Kanadaja, mbështetje e palëkundur Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.
Kanadaja, një nga vendet më me influencë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, konfirmon mbështetje të palëkundur të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Në një takim me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, përfaqësuesi i lartë i Departamentit të Punëve të Jashtme të Kanadasë, Keith Christie tha se autoritet kanadeze do të jenë gjithnjë partnerë real të Shqipërisë në rrugën integruese si dhe në zhvillimin e demokracisë në vend. "Mbështetja e Kanadasë në rrugën tonë integruese në NATO, tha Kryetarja e Kuvendit ka qenë shumë e çmuar për ne, mbështetje që na u konfirmua nga autoritet më të larta kandaze gjatë vizitës zyrtare në Kanada. Objektivi ynë për anëtarësim të plotë vitin e ardhshëm është motivim për vijimin e reformave të mëdha të ndërmarra nga Qeveria dhe Kuvendi." Biseda u fokusua në bashkëpunimin konkret ekonomik. Kompanitë kanadeza tha zoti Christie, janë shumë të interesuara për të bashkëpunuar konkretisht në sektorin e energjisë, veçanërisht në energjinë alternative. Për zotin Christie mes Kanadasë dhe Shqipërisë ka vend për partnership real. Ka tashmë shumë investime kanadeze këtu, pesë prej të cilave operojnë suksesshëm në fushën e minierave, vijoi ai. Këta investitorë janë shndërruar ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në Kanada. Ne, tha Kryetarja e Kuvendit, mirëpresim investimet e huaja që kanë ardhur gjithnjë në rritje si pasojë e klimës shumë miqësore dhe të favorshme të krijuar për biznesin në Shqipëri. Shqipëria, vijoi ajo, i është mirënjohëse Kanadazë për mundësitë e shumta që i ka dhënë shqiptarëve që jetojën e punojnë atje dhe që falë mbështetjes suaj, janë integruar dhe jetojnë me dinjitet së bashku me familjet e tyre. Kanadaja është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe kjo, theksoi Kryetarja e Kuvendit, është shumë e rëndësishme jo vetëm për këtë shtet të ri por edhe për të gjithë rajonin. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur së fundmi një intensifikim që do të njohë të tjera kulme. Do të ishte një kënaqësi, theksoi Kryetarja e Kuvendit, të mirëpres në një vizitë zyrtare Kryetarët e Senatit dhe Parlamentit kanadez menjëherë pas zgjedhjeve në Kanada.