Kasetat elektorale, Kolegji rrëzon vendimin e KQZ-sw
Operatorët radiotelevizivë nuk do të jenë të detyruar të pranojnë transmetimin e pamjeve apo kronikave elektorale të montuara nga vetw subjektet apo kandidatët që konkurrojnë në zgjedhje. Kolegji Zgjedhor ka hedhur poshtë dje, si të pabazuar në ligj, vendimin numër 460 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëpërmjet të cilit televizionet apo edhe radiot publike dhe jopublike, në rast se s’kishin kapacitetet e duhura, për të ndjekur fushatën e çdo subjekti zgjedhor, duhet të pranonin në mënyrë të detyrueshme kasetat me pamje të servirura nga vetw kandidatët, apo subjektet zgjedhore. Vendimi në fjalë përmbante dhe një pikë të dytë, që përcaktonte një mënyrë të re të ndarjes së kohës televizive gjatë fushatës elektorale mes kandidatëve dhe subjekteve politike, që i mbështesin ato duke synuar një barazi me kandidatët kundërshtarë, kryesisht në bashkitë e mëdha.
Kolegji
Çështja e parë, të cilën ka marrë në shqyrtim dje Kolegji Zgjedhor, ka qenë ajo e vendimit 460 të KQZ, ose siç njihet ndryshe tashmë, çështja e “kasetave elektorale”, i goditur nga Partia Socialiste si i pambështetur në ligjin zgjedhor dhe në kundërshtim me parimet gazetareske. Në emër të palës ankimuese, Partisë Socialiste, avokati Eno Bushi ka paraqitur para trupës gjykuese një sërë argumentesh që lidhen me këtë vendim dhe që e bëjnë atë të jetë antiligjor. Së pari, ai ka theksuar se vendimi i KQZ-së, ka ardhur në mënyrë jo ligjore, pasi ka miratuar një propozim të katër anëtarëve të Bordit të Monitorimit të Medias, të ardhur jashtë raportit javor të tij. Argumenti i dytë që ai ka sjellë ka qenë edhe ai i procedurës së votimit, duke pretenduar se një vendim i tillë duhet të miratohej me 5 vota, pasi është një akt që ka fuqi për të gjithë territorin dhe për rrjedhojë duhet të konsiderohet si akt-normativ dhe jo një vendim i thjeshtë, i cili mund të miratohej me shumicë të thjeshtë. Përsa i përket përmbajtjes, përfaqësuesi socialist ka theksuar se nisma bën rregullime të tilla që kanë karakterin e një ligji, dhe për rrjedhojë mund të miratohen vetëm nga legjislativi. Ndaj, ka theksuar ai, KQZ ka vepruar jashtë kompetencave të saj ligjore. Nga ana tjetër, ai ka evidentuar faktin se ky vendim bie në kundërshtim edhe me ligjet që rregullojnë të drejtën e informimit dhe ato të medias, pasi kërkon të detyrojë ato që të japin pamje apo kronika që nuk vijnë si pasojë e një pune të mirëfilltë gazetareske. Ndërkohë pala e goditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëpërmjet përfaqësuesve të tij ligjor ka theksuar se pretendimet e ngritura nga PS nuk qëndrojnë, sepse KQZ ka të drejtë të ndërhyjë për të rregulluar një mangësi që mund të shfaqet gjatë një procesi zgjedhor. Gjithashtu, sipas tyre, ky vendim nuk është dashur që të miratohet me 5 vota, pasi nuk ka karakter të përgjithshëm për të gjitha mediat, por vetëm për ato që s’kanë pranuar që të paraqesin një fushatë të balancuar. Por pikërisht kjo duket se ka qenë dhe pika më e dobët që ka vendosur fatin e kësaj çështje, pasi dy përfaqësueset e KQZ-së kanë paraqitur para gjykatës referenca të ndryshme ligjore, mbi të cilin është mbështetur hartimi i këtij vendimi, por duke pranuar në mënyrë indirekte se kemi të bëjmë me një akt-normativ që kërkon 5 vota. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, në fjalën e vet ka theksuar se ky vendim nuk ka fuqi për linjat editoriale të mediave, por vetëm për një pasqyrim të barabartë të fushatës nëpër edicionet informative.
Vendimi
Para se të tërhiqeshin për të marrë vendimin, trupa gjykuese, ndoshta për herë të parë në veprimtarinë e vet, ka zhvilluar një debat të gjatë me përfaqësuesit e PS-së, PD-së dhe KQZ-së, duke kërkuar shpjegime të hollësishme lidhur me çështjen në fjalë, duke mos nguruar në ndonjë rast që të shfaqnin edhe hapur vlerësimin e tyre kundër mënyrës së votimit të këtij vendimi. Gjithashtu, trupa gjykuese ka ndërprerë për pak minuta mbledhjen, për të pritur KQZ-në, që të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për sa i përket kësaj vendimmarrje. Në përfundim, Kolegji ka shpallur vendimin për anullimin e vendimit të KQZ-së.