Jahmir Hyka, një gol nga stoli për edukimin
Jahmir Hyka shënon edhe nga stoli. Edhe pse nuk është aktivizuar asnjë minutë në barazimin 0-0 që Mainci arriti me Shalken e vendit të dytë në Bundesligë, mesfushori shqiptar ka gjetur rrjetën… jashtë fushës. Për afro një orë ai ka qëndruar në gjimnazin “Sebastian Mynshter”, ku bashkëbisedoi me nxënësit në kuadër të fushatës “Një gol – Edukim për të gjithë”. Iniciativa, e cila mbështetet edhe nga FIFA, ka nisur në gusht të vitit 2009 dhe do të vazhdojë edhe gjatë Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut. Në fushatën botërore, që synon të përmirësojë shanset për edukim të fëmijëve në vendet e varfra, janë angazhuar edhe yje si Mikael Balak, Tierri Henri dhe Diego. Në takimin me nxënësit, 22-vjeçari i Kombëtares shqiptare i është përgjigjur më së shumti pyetjeve në gjuhën angleze. Hyka shpjegoi se gjithmonë ka dëshiruar të bëhej një futbollist profesionist, madje ka folur edhe për karrierën e tij deri në këto momente: “Gjatë muajve të fundit te Mainci kam qëndruar gjatë në stol, por shpresoj që së afërmi kjo situatë të ndryshojë”. Ai i është përgjigjur edhe interesimit të gjimnazistëve për arsimimin në Shqipëri: “Në vendin tim, janë të shumtë fëmijët që nuk kanë mundësi të ndjekin shkollën. Për të përmirësuar sistemin e mësimdhënies atje, nevojitet një sforco nga politikanët. Gjithashtu edhe ekonomia dhe infrastruktura në Shqipëri kanë probleme”.
#