E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamëz, Berisha: Rama ju etiketoi shpellarë e çeçenë, ta çojmë në bunkerin e harresës

KAMËZ- Nga Kruja, kryeministri Berisha e zhvendosi fushatën e tij elektorale në Bashkinë e Kamzës. Gjatë fjalës së tij, kryeministri e etiketoi Kamzën si bastion e PD, “Kamza e fitores sonë të shkëlqyer”, tha ai, ndërsa premtoi shumë investime për 4 vitet që vijnë. 

“Së shpejti do të ndërtohet ujësjellësi që do ju furnizojë me ujë 24 orë, do keni një universitet tjetër”, tha ai, ndërsa shtoi se, “Kamza është qyteti i vetëm në Shqipëri që trefishoi bizneset, duke hapur dhjetëra mijëra vende punë”. 

Berisha premtoi në Kamëz ndërtimin e “2 parqeve logjistike që kërkojnë mbi 30 mijë punonjës. Do ndërtojmë një nga pallatet e sportit më modernët në Shqipëri, rruga jonë është rruga e zhvillimit të Kamzës, e punësimt, e rritjes së rrogave dhe pensioneve, e shërbimeve të shkqëlqyera për ju”, tha ai. 

Duke akuzuar liderin e PS-së Edi Rama për përbuzjen e banorëve të Kamzës, Berisha i ftoi ata të votëbesojnë  PD në mandiatin e tretë dhe ta lënë Ramën në bunkerin e harresës. Kreu i qeverisë nuk nguroi ta krahasonte kryesocialistin me Nastradinin. 

“Mandatin e ardhshëm ne marrim statusin, hapim negociatat, liberalizojmë vizat me SHBA. Alternativa jonë frymëzohet nga ju, bazohet tek besimi i pakufishë juaji, iniciativa juaj e lirë. Këto vite kemi ndryshuar Shqipërinë. Ju jeni këtu nga cdo zonë e vendit. Alternativa tjetër është etiketimi juaj njëherë shpellarë, herë tjetër çeçenë urdhëro zoti Rama këta burra që janë këtu nga të 4 anët e dheut kanë ndërtuar me supet dhe shpirtrat e tyre vila e shtëpi të bukra, qytetin e 6 më të madh të Shqipërisë. Po ju cfarë keni bërë? Je një piktor i dështuar që latë Tiranën me 250 km rrugë të pa asfaltuara, bëtë gjithcka që këta gra e burra të mos lëviznin me viza, mbajte peng statusin, sot qarkon me autobusin tënd, je identik si me qënë binjak me Nastradinin, ai udhëtonte me veshëgjatin, si me autobusin bunker. Ndaj edhe 23 qershori do të të përcjellë në banesën e gënjeshtrës, në bunkerin e harresës”, tha ai.

BASHA: TIRANA I THA JO RAMËS
Ishte kryebashkiaku Lulzim Basha i pari që kërkoi mbështetjen e banorëve të Kamzës për Partinë Demokratike, ndërsa nuk nguroi të akuzonte Ramën. 

“Rama e la Tiranën në një gjendje më të keqe se sa Kamza, por Kamza e ka një mik të sigurt është Sali Berisha dhe PD. Në Tiranë i thanë jo modelit të keqadministrimit, le ti themi jo edhe sot modelit që rri shtrembër e flet shtrembër”, shtoi ai. 

DOGJANI: BERISHA ESHTE LIDER, RAMA NUK DEGJON ASKEND
Gjatë fjalës së tij në mitingun e Kamzës, ish-deputeti socialist Asllan Dogjani, tashmë kandidat i PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit, hodhi akuza në drejtim të liderit socialist Edi Rama. Sipas Dogjanit, Rama nuk dëgjon askënd veç vetes së tij, ndërsa Berisha është një lider i vërtetë.
“Rama shkon për të biseduar me banorët dhe nuk i dëgjon ata. Zgjodhi deputetët që janë të pasur e të pafjalë. Unë nuk jam milioner, jam si ju dhe do iu përfaqësoj.”- deklaroi Dogjani.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Krujë, Berisha: Të quash Fidelin e Kokëdhimën rilindas, si t’i thuash Zani Çaushit Skënderbe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›