E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Keqardhje për reagimin brutal të deputetëve të PD-së

Kryetari i PS Edi Rama ka shprehur keqardhjen e tij për reagimin e deputetëve të PD-së në Komisionin e Ligjeve, lidhur me tryezën publike të organizuar shkëlqyeshëm nga kolegët e tyre socialist mbi drejtësinë në sfidën e integrimit. Në një deklaratë për shtyp kreu i PS-së Rama thekson se ky reagim është i pajustifikueshëm ndërsa ka shtuar se Partia Socialiste do të vazhdojë politikën e saj të dorës së shtrirë për të mundësuar integrimin e vendit dhe mospërsëritjen e dështimit dramatik për të tretën herë.

“Se kush e ka përgjegjësinë kryesore për dy dështimet rresht këtë e thotë qartë Progres Raporti dhe e shpjegoi me një elokuencë të admirueshme Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës vetëm pak ditë më parë. Por ne nuk duam të humbasim energji e kohë me fajësime dhe as të biem në batakun e sharjeve ku llokoçitet përditë politika e qeverisë. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Kemi ofruar një pakt dhe s`do rreshtim së ofruari ide europianizuese dhe përkushtim patriotik. Shqiptarët le të bëjnë dallimin” ka shtuar Rama.

Ai gjithashtu ka falenderuar të gjithë kontributorët e nderuar të tryezës dhe të gjithë partnerët e miqtë ndërkombëtarë, të cilët iu përgjigjën pa asnjë përjashtim ftesës së deputetëve tanë të Komisionit të Ligjeve për të qenë të pranishëm. “Së shpejti ne do të publikojmë Raportin e Tryezës me kontributet e zgjeruara të të gjithë pjesëmarrësve” ka theksuar Rama.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›