E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, grindet me shokun, pi medikamentet e gjyshit 17 vjeçarja

Një adoleshente ka përfunduar në gjendje kome në spitalin e Korçës gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Vajza me inicialet R. S. është shtruar rreth orës 1:00 pas mesnatës së enjte në spitalin rajonal të Korçës me shenja helmimi. Vajza, banore e lagjes 8 në këtë qytet iu ka shprehur familjarëve të saj se kishte dhimbje koke, teksa mësohet nga hetimet paraprake të policisë se ishte grindur me një shok nëpërmjet disa sms-ve. 17 vjeçarja R. S ka shkuar për të fjetur në një kohë kur dhe të afërmit e saj i kishte zënë gjumi, teksa ka konsumuar një sasi të madhe medikamentesh për ta çuar atë në prag të vdekjes. Nga hetimet e para ka rezultuar se adoleshentja ka konsumuar një sasi Lopresol medikament që përdoret për tensionin në gjak. Këto mjekime përdoreshin nga gjyshi i të resë, ndërsa kjo e fundit ka  mundur të pijë gati një tabletë të tërë.Nga shpjegimet që familjarët e 17 vjeçares kanë dhënë në polici ata janë shprehur se ajo ka tentuar të përdorë Paracetamol kundër dhimbjes së kokës, mjekim që sipas tyre e ka ngatërruar me ilaçet për tensionin e të moshuarit. Vetë vajza nuk ka folur pasi gjendja e saj shëndetësore është shumë e rëndë. Por sipas policisë ajo ka tentuar të vetëhelmohet për një grindje me një shok të saj të shkollës. Gjithsesi dhe kjo pistë mbetet për tu zbardhur, ndërsa prindërit e vajzës kanë pohuar se nuk kanë patur ndonjë konflikt me këtë të fundit gjatë mbrëmjes para aktit të vetëhelmimit. Policia e Korçës nga ana e saj ka kryer veprimet e para hetimore për veprën penale Shkaktim të vetëvrasjes të mbetur në tentativë, ndërsa pas përmirësimit të gjendjes të të resë do të marrë dëshiminë e kësaj të fundit për vetëhelmimin e saj. Vetëvrasjet në Korçë kanë qenë një problem gati alarmant të paktën gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që pre e tyre kanë rënë kryesisht të rinjtë, por dhe mosha më të pjekura. Siaps bilancit të vitit të kaluar në regjistrat e policisë së juglindjes rezultojnë plot 17 viktima të vetëvrara në rrethana dhe me mjete të ndryshme, ku vetëhelmimet kanë qenë në plot 5 raste. Teksa gjatë këtij viti është vënë re një ulje e vetvrasjeve gjatë tremujorit të parë, ka ndryshuar situata në muajit e fundit. Vetëm gjatë dy muajve të fundit  në këtë rreth janë shënuar tre vetëvrasje dhe dy prej viktimave janë të rinj adoleshentë. Rasti i 17 vjeçares për fat të mirë nuk ka përfunduar me vdekje, ndonëse gjendja e saj shëndetësore sipas mjekëve të spitalit rajonal të juglindjes është mjaft kritike. Helmimi është i një shkalle të rëndë që e ka cuar shtetasen R. S., në koma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›