E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat, LSI zgjeron kërkesat në gjithë kabinetin

LSI-ja përcakton prioritetet që përkthehen në mandate qeverisëse: ekonomia, punësimi, bujqësia, arsimi, turizmi e shëndetësia


TIRANË - Negociatat zyrtare mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim do të fillojnë 10-ditëshin e fundit të këtij muaji.


Nga 20 gushti, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, do të jenë dy liderët që do të diskutojnë zyrtarisht mbi platformën e ardhshme qeverisëse dhe, mbi të gjitha, mbi përfaqësimin që LSI-ja do të ketë në kabinetin e ri qeveritar.


Një prej zyrtarëve të lartë të LSI-së, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje se është në fazat e fundit platforma e ardhshme qeverisëse, duke bërë publike edhe prioritetet e kësaj partie.


Edhe pse nuk ka dashur të prekë konkretisht çështjen e ndarjes së portofoleve, përmes prioriteteve që LSI-ja ka përcaktuar, duken qartazi edhe synimet e saj, që mesa duket shtrihen në të gjithë kabinetin qeveritar.


"Jemi duke punuar mbi një platformë, mbi të cilën janë vendosur prioritetet tona dhe që ne duhet t'i arrijmë nëpërmjet bashkëqeverisjes me PD-në, objektiva politike, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me integrimin e vendit.


Këtu mund të përmend çështjet e punësimit, çështjet e zhvillimit të sektorëve të caktuar, siç mund të jetë bujqësia apo turizmi, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve në fushën e shëndetit publik, gjithashtu edhe në fushën e arsimit. Është çështje e negociatave se cilat prej këtyre prioriteteve do të harmonizohen me prioritet e qeverisjes në përgjithësi",- tha dje Haxhinasto.


Por LSI-ja shkon edhe më tej me pretendimet e saj. Në këmbim të numrave që do të japë për qeverinë e re, kjo parti, ende pa filluar puna e qeverisë së re, po përpiqet të trumbetoje se bashkëpunimi me PD-në do të jetë i gjatë, teksa flet për marrëveshje për zgjedhjet lokale e deri për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.


"Platforma jonë politike, kryesisht do të fokusohet tek programi i përbashkët qeverisës për të ruajtur profilin tonë politik, për të realizuar premtimet, që u kemi bërë zgjedhësve dhe për t'u konfirmuar si një forcë politike, e cila jo vetëm gjeneron ide e projekte dhe platforma, por edhe i realizon ato me sukses.


Kodi duhet të jetë një prioritet madhor i të gjitha forcave politike që zgjedhjet të mos kontestohen", - tha Haxhinasto. Edhe pse ka kaluar një muaj nga përgjigja pozitive që kryetari i LSI-së, Meta, i ka dhënë Berishës për bashkëqeverisje, mes dy partive ka pasur vetëm negociata jozyrtare, kryesisht me dy liderëve.


Ata kanë shfrytëzuar vende që janë jashtë vëmendjes së medias për të diskutuar mbi vendin që LSI-ja do të zërë, për të kaluar më pas formalisht në negociatat zyrtare. Deri më tani, LSI-ja ka kërkuar katër portofole ministrore, ndërkohë që Berisha është i gatshëm që të japë vetëm dy të rëndësishme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›