Spastrimet paraprake të aleatëve nga Berisha
Votimi i së enjtes në Kuvend, po forcon profilin e ri të koalicionit elektoral të Berishës, i cili duket se do të jetë pa Lëvizjen Socialiste për Integrim. Siç kemi theksuar në disa analiza më parë, prania e Lëvizjes për Integrim në koalicionin e Berishës, paraqet rreziqe të mëdha për PD-në dhe aleatët e tjerë të saj tradicional. Rreziku i madh për Partinë Demokratike është se Ilir Meta, për shkak të formulës brenda koalicionit, merr afërsisht dhjetë deputetë, duke përfituar nga gjithë votat e partive të vogla brenda koalicionit. Një fuqizim kaq artificial i një partie, që politikisht ka marrë vetëm një deputet në vitin 2009, vetëm atë të Qarkut të Beratit, do të ishte një traumë jo vetëm për Partinë Demokratike, por dhe për aleatët e tjerë tradicionalë të saj, të cilët do të ngeleshin jashtë Kuvendit.
Duke i shtuar këtij rreziku dhe imazhin e LSI-së, si një parti plaçiktëse në koalicion, e cila ka të vetmit zyrtarë të arrestuar dhe akuzuar për korrupsion nga gjithë mazhoranca, atëherë është e qartë se PD ka interes madhor ta shtyjë atë jashtë koalicionit. Një nxjerrje e LSI-së jashtë koalicionit, nuk e dëmton seriozisht PD-në, pasi shumica e votave të LSI-së, nëse ajo qëndron si parti e pavarur, do të shkojnë dëm dhe nuk do të ndihmojnë koalicionin e opozitës. Po ashtu, duke qëndruar mes dy partive të mëdha, LSI ka pak shanse ti mbijetojë infrastrukturës elektorale dhe aq më pak shanse të formojë një koalicion partish si më 2009. Katër deputetët që LSI mori më 2009, përveç Nasip Naço-s në Berat, janë realisht jo nga vota të LSI-së, por individëve ose aleateve. Lefter Koka ka fituar në Durrës falë votave që ai ka personalisht në qytet, plus ndihmën që i dha kandidati biznesmen i Fushë Krujës, që shkuan në favor të Kokës. Dritan Prifti në Fier ka bastionin e tij elektoral, plus ndihmën që i dha PD-së për të mos i vjedhur votat. Ilir Meta siç dihet deri në minutën e fundit nuk ishte deputet, sikur Partia Socialiste të mos toleronte trafikun e votave drejt tij në dy qendra votimi gjatë procesit të numërimit, dhe sikur të mos kishte gjysmën e votave nga partitë aleate me të. Në këto kushte, duket se Berisha ka më leverdi të vendosë të tretin në Berat Nasip Naçon si kandidat të PD-së, se sa të mbajë gjithë LSI-në në koalicion për një deputet.
Të njëjtën strategji duket se Berisha do të ndjekë dhe me partinë e quajtur e Çamëve. Mosbesimi i tij ndaj Shpëtim Idrizit është i dukshëm, nëse ai hyn brenda koalicionit me PD-në dhe rimerr dy deputetë. Konflikti Idrizi-Tahiri, është një rast i mirë për Berishën të caktojë të pestin në listën e Vlorës Dashamir Tahirin dhe me këtë rast shpëton nga faktorizimi i partisë së çamëve brenda PD-së, e cila përveçse ja bën të pasigurt listën, ja bën dhe më të vështirë marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor, ndaj të cilëve është shumë i dëgjueshëm.
Me këtë skemë Berisha shkon drejt zgjedhjeve duke i rihapur rrugën Fatmir Mediut si deputet, i cili e ka imunitetin interes jetik, pasi pa atë rishkon para gjykatës dhe dënohet minimumi 6 vjet burg, aq sa u dënua ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Edhe pse gjatë votimit të së enjtes u duk se Mediu me çamët ishin faktor vendimtar për shumicën, në të vërtetë ata janë të gjithë dhimbje koke për Berishën, përveç Mediut. Ndaj Mediut, Berisha ka detyrime familjare, pasi ende po hesht për përfshirjen e të birit të tij në Gërdec(përveç rasteve kur nxehet mes miqsh e shokësh) dhe ndaj çamëve ka një mosbesim të fortë sa i përket përdorimit të mandateve pas zgjedhjeve. Në interes të Berishës është një koalicion i gjatë i pafund me parti të vogla, të cilat vetëm i japin, pa i marrë gjë. Duke peshkuar individë dhe duke shtyrë jashtë koalicionit LSI-në dhe ndoshta dhe Idrizin, Berisha mund ti hapë rrugë kandidimit të Islamit në Mallakastër në emër të PD-së, Naço-s në Skrapar po në listë të PD-së dhe Tahirit në Vlorë, po në listë të PD-së. Me kaq ai i merr votat e atyre komuniteteve elektorale që pretendohen të thithen nga sigla e LSI-së, apo çamëve dhe çlirohet në fushatë nga akuzat se po u rikërkon votat shqiptarëve përkrah një njeriu që është parë me zë dhe figurë duke plaçkitur në emër të pushtetit.
Prova e forcës që Ilir Meta desh të bënte në votimin e së enjtes dështoi, pikërisht për shkak të kësaj manovre të Berishës, dhe fill pas seancës të gjithë e pamë se Ilir Meta nuk pranonte se kishte një plan kundër PD-së, por e konsideronte mosvotimin e grupit të tij aksidental. E gjithë kjo bëhet pikërisht për të mos u bërë i padobishëm para kohe për Berishën dhe ndoshta për ta frenuar planin e tij, që synon ta shtyjë jashtë koalicionit elektoral në vitin 2013.
