E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta, Qeveria dhe Nene Tereza

Share

Halil Matoshi

Në Ditën e Kushtetutës së Kosovës, më 9 prill, as nuk u bë i gjallë shteti dhe as Kushtetuta. Në tokën kosovare (në veri të vendit) një turmë e vogël adoleshentësh të ndërsyer iu përgjigjën trumbetave të luftës dhe e demoluan fotografinë e mjerë të shtetit (një barakë plastmase), duke i përzënë dy policët e Bajram Rexhepit si të ishin hajdutë, duke e përsëritur pamjen e shtetit përmbys të Merdarit.
Presidentja, kryeministri, kryekuvendari dhe ministri i Drejtësisë recitonin në Prishtinë, keq e me patetizëm, vargje romantike për Kushtetutën

Rikthimi i kushtetutshmërisë në tërë tokën kosovare do ta detyronte NATO-n qysh të nesërmen që ta rikthente zonën tokësore të sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë, sepse mbrojtja e Kosovës nga agresioni është mandati kyç i KFOR-t.

Po kush dhe si ta bëjë këtë?

Fashizmi koncesual serb po e tejkalon veten, po rritet në sytë e Europës në totalnacionalizëm (term i Edgar Morinit), sepse nuk po e shpreh më këtë vetëm ndaj fqinjëve, por ndaj tërë botës demokratike, duke e shpërfillur dhe poshtëruar. Totalnacionalistët serbë sërish po kamuflohen nën parullën millosheviqiane ndodhi populli, duke eksportuar dhunë, përmes ngacmimeve nëpër kufijtë e Kosovës, por edhe brenda saj.

Në këtë Luftë të re të Ftohtë me Kosovën, Serbia e sotshme po i kombinon metodat destabilizuese të shërbimeve sekrete me terrorizëm klasik.

Po ajo Serbi, e cila u mobilizua më 17 shkurt 2008, duke djegur madje ambasada perëndimore dhe firma-simbole të globalizmit dhe liberalizmit si McDonalds etj., tashti e trimëruar, sepse po kalonte e pandëshkuar, iu riktkthye profesionit të vet të vjetër sa vetë serbizmi: vrasjes së shqiptarëve.

Edhe pas vrasjes së policit ukrainas të UNMIK-ut, më 17 mars të vitit 2008, gjatë operacionit për rikthimin e kontrollit të objektit të Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale në veri të Mitrovicës dhe plagosjes së mbi 100 pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së UNMIK ut, NATO-ja heshti, duke ruajtur raportet e mira me Qeverinë e Boris Tadiqit, madje pothuajse duke pranuar, me këtë heshtje se Serbia paskësh një kauzë të drejtë në Kosovë!?

Pasoi vrasja e policit kosovar Zymberi në pritë dhe sërish NATO-ja heshti, duke i vështruar nga afër strukturat ilegale të Serbisë tek marrin në thumb me snajperë policët kosovarë. Pasi u shkrepi kryengritja e dhunshme, serbët ultranacionalistë u organizuan që ti mbrojnë me barrikada këto të arritura, zmbrapsjen e Prishtinës nga veriu më 25 korrik 2011.

Pasuan sjelljet poshtëruese edhe kundër KFOR-it dhe EULEX-it, duke i ndaluar nëpër barrikada (relikte të luftës gjenocidale në Bosnjë, vetëm sa nuk i lidhën për shtyllash të elektrikut!?) ndërkohë që Brukseli zyrtar dhe selia e NATO-s vazhduan ti toleronin.

Sepse disa politikanë në Bruksel duan negociata.

Për çka dhe me çfarë të drejte?

Derisa me bekimin e KS të OKB-së dhe me miratimin e Perëndimit Marti Ahtisaari e hartoi një Plan për Kosovën, nga i cili derivoi Kushtetuta e saj, çfarë mund të negociojë tash Prishtina. Pakon apo lirinë e vet?

Pakoja, u thonë shqiptarëve në Perëndim, është e panegociueshme, por të njëjtën gjë nuk ua thonë serbëve!?

Negociata për territore nuk ka mandat të bëjë askush në Kosovë, sepse këtë mandat nuk ua lejon Pakoja!?

Duke qenë se Qeveria kosovare po sillet si organizatë joqeveritare, mjaftohet me dënimin e dhunës në veri, pa u trembur se ajo kështu po e shkatërron kohezionin kombëtar. Kohezioni mbahet duke dhënë shëmbëlltyrë të mbrojtjes së Kushtetutës dhe lirisë e jo duke rënë në gjunjë, ose duke thirrur qytetarët që të mos bien në provokime, që tashmë është një parullë historike.

Kështu rrjedh koha kushtetuese në Kosovë, pa e respektuar atë. Madje në mungesë të kulturës kushtetuese, dy qytetarët e parë që u penalizuan nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ishin pikërisht dy njerëz që ishin ngjitur në majat e shtetit, një president i zgjedhur legalisht dhe i dyti, një president nominal, por jokushtetues!?

Derisa një ditë komandanti i KFOR-it, gjermani Erhard Drews, doli në pikë të ditës dhe tha se problemi në veri të Kosovës është politik, së këndejmi kryeushtari i NATO-s në Kosovë u shpreh se nuk është këtu të bëjë politikë, por paqeruajtje, sepse, sipas tij, në veri është krijuar një realitet i ri!

Realitet pushtues që u dashka legjitimuar?

Agresion apo terrorizëm klasik, këtë përgjigje duhet kërkuar në Bruksel, e jo në Prishtinë.

Përligjje e hapët e pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, apo tërheqje taktike!?

Edhe këtë përgjigje duhet kërkuar në Bruksel.

Tërheqja e vazhdueshme e mekanizmave ndërkombëtarë, por edhe lidershipit kosovar para mësymjeve serbe nuk u dëshmua pragmatike, por vetëm sa u dha strukturave ilegale të Serbisë kohë për tu shtrirë të papenguar në tërë Kosovën, madje në mënyrë të tërthortë, një tërheqje e tillë u dha kurajë serbëve kosovarë të bëhen edhe më rezistentë për ta mbrojtur Kosovën serbe.

Dhe sot jemi në pikën kulmore.

Rezistenca dhe padëgjueshmëria e serbëve po merr gjithnjë e më shumë karakteristika të terrorizmit. Sulmi me eksploziv mbi një familje shqiptare në veri të vendit, ku u vra një qytetar, i ka të gjitha ngjyrat e terrorizmit, pa paragjykuar faktin se kush mund të jenë sulmuesit. Sepse në veri të vendit është suspenduar ligji, prandaj akëcili mund të terrorizojë qytetarët pa iu frikësuar ndëshkimit.

Sepse Kushtetutën e Kosovës nuk po e mbron më askush!?

Dhe NATO-ja sërish po hesht.

NATO-ja as atëherë dhe as sot nuk ia ka bërë qartë me dije Beogradit zyrtar se Aleanca Veriatlantike është këtu me mandat të qartë (sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së) për paqeruajtje, pra edhe për mbrojtjen e kufijve që cilësohen si administrativë.

Prandaj, me urgjencë dhe pa i pritur zgjedhjet në Serbi (çfarë e mire i vjen Kosovës nga ato zgjedhje?) presidentja e Kosovës në marrëveshje me kryeministrin dhe sipas Kushtetutës duhet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme të pjesshme në veri të vendit për ta rikthyer integritetin territorial, me mjete dhe metoda klasike shtetërore dhe tek pastaj ti ftojë në bisedime serbët kosovarë si shtetas, qoftë edhe duke shpallur pastaj amnisti të përgjithshme për rebelimin e tyre.

NATO-ja kësisoj do të detyrohet që sa më parë ta rikthejë Zonën Tokësore të Sigurisë përgjatë kufirit KosovëSerbi, në bazë të Marrëveshjes teknikoushtarake të Kumanovës, të datës 11 qershor 1999.

Përndryshe Serbia edhe mund ti zërë ushtarët e KFOR-it dhe ti lidhë për shtyllat elektrike përgjatë rrugëve të Mitrovicës.

Është thënë nga shumë diplomatë e burra shtetesh se Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës. Por është thënë po ashtu shumë herë se gjuha e forcës i tolerohet vetëm Serbisë në rajonin e Ballkanit.

Rikthimi i Zonës Tokësore të Sigurisë do ishte premisë e parë e stabilitetit të sigurisë në Kosovë, pra duke ndaluar mallrat e rrezikshme eksportin e dhunës në Kosovë dhe rajon.

Rikthimi i kësaj zone që ekskluzivisht është në kompetencë të KFOR-it dhe të Komandës së NATO-s  dhe ky hap do ta bindte edhe Rusinë, si nj

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›