Kamerun nis detyrën si kryeministër i Britanisë: Objektivat e Qeverisë sime
Në Britaninë e Madhe, kryetari i konservatorëve David Kamerun, ka nisur detyrën si kryeministër i ri i vendit. Në selinë e tij në Downing Street në Londër, Kamerun priti zëvendëskryeministrin e ardhshëm, Nick Clegg, të Partisë Liberaldemokrate. Ai premtoi një politikë të re, në të cilën “interesat kombëtarë janë mbi ato partiake”. Duke folur para gazetarëve në Kopshtin e Trëndafilave të selisë së kryeministrit, Kryeministri i ri tha se ky është koalicioni i parë qeveritar në Britani që prej 65 vjetësh. “Kjo qeveri do të jetë e bashkuar mbi bazën e tri parimeve kyçe: lirisë, drejtësisë dhe përgjegjësisë. Do të jetë një administratë e bashkuar në objektivin kyç për t'i dhënë vendit tonë një drejtim të fortë dhe të qëndrueshëm, i cili na duhet në periudhë afatgjatë”, u shpreh ai. Pas humbjes zgjedhore të partisë së tij laburiste, kryeministri i deritanishëm britanik Gordon Brown dha dorëheqjen.