E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kancelarja Merkel e vendosur per Eurozonen

Kancelarja gjermane vijon këmbënguljen e saj për të mbrojtur me çdo kusht bashkimin monetar.

Në takimin me kryeministrin finlandez, Merkel është shprehur optimiste mbi gjetjen e një marrëveshje mes Finlandës dhe Greqisë për çështjen e kolateralit për garantimin e borxhit grek.

Ajo ka mohuar gjithashtu, zërat për falimentim të Greqisë duke kritikuar, për këtë, anëtarët e qeverisë së saj.

Merkel është shprehur optimiste mbi mundësinë e gjetjes së një marrëveshje të hapur për të gjithë partnerët europianë lidhur me kërkesat e Finlandës mbi çështjen e kolateralit për të garantuar borxhet e Greqisë.

Në një takim me kryeministrin e Finlandës Katainen, Merkel ka deklaruar se Gjermania dhe Finlanda janë të vendosura në stabilizimin e eurozonës dhe kanë besim se kjo do të arrihet përmes reduktimit të borxhit në një periudhë afat gjatë dhe përmirësimit të konkurrencës.

“Të gjithë ne do ta gjejmë një rrugë , një mënyrë të hapur për të gjithë parnerët por në linjë me kërkesat finlandeze. Ekspertët tanë janë duke punuar mbi këtë çështje dhe kam besim të plotë në atë çka do arrijnë”.

Ndër të tjera, kancelarja gjermane ka kundërshtuar të gjithë zërat për një dalje të Greqisë nga monedha europiane.

Në një intervistë për radion gjermane Merkel ka paralajmëruar se çdo vendim në lidhje me krizën e borxhit duhet të peshohet me kujdes.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra në Eurozonë duhet të jenë të kontrolluara dhe me qëllim që të dimë edhe pasojat , pasi kështu e marrim menjëherë në dorë situatën në Eurozonë dhe nuk duam që pasojat të jenë të vështira për të gjithë ne”.

Në këtë mënyrë, kancelarja gjermane ka kritikuar në mënyrë indirekte anëtarët e qeverisë së saj të cilët së fundmi kanë lëshuar deklarata dhe komente mbi një mundësi të dështimit të Greqisë.

Merkel ka përgënjeshtruar gjithashtu edhe zërat mbi publikimin e një komunikate të bërë me presidenti francez Sarkozy për çështjen e Greqisë.

Ndërkohë protestuesit në Athinë kane vijuar protestat në rrugë mbi masat shtrënguese të qeverisë.

Shqetësim mbi situatën financiare të Eurozonës kanë shprehur edhe SHBA, duke ndërmarrë edhe hapin e parë.

Tregjet kanë vijuar të ushtrojnë presion mbi Italinë.

Në ankandin e fundit të bonove sovrane vendi ka parë rendimentin më të lartë që nga momenti i krijimit të monedhës euro, më 1999, duke mos i dhënë kështu siguri Romës të financojë veten normalisht.

 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›