptare deri më sot. Kam simpati për zj. Topalli sepse vjen nga një familje e djathtë me traditë prej qytetit që ishte qendra më e madhe kulturore dhe tregtare e Shqipërisë në kohën kur ne fituam pavarësinë. Kam simpati për zj. Topalli sepse ajo, pavarësisht nga pengesat që i nxorri regjimi komunist, arriti të mbaronte studimet e larta me rezultate të shkëlqyera. Kam simpati për zj. Topalli sepse ka demonstruar herë pas here pavarësi politike nga bosi i fuqishëm i partisë së saj, siç ishte për shembull rasti i votës së saj kundër kandidaturës për Kryeprokuror të Theodhori Sollakut, ish-këshilltarit juridik të Berishës. Së fundi kam simpati për zj. Topalli sepse është një grua që, me hiret e saj, i jep nur postit të lartë që mban.
Dhe tani le t’i kthehemi versionit të dytë të fjalës simpati, atë që nënkupton keqardhje. Më vjen keq për zj. Topalli kur e shoh që po mundohet t’i bëjë një karshillëk institucional zyrës së Presidentit të Republikës, pikërisht kur në krye të saj është i pari shqiptar në 80 vjet që nuk ka qënë ndonjëherë komunist ose s’ka pasur ndonjë lidhje familjare me komunizmin. Gjithashtu më vjen keq – në fakt shumë keq – për zj. Topalli, kur shoh që e ofendon publikisht Presidentin e Republikës, duke e quajtur Haxhi Qamil dhe duke ndërsyer gjithfarë kolektivash punonjëse që ta sulmojnë atë.
Për sa shkruajta më sipër, ndjej një simpati të thellë për zj. Topalli – në të dyja kuptimet e fjalës…
