E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozy: Kosova mund të llogarisë në ndihmën e Francës

Nga Express më 22 prill 2011 në ora 13:45

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, e ka uruar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e zgjedhjes në krye të vendit.

"Prej pavarësisë së saj para tri viteve, Kosova ka bërë reforma të rëndësishme. Por, të tjera duhet ende të bëhen dhe në veçanti për të konsoliduar institucionet, sundimin e ligjit, si dhe të favorizohet integrimi i minoriteteve. Sfida të rëndësishme duhet kaluar, në fushën ekonomike dhe sociale, si dhe në marrëdhëniet me Serbinë. Ky është objektivi i dialogut të angazhuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit", thuhet në urim.

"E përshëndes vullnetin tuaj për të dhënë impulsionet politike për të realizuar reformat dhe për t’i pranuar sfidat. Këto janë etapa të nevojshme për vazhdimin e integrimit evropian të Kosovës, që ka plotësisht prirje t’i bashkohet Bashkimit tonë, sikurse çdo anëtar tjetër", shkruan Sarkozy, transmeton Presidenca.

Në këtë rrugë, vazhdon presidenti francez, "për të realizuar këtë ambicie, mund të llogaritni në ndihmën e Francës, sikurse keni llogaritur në mbështetjen e saj për ta njohur dhe për ta përforcuar Shtetit tuaj të ri".

Letrën e urimit, Presidentes Jahjaga ia dorëzoi sot ambasadori i Republikës së Francës në vendin tonë, Jean-François Fitou.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›