E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamishi e padit shefin

Nga Express më 22 prill 2011 në ora 12:23

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i njohur si “Kamishi”, tha sot në Kuvendin e Kosovës se i ka dhënë fund debatit të nisur qe sa kohë me deputetin e Vetëvendosjes, Florim Krasniqi.

Por ai tha se dëshiron ta njoftojë Kuvendin se ka iniciuar hetim për Florin Krasniqi, në organet e drejtësisë në SHBA dhe Kosovë. Haxhiu është anëtar i Komisionit parlamentar për Inteligjencë, kurse Krasniqi është shef i këtij komisioni.

“Duke qenë se përcaktimin ne të zgjedhurit e popullit është mbrojta e ligjshmërisë, pasurisë shtetërore dhe interesit qytetarë, duke qenë se jemi përcaktuar për shtet ligjor veprim institucional dhe krijimin e një shteti mbi baza etike e humane, duke qenë qe e vërteta është sinonim dhe kërkesë e shumicës së popullit tonë unë kam mbledhur 15 nënshkrimet e deputetëve të Kuvendit dhe kam iniciuar hetim ndaj deputetit Florin Krasniqi në organet e drejtësisë në Kosovë dhe SHBA”, ka thënë deputeti Haxhiu.

Ai potencoi se një kopje të këtë inicim hetimor do t’ia ofrojë edhe Kuvendi jo pse ka për detyrë te hetojë, por sipas tij për të treguar se çfarë personi udhëheqë me një Komision parlamentar. Haxhiu mes tjerash tha se me këtë inicim, i ka dhënë fund debatit me deputetin Krasniqi.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Fadil Demaku, e ka kritikuar prezantimin e Krasniqit gjatë një vizite zyrtare në Shqipëri, të Komisionit parlamentar për Inteligjencë.

Ai tha se Krasniqi, gjatë vizitës nuk i është përmbajtur protokollit shtetëror, por është marrë me tregime personale, ndërsa i kërkoi atij që herëve tjera, të jete i kujdesshëm, se si e prezanton shtetin e Kosovës gjatë vizitave zyrtare.

Kuvendi fillon me debate “të nxehta”

Kurse shefat e grupeve parlamentare të Vetëvendosje dhe AAK, Visar Imeri dhe Adrian Gjini, e kanë kritikuar planin zhvillimor ekonomik të Qeverisë së Kosovës të hartuar në Bulgari.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Imeri e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në hartimin e strategjisë së zhvillimit ekonomikë të Kosovës në Bullgari. Duke e pyetur që nëse Qeveria ka pasur më parë strategji zhvillimore, siç ka deklaruar, atëherë pse është dashur të hartohet kjo strategji. Ai me ironi e ka pyetur kryeministrin Thaçi “a e keni ndërmend që të zbrisni nga skijat ndonjëherë?”.

Qasje kritike ndaj kësaj strategjie ka pasur edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Adrian Gjini, duke u ndjerë i turpëruar, siç tha ai, që Qeveria e ka zgjedhur Bullgarinë, për të hartuar strategji për zhvillim ekonomik, e jo këtë ta bëjë në vendin tonë.

Për pjesëmarrësit në takim, Gjini u shpreh se ishin “hëm arnautë, hëm turistë”.

Ai e ka quajtur trup edhe ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, që ka ndodhur mbrëmë ndaj “plisave”, në Pallatin e rinisë.

“Asi mësymje ndaj të rinjve të Kosovës, nuk është bërë që të paktën 13 vjet”, tha ai dhe përgjegjësinë për këtë e ka adresuar te Qeveria e Kosovës.

Burim Ramadani nga AAK, ka kërkuar që të fillohet hetimi i punës dhe veprimtarisë së ish-Shërbimit Informativ të Kosovës, të cilën iniciativë tha se do t’ia dorëzojë të gjitha grupeve parlamentare.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajdredin Kuçi, u është përgjigjur shqetësimeve të deputetëve, si për planin zhvillimor ekonomik dhe ndërhyrjes së policisë së Kosovës ndaj tifozëve, për të cilin incident tha se do të hetohet.

Ai ka folur dhe për diskutimin e deputetes së Vetëvendosjes, Alma Lame, e cila planin zhvillimor të Qeverisë, e quajti një makinë të propagandës.

“Alma e përmendi makinën e propagandës. Alma vetë makina e propagandës është propagandë”, tha Kuçi, në përgjigjën ndaj fjalës së deputetes Lama. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›