Kampione bote, Enkileda Carja, vajza që po “ngre peshë” Shqipërinë!

Enkileda Carja, Kampione bote në peshëngritje U17 ishte e pranishme në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, ku u fol për suksesin e saj.
“Kam pasur sfidat e mia, por nëse punon sfidat kalohen dhe arrin atë që do. Pas shkolle, merrem me pjesën e stërvitjes, stërvitem katër orë”, tregoi ajo.
Eglantina Kalemi, trajnere, tregoi sesi e pikasi talentin e Enkiledës.
“Enkileda e ka filluar stërvitjen për peshëngritje, në moshën 9-vjeçare. Ajo vinte për të shoqëruar motrën e saj më të madhe, që e kisha spikatur para Enkiledës. Është ndër më të mirat e Europës, botës dhe Shqipërisë. Fitoret e saj i prisnim”, tregoi trajnerja.
Elez Gjoza, president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, tha se po bëhet një punë e shkëlqyer.
“Ka qenë dhe mbetet sporti numër një, në Shqipëri. Po bëjmë një punë të shkëlqyer. Tani sporti është ngritur në nivel. Në Lojërat Olimpike ne nuk morëm pjesë, është çështje përfaqësimi, duhet që të kapësh disa pikë për të shkuar në olimpiadë, pas 4 vitesh jam i sigurt që do të përfaqësohemi”, u shpreh ai.
Enkileda Carja, e lindur më 23 janar 2008 në Elbasan, është ylli i ri i peshëngritjes shqiptare.
Në vetëm 8 vite karrierë, ajo është shpallur rreth 40 herë Kampione e Shqipërisë, ka fituar 20 kupa si sportistja më e mirë e vendit dhe një tjetër si sportistja më e mirë e Europës, në vitin 2023.
/rtsh.al/