Shumë pyetje për një ministër
Rushit Kusho / I verbër
Në qershor të vitit 2010, Kryeministrit i është dërguar një platformë bazë mbi të cilën kërkohet reformimi i pagesave. Kjo i është dërguar edhe punonjësve të Ministrisë. Sot e kësaj dite juve nuk keni ndërmarrë asnjë hap për të dhënë qoftë edhe një përgjigje formale. Z. Ministër ne ju pyesim përse nuk i kthyet një përgjigje Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar lidhur me propozimin për nënshkrimin e një kontrate bashkëpunimi? Ne ju pyesim përse është ndërprerë procesi i miratimit të draft-ligjit për përfaqësimin demokratik të personave me aftësi të kufizuara të miratuar në këshillin ndërdikasterial më 9 mars 2009? Ju nuk keni dhënë asnjë përgjigje me shkrim a me gojë për ndryshimet e propozuar në udhëzimin tuaj për lëshimin e librezave. Duket qartë dhe nuk ka nevojë për koment se heshtja juaj zyrtare dhe ligjore ka injoruar plotësisht ekzistencën tonë. Juve nuk e keni respektuar qoftë edhe formalisht Kodin e Procedurave Administrative që ju detyron të ktheni një përgjigje brenda 30 ditëve. Z. Spiro Ksera, ne kërkojmë që shteti të na trajtoje ne si qytetarë të barabartë dhe jo si qytetarë të rangut të fundit që nuk meritojnë as edhe 2 gisht kartë për përgjigje. Vrulli që ju keni marrë në shkeljen e të drejtave tona dhe në ripërcaktimin e tyre në një standard më të ulët nga çi kemi aktualisht, është si një vrap në një dishezë. Sigurisht që ne jemi të shqetësuar se nuk jemi të sigurt se ju keni frenat e duhura, vetëkontrollin dhe vetëpërmbajtjen. Z. Ministër ne duam tju garantojmë se në të gjitha rastet në çdo sistem dhe në çdo qeveri organizatat e kësaj natyre janë bashkëpunëtore të qeverisë, se e shumta që ata mund të bëjnë është oponenca duke u ankuar siç po bëjmë ne sot. Ne e kemi shumë të qartë se opozita është mision i partive politike dhe për këtë arsye ne kemi bërë dhe do të bëjmë çfarë kemi në dorë për të biseduar me juve, sigurisht nëse ju keni veshë për të na dëgjuar pasi ne nuk kemi sy për tju parë ku jeni ju.