E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënojnë shqiptarët

Nga Express më 21 gusht 2011 në ora 20:37

Futbollistët shqiptarë kanë qenë të suksesshëm në Evropë këtë fundjavë, duke shënuar gola dhe duke kontribuar për ekipet përkatëse.

Fetai shënon në humbje

Bajram Fetai ka shënuar gol në humbjen që skuadra e tij, Lyngby e pësoi nga Odense, me rezultat 3:1. Vendasit shënuan tre gola shumë të shpejtë dhe nuk i dhanë mundësi ekipit të sulmuesit shqiptar të kërkojë pikë si mysafir.

Krejt çka arriti Lyngby ishte goli i shënuar në minutën e 78’të nga Bajram Fetai, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë. Për Odensën, në pjesën e dytë të takimit luajti sulmuesi shqiptar, Bashkim Kadri, i cili po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme.

Pas gjashtë xhirove të zhvilluara në Danimarkë, Odense zë vendin e dytë me 11 pikë, derisa Lyngby të njëmbëdhjetin me vetëm 4 pikë.

Zeneli, dy gola në fitoren e Helsinkit

Erfan Zeneli ka shkëlqyer në fitoren e Helsinkit, i cili në shtëpi e mposhti Rovaniemi me rezultat të thellë 5:0. Dy prej këtyre golave i ka realizuar mesfushori vushtrrias, fillimisht në minutën e katërt dhe më pas në të 19’tën. Në këtë përballje, për gjigantin finlandez ka munguar sulmuesi, Berat Sadiku.

Pas 21 xhirosh të zhvilluara në elitën e futbollit finlandez, Helsinki është lider i tabelës me 54 pikë të tubuara, 12 më shumë sesa përcjellësi, Inter Turku, që ka një lojë më pak të zhvilluar.

Sadiku, dy gola në fitoren e Locarnos

Armando Sadiku po kalon momente të shkëlqyeshme me Locarnon në ligën e dytë zvicerane. Sulmuesi shqiptar ka realizuar dy gola (në minutën e 9’të dhe 37’të) në fitoren Locarnos, e cila mposhti Etoile Carouge me rezultat 3:0.

Pjesë e Locarnos ishte edhe shqiptari tjetër, Enco Malindi, derisa Klodian Semina nuk ishte fare në formacion. Pas pesë ndeshjeve të zhvilluara në Challenge League, Locarno zë vendin e 13’të në renditjen tabelore me vetëm katër pikë të tubuara.

Sulimani shënon pas një viti e gjysmë

Emin Sulimani më në fund e ka gjetur golin. Mesfushori shqiptar shënoi të shtunën në barazimin e skuadrës së tij, Admira Wacker, me rezultat 2:2 ndaj Innsbruckut. Kështu, 25-vjeçari i dha fund ‘agjërimit’ prej gati një viti e gjysmë.

Ai nuk shënonte nga 24 marsi i vitit 2010, në ndeshjen që Austria Wienn e zhvillonte ndaj Riedit. Futbollisti shqiptar nga Maqedonia kishte lëndime të njëpasnjëshme kohëve të fundit, të cilat ia pamundësuan atij ta shfaqë talentin që e ka. Ai luajti 77 minuta të shtunën, duke ia sjellë një pikë të vlefshme Admiras.

Meha, gol dhe asist në fitoren e Paderbornit

Alban Meha ka shënuar gol në fitoren e Paderbornit ndaj Dynamo Dresdenit, në kuadër të xhiros së pestë të Bundesliga 2 gjermane. Mesfushori kosovar luajti 90 minuta, ndërsa shënoi për 2:0 në minutën e 84-t.

Po ashtu, 25-vjeçari asistoi edhe në golin e parë në minutën e 35-të për Gontherin. Ndërsa, golin e vetëm për Dresdenin e realizoi Koch, në minutën e fundit të ndeshjes. Përpos Mehës, për Paderbornin gjatë tërë ndeshjes luajti edhe mesfushori tjetër kosovar, Enis Alushi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›