Kampioni e nis furishëm
Në xhiron e parë të Superligës janë zhvilluar disa ndeshje interesante. Katër skuadra kanë ndalur pikët e plota në shtëpi derisa në udhëtim nga një pikë e morën Prishtina që barazoi përballë Vëllaznimit dhe Trepça ’89 përballë Drenicës.
Vëllaznimi – Prishtina2:2
Derbi i xhiros së parë i edicionit të ri të Superligës së Kosovës, i zhvilluar të dielën në Gjakovë, mes rivalëve Vëllaznimit e Prishtinës, ka dhuruar spektakël, por ka përfunduar pa fitues, 2:2.
Në një atmosferë impozante të krijuar nga rreth 6 mijë tifozë gjakovarë, ekipet në fushën e blertë aplikuan lojë të hapur dhe i shënuan katër gola gjithsej. Atmosferën në stadium i pari e elektrizoi Fatih Karahoda, goli i të cilit e kaloi Vëllaznimin në avantazh prej 1:0 në minutën e 4-t.
Por, pas këtij goli të pësuar, Prishtina u këndell, duke e kërcënuar seriozisht portën e gjakovarëve. Azem Ahmeti humbi rast të qindpërqindtë në minutën e 11-të, kur dy tentativat e tij në mënyrë superiore i ndali portieri Kushtrim Mushica. Por, ky i fundit u mposht në minutën e 20-të, kur Qëndrim Sejdiu në ndeshjen debutuese me fanellën bardhekaltër i barazoi shifrat në 2:2.
Mirëpo, edhe gjakovarët kërcënuan nëpërmjet Karahodës. Kuqezinjtë furishëm e nisën edhe pjesën e dytë, derisa Fisnik Papuqi ia doli ta kalojë sërish në avantazh ekipin e tij prej 2:1.
Por, vendasit këtë avantazh nuk mundën ta ruajnë gjatë, sepse Ilir Berisha shënoi gol me kokë në minutën e 65-të pasi mirë u shërbye nga Faton Zejnullahu, i cili kishte asistuar edhe në golin e parë të Sejdiut. Realisht, deri në fund të ndeshjes Prishtina luajti më mirë, por nuk shënoi dhe kështu ndeshja përfundoi me rezultat 2:2.
Hysi – KEK-u4:0
Kampioni i Kosovës, Hysi e ka nisur mirë sezonin e ri në Superligë, në të cilin bardhezinjtë synojnë ta mbrojnë trofeun e çmueshëm. Llapjanët e kanë mposhtur në Merdar KEK-un, me rezultat bindës, 4:0.
Bajram Zuqaku e kaloi Hysin në avantazh prej 1:0 në minutën e 7-të. Në minutën e 67-të, vendasit e dyfishuan epërsinë në 2:0 me golin që e shënoi Kushtrim Breznica.
Në minutën e 74-t, Mentor Zhdrella nga një ndërprerje prej rreth 30 metrave shënoi për rezultat 3:0. Hysi nuk u ndal me kaq. Bardhezinjtë shënuan edhe një herë nëpërmjet Fiton Hajdarit për rezultat përfundimtar 4:0.
Trepça – Besa1:0
Besa dobët e ka nisur edicionin e ri. Pasi humbi në Mitrovicë nga Hysi në ndeshjen për Superkupë, pejanët në të njëjtin stadium janë mposhtur dje, por nga Trepça me rezultat 1:0, në kuadër të xhiros së parë të kampionatit. Hero i Trepçës në këtë ndeshje ishte qendërmbrojtësi Arben Zhjeqi, i cili e shënoi golin e vetëm dhe të fitores për ekipin e tij në minutën e 76-të.
Drita – Lira2:0
Përforcimet e bëra i dhanë fryte Dritës, e cila me fitore u rikthye në elitë. Gjilanasit me meritë shënuan fitore me rezultat 2:0 ndaj Lirisë, skuadër kjo që u braktis nga shumica e futbollistëve kryesorë. Golat për bardhekaltrit i kanë shënuar Përparim Osmani në minutën e 11-të dhe Samir Ramizi në minutën e 55-të të ndeshjes.
Lepenci – Gjilani1:0
Lepenci ka debutuar me fitore në Superligë. Skuadra nga Kaçaniku- e cila këtë takim e zhvilloi në Ferizaj, pasi stadiumi i vet ende nuk është licencuar nga FFK-ja – e ka mposhtur me rezultat 1:0 ekipin tjetër të rikthyer në elitë, Gjilanin. Tri pikë Lepencit ia dhuroi Besmir Xhika, i cili e shënoi golin e vetëm në ndeshje dhe të fitores për ekipin e tij në minutën e 38-të.
TabelaNDGDPI
1. Hysi143
2. Drita123
3. Trepça113
4. Lepenci113
5. Trepça ’89101
6. Prishtina101
7. Drenica101
8. Vëllaznimi101
9. Gjilani1-10
10. Besa1-10
11. Liria1-20
12. KEK-u1-40