E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka akuzon Topallin dhe PD për vrasjen e Kekës

Kreu i PDK: Zonja  Topalli, monstër që po përdor një fjalor i cili kërkon gjak dhe asgjësim
Përgjaket fushata elektorale me një tjetër viktimë politike. Aleks Keka, kreu i PDK-së në Malësi të Madhe ka qenë viktima e radhës së kësaj fushate elektorale, pas vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi si dhe vrasjes së militantit të PD-së, në Qerret të Durrësit, Artan Zeka. Vrasja e radhës ka krijuar polemika të mëdha edhe brenda kampeve politike. Kryetari i PDK, Nard Ndoka ka akuzuar drejtpërdrejt kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli për vrasjen e kryetari të degës së PDK-së në Malësinë e Madhe, Aleks Keka, i cili u gjet i vdekur pas shpërthimit të makinës së tij në aksin Koplik-Shkodër. Kreu i PDK-së, akuzon Topallin për gjuhën e saj kundër partisë së tij, ku vrasjen e konsideron si produkt i klimës politike. Zonja Topalli, e cila është një monstër në politikë, po përdor një fjalor që kërkon gjak, nënshtrim, asgjësim. Politikanë të tillë janë fatkeqësi kombëtare, ka theksuar Ndoka, duke shtuar se shpërthimi ka qenë i telekomanduar dhe si pasojë makina e Kekës ka dalë jashtë rruge. Po ashtu, kreu i PDK-së sqaron se Keka kishte pasur kërcënime të vazhdueshme nga eksponentë të PD-së. Sipas Ndokës, 37 vjeçari Keka ka pasur kërcënime dhe telefonata të shumta mbas fjalëve të Topallit dhe thekson në këtë drejtim se policia ka çdo informacion për kërcënimet ndaj Kekës. Për këtë le të përgjigjet policia, pasi ajo ka çdo informacion. Kërcënimet për PDK-në, nisën kur Topalli po bënte fushatë kundër PDK-së, në zonën e Shkodrës, nënvizoi Ndoka, i cili ndodhej në Shkodër në momentin e atentatit, pasi Keka ishte duke udhëtuar drejt qytetit të Shkodrës, pikërisht për tu takuar me Ndokën. Ai ka theksuar se vetëm pesë minuta përpara se të ndodhte shpërthimi kishte biseduar me Kekën dhe pastaj ka tentuar të flasë sërish por nuk është përgjigjur askush. Kreu i PDK-së, ka kërkuar mbajtjen e qetësisë dhe zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes së rëndë. Po ashtu, atentat politik këtë ngjarje e ka konsideruar edhe deputeti Jak Ndokaj, sipas së cilit ky atentat është i motivuar politikisht. Edhe deputeti Frrok Gjini bën përgjegjëse Topallin për klimën e tensionuar dhe shton se ajo do të dalë patjetër fituese në Shkodër por PD dhe PDK do ti japin vendin e merituar. Kandidati për deputet i PDK-së Mark Luma ka sqaruar edhe itinerarin përpara shpërthimit se në orën 8-00 të mëngjesit Keka ka qenë me të në lokalin Fantazia, në Koplik dhe aty ka qëndruar me disa bashkëpunëtorë të tij, për tu nisur rreth orës 9-30 drejt Tiranës për bazë materiale, por mbas 15 minutash udhëtim ka ndodhur edhe shpërthimi që i ka marrë jetën.
Konflikti Topalli-PDK
Ishte pikërisht deklarata e kreyparlamentares Jozefina Topalli bërë disa ditë më parë në një tur elektoral në Postribë të Shkodrës, ku me shumë gjakftohtësi ajo ka lëshuar akuza të rënda ndaj Partisë Demokristiane, por edhe asaj Republikane. Në fjalën e saj në këtë takim, Topalli u ka kërkuar banorëve të zonës që të mos votojnë PR dhe PDK, duke i konsideruar këto parti mafioze dhe spiune. Sipas saj, çdo votë për këto parti, është votë për për Edi Ramën. Republikanë apo demokristianët që spekulojnë duke thënë se janë të djathtë. Ata ose janë spiunë, o janë mafiozë. Asnjë votë për asnjërin prej tyre. Çdo votë për ta është votë për Edi Ramën. Partia Republikane është një parti spiunësh. Duhet të krijohet një qeveri që të mos ketë parti të vogla që ua thonë emrin demokristianë apo republikanë. Çdo votë për ta është kundra Sali Berishës, është kundra jush, është kundra fëmijëve tuaj, ndaj bëni shumë kujdes, asnjë votë partive të vogla,  deklaroi Topalli, disa ditë më parë në Shkodër.
Topalli: Vrasja e Kekës, ngjarje tragjike
Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli e akuzuar në mënyrë direkte nga PDK-ja për vrasjen e Aleks Kekës, ka reaguar pasditen e djeshme, lidhur me ngjarjen. Në një prononcim për mediat, Topalli e ka cilësuar ngjarjen tragjike dhe ka shprehur mbështetjen e saj ndaj organeve hetimore për zbardhjen e krimit. Ajo që ka ndodhur është një ngjarje tragjike. I bëj ngushëllime familjarëve për humbjen e njeriut të dashur dhe iu kërkoj të gjithëve që të mbështesim prokurorinë dhe policinë për të bërë të mundur një hetim të plote dhe të gjithanshëm, ka deklaruar Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›