E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse Greqia bankroton

Politikanët gjermanë gjithnjë e më hapur po flasin për skenarin se çfarë do të ndodhte nëse Greqia vërtet bankroton. Në histori nuk ekziston një rast i tillë i bankrotimit, konstaton radio Deutsche Welle. Nga Express më 15 shtator 2011 në ora 08:36

Greqia aktualisht ka në dispozicion shumë miliarda euro, megjithëse më askush nuk mund të thotë sigurt se ato do të mund ta shpëtojnë atë nga borxhet që i ka. Së këndejmi politikanët gjermanë gjithnjë e më hapur po flasin për skenarin se çfarë do të ndodhë nëse Greqia vërtet bankroton si shtet.

Pikërisht kjo ishte arsyeja që ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, kërkon përgatitjen e menjëhershme për këtë skenar të mundshëm, me shpresë se kjo do të mund të ndihmonte për një shqyrtim sa më të qartë të problemeve.

Njëkohësisht, mendimet për një kolaps të paevitueshëm të tregut financiar vetëm sa po e rrisin pasigurinë, dhe si rrjedhojë edhe mundësinë më të madhe për një bankrotim të tillë.

Ministri gjermani i Ekonomisë, Philip Roesler, gjatë fundjavës deklaroi se “me qëllim të stabilizimit të valutës euro, nuk guxon të ketë asnjë lloj ndalese të mendimeve për zgjidhjet e mundshme. Me këtë nënkuptohet se, nëse kjo është e nevojshme, mund të ndodhë edhe një bankrotim i kontrolluar i Greqisë”.

Reagimi i tregjeve ishte shumë i qartë. Përgjatë gjithë Evropës u shënua një rënie e aksioneve, përfshirë këtu edhe rënien e euros ndaj dollarit amerikan.
Strategu i tregut nga Londra, Mark Oswald, mendon se politikanët gjerman janë të tërbuar me situatën aktuale.

“Duket se politikanët gjermanë i ka përfshirë një tërbim destruktiv, kur bëhet fjalë për prononcimet e tyre publike lidhur me bankrotin e mundshëm të Greqisë, ose për daljen e saj të mundshme nga unioni monetar. Në këtë mes nuk duhet të fajësohen tregjet, të cilat po mundohen që të fshihen ‘brenda ndonjë bunkeri dhe atje pastaj të mbrohen me kasketa të çelikta’”, thekson ai.

Mbrojtja vërtet është e domosdoshme, sepse në rast të bankrotimit të Greqisë një pjesë e parave të huazuara do të humbte. Shtetet anëtare të Eurozonës Greqisë ia kanë huazuar qindra miliarda, dhe i kanë ofruar garanci për kredi. Humbja e këtyre parave do t’i rriste ndjeshëm borxhet e shteteve të Eurozonës, pohon Stefan Homburg, drejtor i Institutit për Hulumtime Financiare nga Hanoveri.

“Po qe se ndodhë ajo që pres unë, pra, që Greqia në një moment të mos jetë në gjendje që t’i paguaj borxhet, ko atëherë do të rriste borxhin e Gjermanisë dhe do ta vinte në rrezik edhe aftësinë e saj kredituese”, nënvizon ai.

Gjermania në atë rast do të paguante kamata më të mëdha për borxhet e reja. Kjo vetvetiu nuk do të ishte një gjë aq dramatike, por shtetet tjera problematike të Eurozonës, si Portugalia, Irlanda, Italia dhe Spanja, shumë shpejtë do të gjenin veten në telashe, për shkak të rritjes së përqindjes së kamatave.

Në atë rast, në tregun financiar do mund të priteshin dy lloje të reagimit. Nga njëra anë do të zvogëlohej ndjeshëm gatishmëria e ofrimit të ndihmës për shtetet e Eurozonës me ekonomi të dobësuar. E, nga ana tjetër, do të spekulohej me mendimet se Greqia ka falimentuar, andaj edhe do të shtrohej pyetja: Kush e ka radhën tani?

Pra, do të ndodhte një reagim zinxhiror që njihet si domino-efekt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›