E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampion si Erkandi

EDI LESI

Nuk e hasim çdo ditë atë që pamë dje në televizion, momentin kur Erkand Qerimaj po bëhej gati të merrte medaljen e kampionit të Europës për të rritur në garën e Antalias. Teksa shkonte drejt podiumit, me Himnin shqiptar në sfond dhe Flamurin tonë Kombëtar që zinte gjithë faqen e murit, kamerat kishin fokusuar sytë e rrëmbushur të djaloshit 24-vjeçar, me buzët që i dridheshin nga emocionet, ndërsa edhe ai vetë këndonte kush është burrë nuk frigohet.
Ishte e qartë se himni dhe flamuri ynë, që zinte kryet e vendit mbi shumë ngjyra të tjera kombëtare të Europës, peshonin mbi shpatullat e Erkandit më shumë se 158 kilogramët e stilit të shkëputjes, 190 të shtytjes dhe 348 të dygarëshit.
Këto qindra kilogramë ishin bërë erë tashmë, ndërsa medalja e artë që shkon për Shqipërinë rëndonte plumb mbi kampionin tonë të Europës.
Këtë sukses ua dedikoj gjithë shqiptarëve në mbarë botën, i tha ai dje gazetarëve.
E çuditshme kjo që ndodh me Erkandin, kjo ndjenjë patriotizmi. Kur mu dha rasti para do kohësh për ta pyetur se pse e kishte kaq merak flamurin tonë dhe përfaqësimin e Shqipërisë, më tha se kështu e ndiente, e kishte si gjenetike, që i buronte edhe nga familja.
Erkandit i kanë bërë shumë oferta vende me traditë në sportin e peshëngritjes, por nuk është ndërdyshur asnjëherë dhe ka thënë jo. Jeta e tij do të kishte ndryshuar në mënyrë dramatike nëse do të pranonte. Do të kishte më shumë para, më shumë stimulim, stërvitje më të mirë dhe më shumë famë.
Ka vazhduar të stërvitet herë në Tiranë e herë në Shkodër, në ato salla me shtanga, me suva të rënë, xhama të thyer dhe pa dush. Sigurisht, pakkush është kujtuar për të. Endej në tallazet e jetës si secili prej nesh, pa pasur shumë vëmendje, vazhdonte të ngrinte hekura dhe ja ku e solli ora për të marrë frytet e kësaj pune: Kampion Europe. Sot doemos që projektorët e opinionit publik do të sulen drejt tij. Do ta ftojnë nëpër studio dhe do ta presin në zyra të rëndësishme.
Por kjo nuk është hera e parë që ai del kampion. Edhe më parë ka marrë medaljen e artë për të rinj. Më pas është lënë në harresë në stuhitë e ditëve të tij.
Ai vetë, dhe vetëm me këmbënguljen e tij doli sërish në krye. Ka një tendencë për ta minimizuar këtë trofe. Peshëngritja nuk ka famën e sporteve të tjera. Gazetat, edhe ato sportive, merren çdo ditë me tatuazhin e Canës dhe të dashurat e tij të reja. Por një kampion Europe nuk është në axhendën e gjërave të rëndësishme dhe të njerëzve të rëndësishëm të Tiranës.
Shtanga në të vërtetë nuk është një sport shumë popullor. Por le të imagjinojmë për një hop sikur ne të kishim në futboll kampionë Europe, në atletikë, në aspekte të tjera të rëndësishme të jetës ku ka garë, si në fushën e thithjes së fondeve, në hartimin e projekteve, në luftën antikorrupsion, në publicistikë, apo edhe në politikë. Ndryshe do të ishin punët, më mirë do të ishte ky vend.
Ne kemi tashmë një kampion Europe, të cilit nuk i mungojnë ofertat për të ndërruar kostumin kuqezi me një tjetër. Erkandi reziston dhe kërkon që himni ynë të këndohet edhe në Londër, në lojërat olimpike. Autoriteteve të sportit u takon ta trajtojnë rastin me përparësi. Ata e kanë për detyrë. Ne të tjerët të paktën duhet të vlerësojmë përpjekjet e sizifta të këtij djaloshi dhe emocionet e tij kur ngre lart flamurin kombëtar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›