Kamza, një shembull suksesi i zhvillimit policentrik të Tiranës
"Aleanca për Qytetarin”, çel fushatën elektorale në Kamëz, me prezantimin e Xhelal Mziut për një mandat të dytë Berisha: Nga një komunë, Ne e kthyem Kamzën në një qytet modern
Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin”, përmes një mitingu madhështor në Kamëz, prezantuan dje kandidatin për kryetar bashkie, Xhelal Mziu, i cili kërkon një mandat të dytë në këtë qytet.
Në fjalën e tij para mijëra të pranishmëve në mitingun e mazhorancës, kryeministri Sali Berisha u shpreh se kryetari i bashkisë do ketë të gjithë mbështetjen e qeverisë, në financimin e çdo projekti për bashkinë e Kamzës. Berisha siguroi banorët e Kamzës se në 4 vitet që vijnë qeveria do të 5 fishojë investimet për këtë bashki, të cilën siç theksoi kryeministri investimet e kësaj qeverie e kthyen në një qytet modern.
“Përulem me nderim të madh para secilit prej jush që këto 20 vite i dhuruat Shqipërisë, me mundin dhe përkushtimin tuaj, njërin nga qytetet më të bukura të saj, bashkinë e 6 më të madhe në të gjithë vendin”, u shpreh kryeministri Berisha, duke iu drejtuar banorëve të Kamzës.
Kryeministri ftoi që të vizitojnë Kamzën, cilido që do të njihet me rolin dhe kontributin e qytetarëve në ndërtimin e një qyteti. Sipas tij, Kamza u shndërrua nga një qytezë ngrehinash në një qytet vilash dhe pallatesh, duke u bërë qyteti i 6-të më i madh i vendit, me një shpejtësi më të madhe se kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.
“Ju, që erdhët në Kamëz, nga të gjitha rrethet e vendit nuk kishit me vete konto bankare, as edhe portofola apo qese plot me para. Ju vinit nga zona, në të cilat jeta ishte bërë e pamundur, pas 45 vitesh regjimi barbar, por ju në shpirt, në mendje kishit vetëm ëndrrën tuaj, ëndrrën për një jete tjetër, për ju dhe fëmijët tuaj. Ne këto 20 vjet, ju burrat dhe gratë e këtij qyteti derdhet lumenj djerse, por ndërtuat me sukses ëndrrën më të bukur te njeriut, ndërtuat Kamzën, një qytet ndër me modernët. Cilido që do të prekë dhe të shohë rolin e qytetarit, le të vijë këtu, në Kamëz dhe te shohë se si është ndërtuar nga burrat dhe gratë e këtij qyteti, një qytet i tërë, sesi ky qytet nga ngrehina njëkatëshe u rrit në një qytet me vila dhe pallate, sesi këtu ju, çdo dite, çdo jave, çdo muaj ia dolët duke shfrytëzuar lirinë dhe pasuritë e saj, të ndërtoni qytetin e 6 më të madh te vendit, me një shpejtësi më te madhe se kurrë ndonjëherë ne historinë e Shqipërisë”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se Kamza është sot një nga qytetet më të urbanizuara të Shqipërisë falë investimeve të qeverisë dhe përkushtimit të kryetarit të saj, Xhelal Mziu. “Këto 4 vite me Xhelal Mziun janë asfaltuar 60 km rrugë kryesore. Jam sot këtu për t’u zotuar para jush se 4 vitet që vijnë do asfaltohet çdo rrugë e qytetit”, tha Berisha.
Sipas tij, nga viti 2005 e deri më sot, janë ndërtuar 23 shkolla dhe kopshte dhe 5 shkolla të mëdha janë në ndërtim e sipër.
Kryeministri u ndal edhe te lehtësitë që ofron për biznesin Bashkia e Kamzës.
Sipas tij, “nga 600 biznese që kanë qenë të regjistruara në Kamëz 4 vjet më parë, sot numërohen 1800 biznese”.
Berisha theksoi se taksat në këtë bashki janë 3 herë më të ulëta se sa në Tiranë, ndërsa të ardhurat në bashki janë rritur 4 herë më shumë se 4 vjet më parë.
“Qyteti sot ka rrjetin e vet të energjisë elektrike tërësisht të rindërtuar gjatë këtyre 4 viteve me një investim prej 10 milionë euro. Ka stadiumin dhe Pallatin modern të Kulturës, shërbime dixhitale moderne për biznesin, urbanistikën dhe shërbimet e tjera”, tha Berisha, duke siguruar se 4 vitet që vijnë do të rindërtohet tërësisht stadiumi, Pallati i Sportit si dhe një park lojërash për fëmijët.
Duke u ndalur te investimet, Berisha tha se qeveria qendrore ka firmosur kredinë me një fond prej 55 milionë dollarë për ujësjellësin dhe kanalizimet e qytetit.
“Do bëjmë gjithçka për një mjedis sa më miqësor ndaj biznesit dhe për të shndërruar biznesin në gjeneratorin kryesor të punësimit tuaj”, tha ai.
Para banorëve të Kamzës, Berisha ri-përsëriti thirrjen ndaj të gjithë demokratëve dhe mbështetësve të PD-së dhe Aleancës për Qytetarin për të shmangur çdo lloj tensioni elektoral. Ai kërkoi që kjo fushatë zgjedhore të jetë në lartësinë e vlerave, të tolerancës dhe mirëkuptimit e qytetarisë.
“Kamza dhe Shqipëria europiane nuk mund të jenë kurrë ndryshe veçse vendi i qytetarëve të lirë, që respektojnë njëri-tjetrin dhe votën e lirë”, tha Berisha.
Kreu i Qeverisë theksoi se alternativa e mazhorancës frymëzohet nga virtyti dhe morali i qytetarëve dhe ka në qendër interesat, shkollimin, punësimin, strehimin, urbanizimin dhe vizionin për të sotmen dhe të ardhmen e Kamzës dhe Shqipërisë.
Sipas tij, përballë kësaj alternative qëndron alternativa e rrugës së vetme, me të cilën shqiptarët u ndanë 20 vjet më parë për të mos u kthyer kurrë më në atë rrugë.
“Rama kalon nga një takim në një tjetër, duke ftuar shqiptarët për rrugën e vjetër, apo rrugën e vetme. Do të ishte absurde të mendonin se si ofron kooperativa apo ferma bujqësore, por fakti që kthehet te rruga e etërve tregon se e shkuara përbën të sotmen dhe të ardhmen e tij”, tha Berisha, ndërsa ftoi banorët e Kamzës që në 8 maj të votojnë për zhvillimin e qytetit.