E Diel, 1 Nëntor 2026

Koplik, Rama: Zgjedhja e 23 qershorit, pushteti mbi qafë ose qeveria përkrah

KOPLIK - Partia Socialiste u ndal sot në Koplik, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit. Kryesocialisti Edi Rama ftoi qytetarët t’i besojnë Partisë Socialiste, duke i garantuar se pas 23 qershorit do të kenë një qeveri që do tu qëndrojë përkrah.

“Nuk kemi dalë në këtë rrugëtim për të treguar përralla, përrallat jua tregon gjyshi me antiplumb, mjafton të hapni televizorin dhe keni gjyshin atje me 200 roje. Ne nuk kemi ardhur t’ju themi që Malësia e Madhe do të bëhet si Zvica, por kemi ardhur të zotohemi se do t’ju japim një qeveri që do të jetë krah për krah me ju. Kemi ardhur të zotohemi se hallet e një familje të zakonshme shqiptare do jenë dhe problemet e qeverisë. Se shpresat dhe ëndrrat e këtij populli që kërkon të jetojë me punë të ndershme do të jenë ëndrrat dhe shpresat e qeverisë. Zgjedhja në 23 qershor është , o me një pushtet në qafë, o me një qeveri në krah”- deklaroi Rama.

Sipas liderit të së majtës, “vota e 23 qershorit nuk është thjesht një votë për një parti apo një tjetër, por është një votë për dy mënyra të ndryshme të jetuari.” 

Në përgjigje të ironisë së kryeministrit Berisha për autobusin e PS-së, Rama tha: “Thotë mavi, që në turqisht do të thotë blu, flamuri i PD. Ta mësojë se nuk e kanë fajin ngjyrat, por ata që nuk i njohin ngjyrat. Ata që i ngatërrojnë ngjyrat. Që duan ngjyrat për ta, kur populli jeton bardhezi. Thotë autobusi autobusi, më mirë në autobus me kolegë e me miq apo me antiplumb e me 200 roje e me benz të blinduar. Si thoni ju, më mirë me një autobus të marrë me qira si njerëz të zakonshëm të këtij vendi, për të treguar se Shqipëria mund të rilindë, apo me jelek antiplumb, makinë të blinduar e me sheshe të mbushur me rrogëtarë të shtetit, që i detyrojnë të mbushin sheshet se ndryshe i largojnë nga puna”.

Më tej Rama theksoi angazhimin e të majtëve për rritjen e punësimit, mbështetjen për familjet shqiptare, ulje taksash për 95% të shqiptarëve, heqjen e taksës për disa nga ushqimet bazë, etj.

Tom Doshi: Berisha e ka spostuar Jozefinën, ja ka zënë vendin Majlinda
Gjatë fjalës së tij përpara mbështetësve të PS-së në Koplik, Tom Doshi u shpreh i bindur për një fitore të thellë të socialistëve në qarkun e Shkodrës. Sipas tij, të majtët do të marrin 7 mandate në këtë qark. 

“Në vitin 2009 unë isha i ndarë me Paulinin. Por sot jemi bashkë. Kundërshtari jonë merret përditë me ne, sepse e sheh humbjen dhe humbjen më të madhe do ta ketë në Shkodër. Brenda kandidatëve që ka venë Sali Berisha ka probleme të trashëgume. Përfaqësuesi i PD në Malësinë e Madhe e ka pas qujt Jozefinën moldave. Probleme kanë me njëri-tjetrin, por problemi më i madh është mes Jozefinës dhe Salës, sepse deri në 2009-ën Jozefina nuk la asnjë grua që të përfshihet në politikë. Por tani ja ka zu vendin Majlinda. Pleqnia bën të vetën dhe Sala e ka spostu Jozefinën. Sot ishte dita e fundit e parlamentit dhe Jozefina sulmoi dy kolegët tanë. Dua ti them Jozefinës se Sul Bushati është një pensionist dhe baba i Tahirit është një qytetar i thjeshtë, por ti beja të qartë qytetarëve me çfarë i ndërtove vilat dhe me çfarë i bleve tokat. Duhet ti tregosh Shkodrës korrupsionin që ke bërë me tenderat në arsim, rrugë, çdo investim që ka pas në Shkodër. Dua ti them Salës, a ka babë kryeministër dhe djalë si Shkëlzeni që vjedhin kështu. Jeni shembulli më i keq në Shqipëri. Me këtë mbështetje fitorja e PS-së në qarkun e Shkodrës do të jetë 7 deputetë për PS dhe 4 për PD. Fitore, fitore.”- deklaroi Doshi.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rama në Velipojë: Vota symbyllur për PD ka marrë fund

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›