Kanali Peqin-Kavajë ende pa ujë, fermerët në pritje të ujit
Kanali Peqin Kavajë vazhdon të jetë i thatë dhe temperaturat që vijnë duke u rritur kanë filluar të thajnë edhe barin që gjendet në të dy anët e tij. Megjithëse po i vjen fundi edhe muajit qershor, duket se asnjë shpresë nuk k për ardhjen e ujit që të përdoret për vaditje nga fermerët e komunave Gosë, Lekaj, Luz i Vogël dhe Synej. Bordi i Kullimit ka bërë të ditur se do të jetë çështje ditësh për ardhjen e ujit nga Çengelaj në Peqin, por uji nuk ka ardhur, ndonëse duhet të kishte ardhur prej më shumë se një muaji.
Fermerët e komunave të ndryshme kanë kërkuar marrjen e masave për të sjellë ujin për vaditje, pasi normalisht ai duhet të kishte ardhur që në fund të muajit maj. Duke qenë se në muajin maj ka patur reshje të shpeshta të shiut, nuk është ndierë shumë nevoja e ujit në fillim të muajit qershor, por tashmë prodhimet e tyre duhet të kenë ujë patjetër. Fermerët kanë kërkuar nga kryetarët e komunave që të kërkojnë nga bordi i kullimit që të lëshohet uji sa më parë. Nga ana tjetër bëhet e ditur se për hapjen e ujit duhet të zhbllokohen portat që janë salduar në Çengelaj dhe pika të tjera nga fshatarët e zonës në fjalë, të cilët e përdorin ujin për vaditjen e tokave të tyre. Bordi i kullimit duket i pafuqishëm edhe këtë vit për mirëmbajtjen dhe mirëmenaxhimin e ujit që vjen nga ky kanal. Ka vetëm një punëtor që kontrollon portat për hapjen dhe mbylljen e ujit në të gjithë gjatësinë e tij prej 42 km.Një njeri i vetëm e ka të pamundur që të mbajë nën kontroll një numër shumë të madh portash dhe në këtë mënyrë marrja e ujit nga fshatrat dhe komunat që lagen nga kanali, nuk respektohet sipas një grafiku të rregullt. Fermerët kanë ngritur zërin duke akuzuar edhe drejtuesit e federatës së ujit për mosmenaxhim të mirë të kanalit në stinën e verës dhe mosarkëtimin e lekëve që paguhen nga ta për ujin që përdorin për vaditje. Fermerët paguajnë 200-300 lekë të reja për një dynym për vaditje, por arkëtimet janë shumë të vogla. Nga ana tjetër, në bazë të shifrave të deklaruara nga drejtues të komunave, është bërë e ditur se nga 9-10 mijë hektarë tokë në rrethin e Kavajës që pret ujin për vaditjen e kulturave bujqësore, vetëm 1500-2000 hektarë mendohet marrin ujë për vaditje. Shifra prej 20 për qind e tokës së vaditur gjendet në Rrogozhinë, Gosë dhe Lekaj, ndërsa komunat e Luzit të Vogël dhe Synejit marrin shumë pak ujë në verë. Ministria e Bujqësisë ka dhënë këtë vit 5 milion lekë për rikonstruksionin e kanalit, por kjo shumë është mjaft e vogël në krahasim me atë që u kërkua për rehabilitimin e kanalit. Nga 5 milion euro që kërkohet për vënien në eficencë të plotë të kanalit, janë dhënë vetëm 40 mijë euro, një shumë mjaft e vogël në krahasim me atë që duhet në të vërtetë.
Kandidati Idajet Xeka prezanton Planin për Veprim në komunat e Kavajës
Kandidati Idajet Xeka prezanton Planin për Veprim në komunat e Kavajës