E Diel, 1 Nëntor 2026

Kancelari Merz: Lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë me negociata

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e konsideron të pamundur përfundimin e luftës në Ukrainë përmes negociatave që janë aktualisht në zhvillim.

Në një intervistë për gazetën gjermane Rheinpfalz, ai deklaroi se konflikti i armatosur pritet të marrë fund vetëm në rast se njëra nga palët do të jetë e rraskapitur, qoftë nga pikëpamja ushtarake apo ekonomike.

“Sipas mendimit tim, kjo luftë do të përfundojë kur njëra nga të dyja palët të jetë e rraskapitur, qoftë ushtarakisht apo ekonomikisht”, u shpreh ai ndërsa thotë se sipas tij “llogjika dhe argumentet humanitare nuk do ta bindin Putinin”.

Sipas tij, përpjekjet e vendeve evropiane duhet të përqendrohen në kufizimin e kapaciteteve të Rusisë për të vijuar luftën, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë ekonomik.

Ai shtoi se synimi duhet të jetë që “shteti rus të mos jetë në gjendje ta vazhdojë luftën nga një perspektivë ushtarake dhe të mos mund ta financojë më atë nga një perspektivë ekonomike”.

Kancelari gjerman theksoi se aktualisht Rusia ndodhet në një gjendje që ai e cilësoi si “barbari të thellë”, duke shtuar se kjo situatë nuk pritet të ndryshojë në një të ardhme të afërt dhe se Evropa duhet të jetë e përgatitur për ta përballuar këtë realitet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›