E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal: Materniteti i Durrësit pa përfunduar, Berisha e përuroi 3 ditë më parë

Kryeministri Berisha vazhdon të përurojë vepra të pambaruara. Në këtë vazhdë, në qytetin e Durrësit ai ka përuruar maternitetin e ri, një përurim krejtësisht elektoral pasi ky maternitet paraqet shumë probleme dhe nuk mund të hapet edhe pasi është përuruar. Materniteti është bosh sepse nuk ka mbaruar në punimet e tij të brendshme. Salla e lindjes është ndërtuar në katin e katërt të godinës, pa pasur parasysh faktin se shumë gra mund të vijnë në spital në momentin e fundit para lindjes dhe kjo sallë duhet të jetë në katin e parë në mënyrë që ndihma të jetë sa më efektive për nënat dhe foshnjet që do vijnë në jetë. Salla operatore është shumë e vogël dhe me shumë të meta dhe shkelje profesionale, duke filluar që nga hapësira e saj. Salla e lindjes duhet të zërë 30% të hapësirës së të gjithë sallës operatore. Pjesa tjetër, pra 70% e hapësirës duhet të ketë ambientet ndihmëse të ndara nga njëra tjetra. Një ndër këto ambiente duhet të jetë ambienti i larjes së mjekëve para se të hyjnë në sallë. Jo vetëm që ky ambient nuk është krijuar, por është vënë një lavaman brenda sallës së lindjes, në kundërshtim të plotë me normat higjienike dhe ato mjekësore. Në katin e parë të spitalit është bërë një lokal, brenda ambienteve të spitalit, duke mos qenë e lejueshme për higjienën e lartë që duhet të ketë spitali. Në spitalin e lindjes është sjellë konsultori i nënës dhe i fëmijës duke i centralizuar këto në mënyrë të skajshme. Konsultoret e nënës dhe të fëmijës duhet të jenë të shpërndara në qytet për të kryer shërbimin në dobi të nënës dhe të fëmijës sa më mirë. Në këtë mënyrë kryeministri shqiptar Sali Berisha ka kryer shfaqjen e tij të turpshme elektorale duke përuruar një maternitet i cili nuk është gati por edhe ashtu si është ndërtuar në ambientet e brendshme është problematik dhe aspak funksional. Materniteti i spitalit të Durrësit ka më shumë se dy vjet që ka filluar rikonstruksionin, ndërkohë që është pritur koha e fushatës për të bërë inaugurimin e tij, edhe pse ai nuk ka përfunduar ende. Nga ana tjetër rikonstruksioni dhe projekti që është bërë në lidhje me sallat e lindjeve nuk është vlerësuar sa duhet nga personeli i mjekëve obstetër që punon në maternitet. Sallat e lindjeve dhe të operacionit janë bërë shumë të vogla dhe të papërshtatshme për punën e mjekëve në raste operacionesh të komplikuara. Ndonëse zërat kundër nuk mund të dalin publikisht sepse rrezikojnë vendin e punës, pothuajse shumica e personelit ka kohë që shprehet pa asnjë vlerësim për investimin e ri. Ky personel ka më shumë se dy vjet që punon në kushte aspak të përshtatshme për të pritur vizita dhe lindje që shtohen dita ditës në katin e dytë të godinës së pediatrisë dhe tashmë që u inauguruan ambientet e reja të maternitetit, nuk ka shanse për kushte më të mira pune. Përurimi mashtrues i Berishës është shoqëruar me vendimin për të mos lejuar hyrjen e kamerave apo aparateve fotografikë në ambientet e maternitetit sepse kjo do të nxirrte në pah të vërtetën se Berisha përuroi një godinë të papërfunduar. Në dëshpërim e sipër kryeministri Berisha përuron çdo gjë që i del por pa mundur tu hedhë hi syve shqiptarëve që vuajnë në kurriz dëmet e mëdha që i ka sjellë vendit ky kryeministër dhe qeveria e tij.

Last Updated on Saturday, 20 June 2009 06:58

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›