E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanadaja e artë

Alexandre Bilodeau përfundoi 12.257 ditë të pritjes për Kanadanë kur fitoi medaljen e parë të artë për nikoqirin e Lojërave Olimpike Dimërore, të dielën në akrobatikë me ski në stil të lirë.

Bilodeau, 22 vjeç, bëri paraqitje të shkëlqyeshme në bregun Cypress Mountain dhe gjithë kombi u hodh në festë kur ai siguroi medaljen e artë. Bilodeau mori 26.75 pikë për paraqitjen e tij dhe mposhti australianin Dale Begg-Smith, kampionin e vitit 2006, i cili kishte 26.58 pikë.

Bryon Wilson fitoi medaljen e bronztë për SHBA-në me 26.08 pikë. Kanadaja nuk kishte arritur të fitojë medalje të artë më 1976 në Montreal dhe 1988 në Calgary, si nikoqir i Lojërave Olimpike Dimërore, ndërsa televizioni CTV ka njoftuar se Bilodeau përfundoi pritjen 12,257 ditore prej hapjes së Lojërave në Montreal, duke arritur atë që më tepër se 500 atletë kanadezë kishin dështuar ta bëjnë në shtëpi.

“Ende nuk e besoj. Ka qenë ëndërr e imja prej kur isha fëmijë dhe tani është realizuar. Është shumë e mirë për të qenë e vërtetë”, tha Bilodeau. Nëse Kanada kishte një ditë të mirë, Franca kishte edhe më të mirë me dy të arta në kombinimin nordik dhe biatlon.

Në kërkimoren e fundit, Jason Lamy Chappuis i mohoi amerikanit Johnny Spillane medaljen e artë në kombinim nordik, ndërsa italiani Alessandro Pittin ishte i treti.

Francezi Vincent Jay befasoi favoritët duke fituar medaljen e artë në biatlon për meshkuj në 10 kilometra, fitore e ndihmuar nga kushtet e ndryshueshme klimatike që ndikoi te pjesëmarrësit e fundit.

Emil Hegle Svendsen nga Norvegjia fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa kroati Jakov Fak mori medaljen e bronztë. Kanadaja fitoi edhe një bronz në rrëshqitjen e shpejtë me patina në 3000 metra, ku pesë herë kampionja e botës, Martina Sablikova fitoi të artën për Republikën Ceke. S

Sablikova shënoi rekord të shtegut për 4 minuta 2.53 sekonda në Richmond Oval, duke mposhtur gjermanen Stephanie Beckert dhe kanadezen Kristina Groves. Felix Loch nga Gjermania u bë kampioni më i ri në rrëshqitje me sajë, duke dominuar ndaj kundërshtarëve dhe mposhti dy herë kampionin në fuqi, Armin Zoeggeler nga Italia.

Loch, 20 vjeç, arriti kohën më të mirë në garën finale (48.171 sekonda) për kohë të kombinuar prej 3 minuta 13.085 sekondash. Gjermania përfundoi në dy pozitat e para pasi dy herë kampioni i botës, David Moeller, ishte 0.679 sekonda prapa Lochut.

E artë E argjendtë E bronztë Totali
Franca 2 0 1 3
Gjermania 1 3 0 4
SHBA 1 2 3 6
Kanadaja 1 1 1 3
Koreja e Jugut 1 1 0 2
Holanda 1 0 0 1
Zvicra 1 0 0 1
Sllovakia 1 0 0 1
Republika çeke 1 0 0 1
Australia 0 1 0 1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›