E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja e të kuqve

Manchester United do të mundohet të eliminojë Milanin për herë të parë, ndërsa edhe Real Madrid kërkon fitoren e parë kundër Olympique Lyon, kur Liga e Kampionëve vazhdon të martën pas pushimit dimëror.

Në një lëvizje të dizajnuar për t’u mundësuar tifozëve të shohin ndeshjet në televizion, rrethi i dytë i garës do të zhvillohet në tetë mbrëmje të ndryshme të ndara rreth një muaj që përfshijnë dy takime në një natë, në vend të katër netëve me katër ndeshje përnjëherë.

“Ndryshimi do të thotë se më shumë tifozë kanë mundësi t’i përcjellin ndeshjet e mëdha në televizion. UEFA nuk do të përfitojë të ardhura shtesë nga marrëveshjet televizive pasi numri i ndeshjeve mbetet i njëjtë”, ka thënë zëdhënësi i UEFA-s, Rob Faulkner.

Ndeshjet e para të fazës eliminatore të garës fillojnë më 16 shkurt deri 12 mars, ndërsa takimet e kthimit të ndeshjeve të ditës së martë nuk do të zhvillohen deri më 10 mars.

Manchester United do të mundohet të eliminojë Rossonerët për herë të parë nga një garë evropiane pas katër disfatave të kaluara – takimi i parë më 1958 – tri prej këtyre humbjeve kishin ardhur në gjysmëfinale të Kupës së Evropës ose Ligës së Kampionëve.

Milan ka fituar të gjitha katër ndeshjet në shtëpi kundër Djajve të Kuq dhe njëri prej futbollistëve të tyre do të jetë jashtëzakonisht i motivuar për vazhdimin e kësaj serie. Ish idhulli i Manchester Unitedit, David Beckham kurrë më parë nuk është ballafaquar me dilemën e ndarjes së përgjegjësisë së punës me ndjenjat personale.

“Kurrë nuk më ka ndodhur më parë, por nuk mendoj se do të jetë problem. Nuk jam unë kundër Manchester Unitedit, por është Milan-Manchester United. Gjëja më e rëndësishme është kualifikimi për në rrethin tjetër”, tha ai.

Manchester United ka udhëtuar në Milan pa mbrojtësin Nemanja Vidiç dhe mesfushorët Ryan Giggs e Anderson të lënduar. Ndërsa te Milan do të mungojë sulmuesi Marco Borriello, por është rikuperuar ylli brazilian Alexandre Pato.

Ndërsa në përballjen tjetër të së martës mbrëma, Real do të kërkojë fitoren e parë kundër Lyonit, pas humbjeve në dy përballjet e kaluara mes klubeve në Francë dhe dy barazimeve në shtëpi.

Gjiganti madrilen është i pamposhtur në udhëtime këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Gara e këtij viti ka ndjenjë të veçantë për nëntë herë kampionin e Evropës, Real, pasi finalja në maj zhvillohet në stadiumin e tij, Santiago Bernabeu.

Lyon gjendet në pozitën e katërt në Ligue 1, por trajneri Claude Puel thotë se ata duhet të japin më tepër – sidomos të martën. “Ne nuk jemi duke luajtur futboll të shkëlqyeshëm dhe duhet të përmirësohemi. Duhet të jemi më luftarakë, sidomos kundër Real Madridit”, tha ai.

Faza eliminatore:

Milan-Man Utd 20:45
Lyon-Real Madrid 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›